Milot-Fier, po vjen afera e radhës

Nga Klodian Tomorri

Projekti i rrugës Milot- Fier është “gjylja e fundit” e premtimeve bombastike në infrastrukturë pas ëndrrave 3D të tuneleve, që nuk u dihet akoma kosto financiare e mjedisore dhe atyre për hidrocentralin madhështor të Skavicës. Ky i fundit madje riciklohet nga çdo qeveri një herë në 4 vjet, ndonëse askush nuk i hyn llogarive ekonomike e mjedisore të projektit, i cili edhe në kohën e diktaturës e bënte udhëheqësin fuqiplotë të djersitej nga ideja e përmbytjes masive dhe shpërnguljes së gjithë banorëve në zonën më pjellore të Dibrës.

Ambalazhimi dhe marketimi i ëndrrave infrastrukturore në periudhën me depresionin më të madh ekonomik duket se u shërben promovuesve për të fshehur dështimet spektakolare të viteve të fundit. Ky dështim është i qartë kudo, madje edhe tek projektet me financim të siguruar e që u filluan me aq zell nga qeveria dy-tre vite më parë. Rruga Delvinë-Kardhiq, hekurudha Tiranë-Durrës apo unaza e kryeqytetit nxjerrin në pah jo vetëm pa-aftësinë manaxhuese të proceseve por edhe dalldinë korruptive të “qenve të oborrit që kanë dalë nga zinxhirët” dhe luftojnë për cdo kockë të fundit të thesarit të gjymtuar publik.

Por le të kthehemi tek Gjylja e fundit Milot-Fier, që sipas ministres së Infrastrukturës do të jetë një investim i ngjashëm me gazsjellësin TAP. Në fakt këtu historia bëhet sa komike aq edhe obskure e korruptive, sidomos e thënë shkarazi gjatë inaugurimit të Bypasit te Fierit, një tjetër dëshmi e gjallë e dështimit të një projekti të filluar nga qeveria e Sali Berishës dhe që u zgjidh vetëm në mandatin e dytë të Edi Ramës.

Komike sepse në çdo dalje publike Edi Rama dhe Belinda Balluku shpikin nga një projekt të ri madhor në infrastrukturë, por për asnjë prej tyre nuk ka nga pas ndonjë strategji apo dokumet zyrtar mbështetës. Njëherë u trumbetua koncesioni për rrugën Tiranë-Durrës, më pas u shpik Thumanë-Rrogozhinë, që rrugës u tenderua si Thumanë-Kashar dhe pastaj u anullua për t’u bërë prapë Thumanë-Rrogozhinë. Por saga qesharake nuk përfundon këtu.

Në një dalje publike vetë ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku tha se kishte anulluar koncesionet e rrugëve Milot Balldren dhe Orikum Dukat, pasi do të behej segmenti i Korridorit Blu. Më pas rezultoi që asnjë nga këto kontrata nuk është anulluar, por thjesht u janë hequr fondet për këtë vit. Ndërsa Thumanë-Kashar- Rrogozhinë sëë fundmi është zëvëndësuar nga varianti Milot-Rrogozhinë-Fier me koncesion dhe me pagese.

Një qeveri, e cila në në një vit të vetëm shpik dhe ndryshon 6 projekte strategjike në rastin më të mirë është strategjikisht qesharake. Në rastin më të keq i ndryshon prioritetet strategjike të vendit sipas parimit kush ofron bakshishin më të lartë. Me sa duket në këtë rast janë të dyja, Fundja korrupsioni të bën edhe qesharak.

Nëse kërkon projekt, dokument apo strategji se si u percaktua gjylja e radhës Milot-Fier të gjithë ngrenë supet dhe sytë duke thënë….e di ai Lart. Kur kërkon informacion se kush është grupi i punës që po merret me këtë proces siç kërkon ligji i partneritetit publik privat, pra komiteti i ekspertëve nga ministruia e financave dhe ajo e infrastrukturës, që duhet duhet të përgatisin studimin e fizibilitetit dhe vlerësimin leverdisshmërisë ekonomike askush nuk e di por të gjithë presin t’ja u sjellë të gatshme privati.

Në ministrinë e Infrastrukturës ka kohë, që flitet se një kompani greke po merret me këtë projekt duke ndryshuar mendje sa herë llogaritë nuk i dalin ashtu siç ndryshojnë dhe deklaratat ministrore që siç duket ndjekin oreksin e privatit te interesuar. Ky projekt, i cili mendohet se do të shkojë mbi 1 miliardë dollarë si rregull duhet të përgatitet me shumë kujdes pasi implikimet buxhetore janë të konsiderueshme dhe në kuadër te ndryshimeve ligjore, që nuk lejojnë me projekte me propozime të pakërkuara shteti duhet të ishte lideri i këtij procesi. Teksa dëgjon deklaratat e ministres se me këtë çeshtje po merret një grup ekspertësh dhe se shumë shpejt do te hapet gara mendon që gjithçka ka përfundur dhe është gati.

Por në ministri të gjithë ngrenë supet. Asnjë studim nuk është përgatitur, askush nuk e di koston e projektit, askush nuk ka bërë llogari të besueshme të trafikut potencial dhe si rrjedhim garancitë financiare që do të paguajë nëse buxheti i shtetit dhe qytetarët shqiptarë. Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se një tjetër aferë e kobshme po pergatitet, ku një kompani e huaj punon për llogari të saj, percakton shifrat sipas interest të saj, madje duke bërë dhe studimin e trafikut dhe kostove, në kundërshtim të plotë më ligjit dhe në konflikt të pastër interesi.

Shkurt askush nga ekspertët dhe zyrtarët e ngarkuar të ministrisë nuk di asgjë. Projektin dhe studimin e fizibiltetit do ja u sjellin të gatshëm për të vënë firmat dhe bashkë me të dhe haraçin që do të paguajë buxheti i shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë. Ky është një film i përsëritur, të cilin shqiptarët e kanë parë njëherë me projektet e inceneratorëve, ku gjithcka u përgatit nga privati në mënyrë obskure dhe korruptive.

Tashmë taksapaguesit po paguajnë faturat e panumërta të aferës korruptive, ndërsa në ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Financave askush nuk di të thotë se sa do të shkojë kosto perfundimtare, që do të paguajë buxheti i shtetit per inceneratoret. Por tani po vjen gjylja korruptive e radhes, Milot-Fier./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne