Maqedoni – TIKA hap kabinetin e defektologjisë në Kopshtin “Borëbardha”

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), me aktivitetet e saj në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2006, deri më sot ka realizuar rreth 1.000 projekte në fusha të ndryshme, siç janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore.

Projekti i fundit që ka realizuar TIKA, është kabineti i defektologjisë në kopshtin për fëmije “Borëbardha”, në komunën e Çairit të Shkupit. Qëllimi i hapjes së këtij kabineti është inkuadrimi në shoqëri i fëmijëve me pengesa në të folur dhe me nevoja të veçanta.

“Plotësisht e kemi rinovuar dhe pajisur kabinetin për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kjo nevojë ishte transmetuar deri tek ne dhe ne me kënaqësi shumë të madhe e pranuam këtë. Ne po ashtu para pak kohësh kemi bërë organizimin e shumë seminareve për defektologjinë, ku flitej për të njëjtën problematikë, pra fëmijët me autizëm”, tha Ajtekin Ajdën, koordinator i TIKA-s në Shkup.

“Më gëzon fakti që përmes donacionit të Republikës së Turqisë, nëpërmjet TIKA-s, është formuar një kabinet, i cili do të shërbejë për fëmijët me autizëm dhe për fëmijët me nevoja të posaçme. Më gëzon ajo që do të ketë kushte të mira për personelin dhe për fëmijët”, theksoi ambasadorja e Turqisë në Republikës e Maqedonisë së Veriut, Tulin Erkal Kara.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, duke falënderuar donatorin, tha se kjo çerdhe ka pasur nevojë për një kabinet për fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët do të bëjnë aktivitete të posaçme për të cilat kanë nevojë këta fëmijë.

“Investimi për këtë kategori, persona me aftësi të kufizuara, është më së i nevojshëm. Çdo investim që do të jetë në fushën e arsimit do të jetë i mirëseardhur për ngritjen e kushteve sa më cilësore e më kualitative për mbarëvajtjen e mësimit”, deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

“Saktë në kohë është bërë një projekt i vogël, por me rëndësi të madhe. E dini që para pak kohësh është miratuar Ligji për Mbrojtje të Fëmijëve dhe Mbrojtje Sociale, dhe ne si Ministri i mbështesim këto projekte, pasi qëllimi ynë është inkuadrimi i këtyre fëmijëve në shoqëri”, tha zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Gonyl Bajraktar.

Gjatë hapjes së këtij kabineti u dhuruan edhe lodra për fëmijët e kopshtit. Të pranishmit patën mundësi të ndjekin edhe një program artistik të përgatitur nga fëmijët e këtij kopshti./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne