Ndërron jetë palestinezi me kancer i burgosur nga Izraeli

Një palestinez që vuante nga kanceri, i cili prej katër vitesh ishte i burgosur nga Izraeli, ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare në spitalin në të cilin u shtrua për trajtim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bassam al-Sayih, i diagnostikuar me kancer të eshtrave dhe palcës, ka ndërruar jetë në spitalin Assaf Harofeh në rajonin izraelit Beer Yakov, ku më 12 gusht u shtrua për trajtim, tha në një deklaratë Komiteti i të Burgosurve Palestinezë.

Në deklaratë thuhet se me rastin e fundit, numri i palestinezëve të vdekur në burgjet izraelite nga viti 1967 arrin në 217.

Të mërkurën, Forumi i Gazetarëve Palestinezë, me pjesëmarrje të shumë gazetarëve dhe juristëve, organizoi protestë para Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Gaza për shpëtimin e Sayih, gjendja e të cilët ishte përkeqësuar në masë të madhe.

Palestinezi Sayih u arrestua në tetor të vitit 2015 në Nablus nga forcat izraelite me pretekstin për “përfshirje në vrasjen e një oficeri izraelit dhe shoqes së tij” teksa po shkonte në një seancë gjyqësore të bashkëshortes së tij Muna Ebubekir.

Krahas kancerit në eshtra dhe palcë, Sayih vuante edhe nga inflamacioni kronik në mushkëri. Siç është njoftuar, ai kishte muskuj të dobët të zemrës dhe kishte vështirësi në të ecurit dhe të folurit.

Sipas të dhënave të burimeve zyrtare palestineze, në burgjet e Izraelit ndodhen mbi 5.000 palestinezë, përfshirë 220 fëmijë dhe 500 të mbajtur nën masën e ashtuquajtur “burgim administrativ”.

Përmes “burgimit administrativ”, Izraeli privon palestinezët nga liria nga një deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në informacione të shërbimit informativ. Ky lloj burgimi mund të zgjatet madje deri në 5 vite me vendim të gjykatësit ushtarak pa ngritur aktakuzë, në rast se merret vendim që personi i burgosur “përbën kërcënim për sigurinë e Izraelit”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne