Luksi i kërkesave etike ndaj medias, kur fshati digjet

Nga Vehap Kola

Publikimi i disa fotove nga morgu i Tiranës ka ngjallur tek nje pjesë e mbështetësve të Partisë Socialiste një indinjatë të pajustifikuar.

Përpara se të gjykohet publikimi i atyre pamjeve, një qenie e vërtetë etike do të kishte vënë kujën për gjendjen e tmerrshme të morgut dhe trajtimit aspak dinjitoz të xhenazeve të shqiptarëve që humbin jetën në spitalet COVID. Në vend që t’i kërkoni hesap medias që publikon fotot, kërkojini llogari qeverisë që keni votuar dhe keni xhan, që të mos u japë me çek të bardhë inceneratorëve dhe me pikatore spitaleve dhe poliklinikave bash në ditët e epidemisë më të rëndë në 100 vjet.

Pasi t’i keni vënë me shpinë pas muri Edi Ramën, Arben Ahmetajn, Erion Velinë e deputetët e Partisë Socialiste që votojnë Buxhetin e 2021 duke shtuar ditën e fundit 3 milion euro për inceneratorët, kthehuni dhe kërkoni etikë në veprimet e medias. Edhe atëherë, jini të sigurt se nuk ka asgjë etike në denoncimin e abuzimit dhe përdhosjes shtetërore të trupave të familjarëve tanë.

Etika do të shkelej nëse media do të kishte botuar foto nga një morg normal, modern dhe dinjitoz vetëm për të fituar klikime dhe audiencë. A e dinë rilindistët e indinjuar nga fotografitë e botuara në media se në kulmin e pandemisë, qeveria e tyre uli shpenzimet për shëndetësinë dhe i rriti ato për inceneratorët? Vetëm gjatë 9 muajve të parë të 2020, shpenzimet për shëndetësinë u ulën me 13.7 milion euro, ndërsa pagesat për inceneratorët u rritën me 12 milion euro.

Banka Botërore na thotë që shqiptarët kanë barrën më të lartë financiare në Europë për shërbimet shëndetësore. 57% e shqiptarëve i paguajnë nga xhepi shërbimet shëndetësore, ndërsa në vendet fqinje kjo barrë është më e ulët se gjysma e kësaj përqindjeje.

Shqiptarët paguajnë për shërbime shëndetësore një pjesë shumë më të madhe të buxhetit se sa paguajnë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, edhe pse paga mesatare dhe të ardhurat për frymë në vendin tonë janë më të ulëtat. Premtimi për shëndetësi falas është harruar dhe mashtrimi i qytetarëve me premtime të tilla nuk përbën, siç duket, faj moral i kryer nga ata që kanë pushtet.

Eurostat e rendit Shqipërinë në vendin e fundit në Europë dhe rajon për numrin e mjekëve për 1000 banorë.

Përveç se kemi më pak mjekë, distance me vendet e rajonit është dramatike. Në spitalet COVID, një mjek u shërben më shumë se 10 pacientëve, ndërsa një infermier 15 pacientëve. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se pacientët COVID kalojnë orë të tëra pa asnjë kujdes të drejtpërdrejtë nga mjeku apo infermieri në pavion. Dëshmitë e njerëzve që kanë arritur të dalin gjallë prej atyre pavionëve janë lebetitëse.

Pacientëve nuk u kontrollohet në kohë ecuria e marrjes së serumit. Një pacient që nuk di ta përdorë vetë aparatin e serumit, apo një pacient që nuk është në gjendje të ndjekë me vëmendje procesin e marrjes së serumut mund të vdesë aksidentalisht.

Dëshmi të tjera nxjerrin në dritë drama edhe më rrënqethëse, me pacientë që kalojnë natën me viktimat e COVID deri sa trupat e tyre të merren dhe të zhvendosen në morg. A janë këto të dhëna joetike për t’u publikuar?

Po përse ikin mjekët shqiptarë nga vendi i tyre? Se të gjithë e dimë që mjekët nuk janë shtresa më e varfër e popullsisë së Shqipërisë.

Arsyeja është trajtimi i keq financiar: mjekët shqiptarë janë më të keqpaguarit në Europë dhe rajon. Mjekët shqiptarë paguhen sa gjysma e pagës mesatare të mjekëve në rajon. Kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Por prej 7 vitesh pagat e mjekëve nuk janë rritur, ndërsa buxheti i shëndetësisë u është dhuruar oligarkëve përmes PPP-ve korruptive. Ka ndonjë arsye etike për të dënuar vrasjen e ngadaltë dhe të heshtur të shqiptarëve nga një qeveri që rrënon shëndetësinë në mënyrë të vetëdishme?

Për arsyet e renditura më sipër dhe për shumë të tjera, përpara se të kacaviremi pas luksit të gjykimit etik për përmbajtjen e publikimeve në media, le të kërkojmë llogari ndaj atyre që marrin taksat tona dhe nuk i përdorin as për shëndetin e njerëzve në pikun e epidemisë. Le t’u kërkojmë hesap se përse në mes të pandemisë buxheti i shëndetësisë zvogëlohet ndërsa rriten pagesat për inceneratorët.

Le të irritohemi ndaj mënyrës se si na i trajtojnë të afërmit tanë që kanë ndërruar jetë në morgun e Tiranës. Nëse pas gjithë kësaj mbetet vend për të sulmuar e mallkuar median, mos u bëni merak se atë punë e kryen më mirë se kushdo vetë Edi Rama./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne