NDËRRON JETË SHKRIMTARI I MIRËNJOHUR – AKADEMIK LUAN STAROVA

Nga: Salim Kadri Kerimi, Shkup

 

Para ca ditëve (më 24 Fror 2022), në Shkup, në moshën 80 vjeçare, ndëroj jetë shkrimtari i mirënjohur dhe miku im i nderuar – akademik Luan Arif Starova. Shfrytëzoj nga rasti, Familjes Starova, miqve dhe lexuesve të tij anembanë Botës, t’ua shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta, duke e lutur Allahun të Plotfuqishëm të ndjerin Luan Starova ta shpërblejë me Xhenet (Parajsë). Në shenjë kujtimi dhe respekti ndaj veprës të tij madhështore (si profesor, diplomat dhe shkrimtar), dhe miqësisë tonë shumë vjeçare, në vazhdim, po e transmetoj versionin shqip të artikullit tim, që me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij, e publikova, në maqedonisht, në Revistën e “Klubit diplomatik”, nga Shkupi („Дипломатски Клуб“, Скопје) – “Diplomatski Letopis”, Nr.10/2020, f.42-36 (“Дипломатски летопис“, бр.10/2020, 43-46).

.

“SHKRIMTAR DHE DIPLOMAT, AKADEMIK LUAN STAROVA

Akademiku Luan Starova lindi më 14 gusht 1941 në Podgradec të Shqipërisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore (në vitin 1943) prindërit e tij, së bashku me fëmijët e tyre, me një varkë kaluan përtej Liqenit të Ohrit për në Strugë. Pas një kohe familja Starova nga Struga u vendos në Tetovë, e prej andej (në vitin 1945) në Shkup, ku edhe sot jetojnë pasardhësit e kësaj familje.

Arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë, në gjuhën maqedonase, L.Starova i përfundoj në Shkup. Gjatë studimeve (gjuhë dhe letërsi frënge) njëkohësisht punoi si gazetar dhe kryeredaktor i gazetës “Mlad borec” (“Млад борец“). Pas diplomimit në vitin 1967, u punësua në “Radio Shkupi”, si gazetar kurse vitin e ardhshëm u bë kryeredaktor i programeve në gjuhën shqipe në Televizionin e Shkupit. Si bursist i Qeverisë franceze, gjatë viteve 1972/1973 L.Starova qëndroi në Paris, për të specializuar gjuhën dhe letërsinë frënge në Univezitetin e Sorbonës. Studimet pasuniversitare i kreu në Zagreb ku i mbrojti tezën e magjistraturës, për Ballkanin në prozën e Guillaume Apollinaire, dhe më pas (në vitin 1978) doktoraturën, në frëngjisht, mbi veprën e Faik Konicës dhe bashkëpunimin e tij me Guillaume Apollinaire (Kjo vepër, nën titullin: “Faȉk Konitza et Guillaume Apollinaire, Une amtitié éuropéеnne“, në vitin 1998, u botua në Paris. Po këtë vit ky libër u botua edhe në Tiranë, në gjuhën shqipe).

L.Starova për disa vite, me angazhime të ndryshme, u punësua në Fakultetin Filologjik të Universitetit “Kirili dhe Metodi”, në Shkup. Gjegjësisht, në vitin 1974 u zgjodh asistent në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë frënge, ndërsa në vitin 1990 u zgjodh profesor i letërsisë frënge, e më pas u emërua për shef të Katedrës të filologjisë dhe letërsisë romane.

Në vitin 1979, L.Starova u zgjodh nënkryetar i Komisionit për marrëdhënie kulturore me botën e jashtmme të RS të Maqedonisë, kryetar i të cilit asokohe ishte shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Mateja Matevski.

L.Starova ishte kryeredaktori i parë i edicionit maqedonas të Gazetës së UNESCO-s dhe anëtar i redaksisë së revistës ndërkombëtare “Ballkan – Forum”.

Një pjesë të karrierës së tij e kaloi në shërbimin diplomatik jugosllav, përkatësisht maqedonas, kur në vitin 1985 u zgjodh ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i RSF të Jugosllavisë në Tunizi dhe në të njëjtën kohë ishte ambasador jorezident (i parë) i RSF të Jugosllavisë në shtetin Palestinez. Pas pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, në vitin 1994 u emërua ambasador i parë i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i vendit tonë në Francë, kur ishte edhe përfaqësuesi i parë i përhershëm i Republikës së Maqedonisë në UNESCO dhe ambasador jorezident në Spanjë dhe Portugali. L.Starova ishte i angazhuar edhe në misionin diplomatik në vendet e Magrebit, në mbështetje të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë dhe anëtarësimit të saj në OKB.

Që nga viti 2003, L.Starova u bë antar i rregullt i Akademisë së shkencave dhe arteve të Maqedonisë (MANU). Që nga viti 2006 ishte antar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që nga viti 2011 anëtar i Akademisë Mesdhetare, me seli në Napoli të Italisë, kurse nga viti 2014 anëtar edhe i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve me qendër në Salzburg të Austrisë. Nga viti 2016 ai ishte anëtar i Shoqërisë shkencore Leibniz, nga Berlini.

Akad. Luan Starova në Maqedoni, Ballkan, Evropë e më gjerë, njihet mbi të gjitha si një nga romansierët më të mirë. Sipas fjalëve të akad. Taki Fiti, L.Starova është Kafka i Maqedonisë. Ai është autor i më shumë se 200 njësive bibliografike, punimeve të ndryshme profesionale dhe shkencore, si dhe përkthime të veprave të disa autorëve të huaj, duke i përfshirë veprat e Jean-Paul Sartre, George Lukacs, Andre Freno, Pablo Neruda, Eugene Gilwick, Edgar Moren, Ismail Kadare, Anton Pashku, e të tjerë. Është autor i studimeve të shumta letrare, monografive, si dhe i librit “Idetë letrare franceze të shekullit të XX”, etj. Ka botuar studime për Guillaume Apollinaire, Andre Freno, Anatole France, Andre Gide, Jean-Paul Sartre, Marsel Proust, Andre Malraux, Albert Camus, Ismail Kadare, Nikos Kazantzakis, e të tjerë. L.Starova është autor edhe i librit “Relacioniet”, i cili në fakt është një studim i raporteve të Ballkanit me letërsitë evropiane. Ai është gjithashtu autor i librave: “Njerëz dhe ura”, “Miqtë”, “Pranvera kineze”, “Barikadat e kohës”, të cilat i shkroi si përshkrime nga udhëtimet e tij në vendet skandinave, Angli, Gjermani, Francë, Spanjë, Turqi, në vendet e Magrebit, SHBA, Kinë, etj. Përmbledhja me poezi e titulluar “Këngët e Kartagjenës” (1991), është vepra e tij e vetme poetike, e cila është botuar edhe në italisht.

Sipas shumë kritikëve letrarë, një vëmendje të veçantë meritojnë romanet e tij të ciklit “Saga Ballkanike” e përbërë nga rreth 20 romane, të cilat zgjuan dhe vazhdojnë të zgjojnë interes dhe kuriozitet të madh te lexuesit brenda dhe jashtë vendit. Shtylla kryesore e këtij cikli është kërkimi i rrugës së kthimit nga mërgimi, rruga që nuk ekziston, e pamundura në rrethana kaq komplekse dhe shumështresore në Gadishullin Ballkanik, ndryshe nga disa autorë të tjerë ballkanikë që e antagonizojnë atë. Pikërisht për këtë, Edgar Moren, do të shkruajë: “Luan Starova është përfaqësues i bashkëjetesës ballkanike, në hapje”.

“Saga ballkanike” e L.Starovës përbëhet nga këto romane: “Librat e babajt” (1992), “Koha e dhive” (1993), “Çelësi ballkanik” (1995), “Muzeu ateist” (1996), “Toka e transplantuar” (1998), “Rruga e ngjalave” (2000), “Kalaja e ngjalave” (2002), “Kalaja e hirit” (2002), “Dhija e flijuar ballkanike (2003),” Ervehe – Libër për një nënë “(2005) , “Dashuria e gjeneralit” (2008), “Kërkimi i Ellen Leibovitz” (2008), “Ambasadat” (2009), “Ambasadat e reja” (2011), “Ballkanobabilonasit” (2014), “Kthimi i dhive” (2016),  “Polifonistët” (2016), “Kufiri” (2017), “Emigranti i Istanbollit” (2019),  “Jeniçerët” (2020) dhe “Gjyshja” (2021).

Në kritikën letrare franceze, “Saga Ballkanike” është e përfshirë në romanet kryesore evropiane dhe për të kanë shkruar shkrimtarë dhe akademikë të mirënjohur, si filozofi dhe sociologu, Edgar Moren, sekretari i përhershëm i Akademisë Franceze, Maurice Druon dhe  antari i Akademisë Franceze për moralin dhe shkencat politike, Antoine Geral, si dhe Victor Friedman, Nulo Minisi, Alain Bosque, Marie-François Allen, e shumë të tjerë.

Akad. L.Starova kryesisht ka shkruarë në gjuhën maqedonase, por një pjesë të veprave të tij i ka botuar edhe në gjuhën e tij amtare – shqipe. Veprat e këtij autori përveç në maqedonisht dhe shqip, janë të përkthyera edhe në rreth 20 gjuhë të tjera. Romanet e përkthyera nga “Saga Ballkanike” jashtë vendit janë të shoqëruara me një sërë mirënjohjesh dhe promovime në Paris, Uashington, Vjenë, Frankfurt, Goteborg, Varshavë, Cyrih, Jena, Zagreb, Ankara, Stamboll, Bukuresht, Sofje, Athinë, Tiranë, dhe qytete të tjera. Romanet nga “Saga Ballkanike”, ndër të tjera, janë të nominuara edhe në listën e ngushtë për çmimet: Romani i huaj më i mirë i botuar i vitit 1997 në Francë; Romani më i mirë evropian – shpërblimi “Jean Monnet”; Romani më i mirë i botuar në polonisht për Evropën Qendrore dhe Lindore – shpërblimi “Angelus”, dhe të tjerë. Akademik. L.Starova është fituese edhe i disa mirënjohjeve dhe çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat: Çmimi “Krste Misirkov”, për gazetari; Çmimi “13 Nëntori” i qytetit të Shkupit, për veprën letrare “Njerëz dhe ura”; Çmimin e Republikës “11 Tetori”, për librin me eseje dhe studime “Afrime”; Çmimi i parë në konkursin e Shtëpisë Botuese “Misla”, naga Shkupi, për romanin “Koha e dhive”; Çmimet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Maqedonisë “Stale Popov”, për roman të vitit, “Librat e babajt” dhe për romanin “Ervehe – Libër për një nënë”; Çmimi “Grigor Prliçev”, për librin më të mirë të përkthyer; Çmimi “Konakët maqedonase”, për romanin e vitit; Çmimi shtetëror “Kliment Ohridski”; “Mirënjohja e Racinit”, për romanin e vitit, si dhe çmimi “Utrinski Vesnik”, për romanin “Ballkanbabilonasit”, si romani më i mirë i vitit. Ai, gjithashtu, është fitues i Çmimit të lartë Francez të dhënë nga Presidenti i Republikës së Francës – Oficer i Legjionit të nderit, dekorata e Presidentit të Republikës të Tunizisë, dekorata e Presidentit të Republikës së Kosovës, Çmimi ndërkombëtar francez Margaret Jursenar, për veprën romaneske. Ai ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Francës. Në qershor të vitit 2003 u shpall qytetar nderi i vendlindjes së tij – qytetit të Podgradecit, Republika e Shqipërisë.

Për filozofin dhe sociologun francez me famë botërore Edgar Moren, “… Luan Starova, … është përfaqësuesi i vërtetë i bashkëjetesës dhe hapjes ballkanike, një njeri që gjatë gjithë jetës mishëroi vëllazërinë ballkanike, pa asnjë mbyllje etnike, duke ju kundërshtuar të gjitha devijimeve ideologjike, po aq kundër çdo sjelljeje të dhunshme etnike dhe fetare…”.

Sipas akad. Taki Fiti, “… Luan Starova nuk është vetëm një romansier, ai është edhe profesor i shquar i letërsisë fraënge dhe asaj krahasuese, i cili… ka një rrëfim të jashtëzakonshëm, në një mënyrë të veçantë karakteristike për të, për ti shpërndarë idetë dhe gjërat për të cilat shkruan dhe krijon”.

Sipas Akad. Ferid Muhiq, “Me romanin Mërgimtari i Stanbollit, autori L.Starova promovohet si një nga njohësit dhe interpretuesit më të mirë të dukurisë së emigrimit si gjendje universale e shpirtit njerëzor”.

Duke shkruar për personazhin dhe veprën e akad. L.Starova, shkrimtari Dimitar Bashevski, ndër të tjera, do të theksojë se, “… vepra e Luan (Starovës – v. e s.k.) buron humanizëm, dhimbshuri dhe tolerancë, dhe këto virtyte në dorëshkrimet e tij burojnë nga krijimtaria e brendshme dhe botëkuptimet e tij të përgjithshme për jetën”.

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne