Montebourg: çfarë metode përdorin amerikanët për të zhvilluar luftë ekonomike kundër nesh?”

Përgjigje e pabesueshme, e ndoshta edhe e paprecedentë, e Arnaud Montebourg – ish-ministër i ekonomisë i Frances – në pyetjen “çfarë metode përdorin amerikanët për të zhvilluar luftë ekonomike kundër nesh?”

 

Këtu është përkthimi (nga unë):

“Ata përdorin mjete ushtarake. Para së gjithash, ata përdorin të gjitha sistemet e përgjimit dhe të inteligjencës që ata ndërtuan pas 11 shtatorit. Ata nuk i përgjojnë terroristët…epo ata sigurisht i përgjojnë dhe kjo është shumë mirë…por ata përgjonin kompanitë e huaja që konkurrojnë me të tyret.

Pra, është shumë e thjeshtë, u bë e qartë në vitin 2014 kur Snowden zbuloi se kishte 75 milionë biseda dhe emaile që ishin shfrytëzuar nga NSA për Francën, për kompanitë franceze. Kur Pierucci – një njeri që duhet të mbajë Legjionin e Nderit sot, sepse mbrojti Francën dhe jo interesat e saj duke pranuar të vuante dy vjet burg të pajustifikuar në burgjet amerikane në çështjen Alstom… kur z. Pierucci u arrestua në Manhatan nga prokurorët i vunë nën hundë 1 milion emaile. Si i morën ata 1 milion email? Me përgjime të paligjshme. 1 milion email: një avokati do t’i duheshin 3 vjet për t’i lexuar ato… kështu që ai nuk mund të mbrohej. Pra, këto janë mjetet ushtarake.

Së dyti, ata kanë një mjet të quajtur ligji ekstraterritorial. Amerikanët përdorin një formë ligji, që është një ligj imperialist, që konsiston në deklarimin e tyre kompetent për çështje që nuk i shqetësojnë aspak.

Shembull: Alstom, një kontratë midis Indonezisë dhe një kompanie franceze. Ata konsiderojnë se ka pasur një shkelje që është bërë në këtë çështje para 10 vitesh dhe e hedhin në gjyq Alstom! Shtetet e Bashkuara nuk janë viktimë, asnjë kompani amerikane nuk është përfshirë në këtë rast. Ata e deklarojnë veten polic të botës duke minuar interesat sovrane. Prandaj kjo është ndërhyrje. E bëjnë në TË GJITHA fushat dhe veçanërisht në fushën ekonomike.

Për shembull ITAR. ITAR është interesant: Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një listë prej 22,000 komponentësh mbi të cilët i japin vetes të drejtën për të autorizuar ose jo eksportin nga një fuqi e huaj. Shembull: blen një llak për ta vendosur në krahun e Rafale [aeroplan luftarak francez] që është në listën ITAR sepse nuk prodhohet në Francë por në SHBA apo gjetkë… për shkak të këtij llaku të vetëm ia lejojnë vetes. të drejtën të thuash: ‘ke të drejtë të eksportosh në filan vend, por jo në këtë sepse është armik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës’. Pse duhet të më interesojë nëse ai është armik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Armiqtë e aleatëve të mi nuk janë domosdoshmërisht armiqtë e mi! Shembull: ata ndaluan eksportin e Rafales në Egjipt për shkak të ITAR. A është kështu dhe pse? Pra, urgjenca jonë duhet të jetë prodhimi i këtyre 22,000 produkteve në Francë… Ose në Evropë, në vendet aleate që janë gjithashtu viktima të ITAR. Kjo është një politikë sovrane.

Mund t’ju tregoj gjithashtu për Aktin e Patriotëve Amerikanë. 2001, 11 shtator, çfarë bëjnë ata? Kur një kompani franceze blihet nga një kompani amerikane, qeveria amerikane ka fuqinë e njëanshme për të kërkuar të gjithë informacionin për një kompani të kontrolluar nga një kompani amerikane. Absolutisht të gjitha informacionet: patenta, teknologji, njerëz, etj. Pa asnjë motivim dhe pa autorizim gjyqësor, që do të thotë se këto janë kërkime të paligjshme.

Kjo është arsyeja pse në çështjen e marrjes së valvulave që pajisin nëndetëset tona bërthamore dhe termocentralet – valvulat Segault që prodhohen në Mennecy, Essonne – ndërhyra duke thënë “Nuk bëhet fjalë që ky biznes të shkojë nën kontrollin amerikan”. dhe tani është një kompani që kontrollohet nga kanadezët. Kanadezët nuk kanë të drejta ekstraterritoriale, nuk është problem të punosh me kanadezët. Por amerikanët janë të ndryshëm sepse janë grabitqarë. Kjo është arsyeja pse thashë ‘nuk bëhet fjalë që Segault, i cili pajis nëndetëset tona bërthamore, t’i japë informacionin tonë një fuqie të huaj’. Sepse kanadezët nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë, nëse e bëjnë është kriminale. Por për amerikanët është ligji ta bëjnë këtë!”

Nga Twitter ,Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne