“Ndihma e Turqisë për Shqipërinë është shumë e çmuar”

Turqia vazhdon të ofrojë ndihmë për Shqipërinë në përballimin e situatave emergjente, pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti që goditi vendin më 21 shtator, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave e Turqisë (AFAD) ka sjellë në Shqipëri 480 çadra të cilat i janë dorëzuar në një ceremoni në Tiranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të Shqipërisë dhe të institucioneve turke në Shqipëri.

Gjatë fjalës në ceremoninë e dorëzimit të ndihmave, zëvendësministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Petro Koçi, tha se çadrat të ardhura nga Turqia për nga cilësia janë shumë të vlefshme, sipas tij, këtë moment që kalojnë familjet shqiptare që janë dëmtuar rëndë nga tërmeti.

“Mirënjohje nga zemra për Republikën e Turqisë për këtë ndihmë që po sjellë në momentet e vështira të popullit tonë. Dua të falënderoj presidentin e Turqisë, ministrin e Jashtëm, në mënyrë të veçantë ambasadorin e Turqisë në Tiranë, zyrën e atasheut ushtarak, AFAD-in, TIKA-n. Ndihma gjithmonë vlerësohet dhe ndaj ndihmës gjithmonë duhet të jemi mirënjohës, por kur ndihma dhe solidariteti vjen në momente të vështira ajo nuk harrohet kurrë”, tha Koçi.

Ai theksoi më tej se “Çadrat e kësaj cilësie janë shumë të dobishme për këtë situatë që kalojnë familjet tona. Ndihma e Republikës Turke, e popullit turk që është më shumë sesa mik për ne është shumë e çmuar, është një ndihmë që ne nuk duhet ta harrojmë kurrë. Bashkë me Turqinë ne i përgjigjemi shumë sfidave globale të sigurisë dhe paqes. Bashkë kemi qenë dhe jemi në shumë misione ndërkombëtare.”

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se pas tërmetit, presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu, shprehën solidaritetin e tyre presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.

“Pas këtij rasti Turqia ofroi ndihmat dhe gjithashtu eksperiencën e saj që ishte kërkuar nga Republika e Shqipërisë. Gjithashtu presidenti Erdoğan dhe kryeministri Rama u takuan në New York dhe më pas biseduan në lidhje me këtë çështje. Me udhëzim të presidentit të Turqisë Erdoğan kanë mbërritur në Tiranë 480 çadra të cilat janë të përshtatshme dhe për të përballuar kushtet klimatike të dimrit dhe me këto çadra mund të strehohen plot 500 familje”, u shpreh ambasadori Yörük.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile të Shqipërisë, Haki Çako, tha se Turqia si vend mik është gjendur pranë Shqipërisë me ndihma në mënyrë të vazhdueshme për përballimin e situatave të ndryshme emergjente.

Secila prej çadrave ka një hapësirë prej 16 metra katrorë dhe strehon pesë persona, ndërsa vlera e çadrave arrin në total në 350.000 euro. Gjatë viteve të kaluara, pas fatkeqësive natyrore institucione të ndryshme turke kanë ofruar dhe shpërndarë ndihma në Shqipëri.

Kujtojmë se Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë u goditën më 21 shtator nga një tërmet me një magnitudë 5.8 sipas shkallës Rihter, i cili u vlerësua nga autoritetet si “tërmeti më i fuqishëm në 20-30 vitet e fundit”. Epiqendra e tërmetit ishte në Detin Adriatik, 30 kilometra në veri të Durrësit, ndërsa u lënduan dhjetëra persona dhe u dëmtuan qindra banesa./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne