Shkup
Në kuadër të Javës Çame, dhjetëra persona marshuan drejt Ambasadës së Greqisë në Shkup për të shprehur protestën e tyre për gjenocidin grek ndaj çamëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre, si dhe për të dorëzuar një letër protestuese,
Marshi dhe tubimi i sotëm ishte vetëm një nga aktivitetet e organizuara në Shkup në kuadër të Javës Çame, pasi nga 21 deri 27 qershor, në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut janë organizuar dhe do të organizohen aktivitete të ndryshme, si ekspozita kushtuar Çamërisë dhe çamëve, panel-diskutime dhe debate me hulumtues e historianë, koncert dhe aktivitete të tjera.
Tubimi i sotëm ishte paqësor dhe nuk u shënuan incidente, ndërsa tubuesit ishin të veshur me elemente çame dhe mbanin flamurin shqiptar.
Përgjatë marshit dhe para tubimit në Ambasadën e Greqisë u vërejt prani e shtuar e forcave policore të cilët kishin bllokuar rrugën para ndërtesës së ambasadës dhe pamundësuan tubuesit që t’i afrohen ndërtesës.
Në letrën drejtuar ambasadës greke në Shkup, të cilën e lexoi Afan Sherifi, thuhet se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut protestojnë sot për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, të cilët sipas tij u masakruan dhe u përzunë nga trojet e tyre me gjenocid nga ushtria greke EDES e drejtuar nga Napoleon Zervas në vitin 1944.
Siç theksoi ai, shteti grek, atëkohë, akuzoi çamët se kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve gjermanë, një akuzë që nuk u vërtetua asnjëherë shkencërisht nga shteti grek, ndërsa konservimi nga ana e Greqisë i shtëpive dhe tokës private tregon qartë se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar ka pasur prapavijë politike pa mbështetje në asnjë fakt për akuzën e bashkëpunimit me gjermanët.
“Ne i kërkojmë Greqisë që shqiptarët nga Çamëria të rikthehen për të vizituar shtëpitë dhe varret e të parëve. Greqia, ashtu si u lejoi egjeasve maqedonas të Greqisë që janë përzënë gjatë luftës civile nga viti 1947 deri në vitin 1949 për të vizituar shtëpitë dhe varret e të parëve, duhet të lejojë edhe çamët”, kërkuan protestuesit, në letrën e lexuar nga Sherifi.
Ai gjithashtu theksoi thirrjen drejtuar Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian që t’i bëjë thirrje Greqisë, si anëtare e BE-së, të ndalojë diskriminimin etnik dhe fetar ndaj çamëve.
“Pa zgjidhje të çështjes çame, asnjëherë nuk do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve”, tha ai, duke shtuar se shqiptarët kudo që janë, gjithnjë do të kërkojnë të drejtat e tyre, do të kërkojnë zgjidhjen e çështjes çame si një çështje gjithëkombëtare.
“Prandaj ne i themi stop diskriminimit racor e fetar që bën Greqia ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, tha Sherifi.
Pas leximit të letrës drejtuar Ambasadës së Greqisë, njëri nga organizatorët ia dorëzoi zyrtarit policor me detyrë pranë ambasadës.
Java Çame në Shkup organizohet nga një këshill i përbërë nga disa shoqata joqeveritare nga Maqedonia e Veriut nën moton “I love Çamëria”./AA