Shqiperia

Ndryshon ligji për informimin/Gjoba për të gjithë ata që refuzojnë dhënien e informacionit

Çdo individ apo person përgjegjës në institucionet shtetërore, i cili në bazë të ligjit për informim nuk jep informacionin e kërkuar nga qytetarët apo media, tashmë do të gjobitet me 1.5 deri në 3 milionë lekë të vjetra.

Ky sanksion, i cili më parë, sipas ligjit parashikohej të vendosej vetëm për koordinatorin, me shumë gjasë do të shtrijë më tej ndikimin e tij, pas kërkesës për disa ndryshime në ligjin Për të Drejtën e Informimit, bërë nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Së fundi, kjo zyrë ka kërkuar të bëhen disa ndryshime në ligjin për të Drejtën e Informimit, edhe pas konsultimit me aktorë të shoqërisë civile.

Tashmë sanksionet janë të vendosura kryesisht për kordinatorin e të drejtës për informim dhe ne kemi propozuar që këto sanksione të zhvendosen dhe të jenë të pranueshme nga cdo punonjës i administratës publike në rast se refuzon dhënien e informacionit duke filluar që nga një specialist i thjeshtë deri tek titullari i institucionit, pra për ta ndarë këtë përgjegjësi administrative, deklaroi Ardita Shehaj.

Nene të tjera që janë parashikuar të amendohen në draftin e propozuar prekin koordinatorimn apo programin e transparencës. Kështu, nëse dikur neni i transparencës parashikonte që programi i transparencës të bëhej njëherë në 5 vjet, është kërkuar që të ketë përditësim të rregullt, që do të thotë sa herë një institucion merr një vendim apo miraton një buxhet, ky informacion duhet të jetë publik. Gjithashtu është kërkuar edhe përditësimi i përgjigjeve dhe kërkesave për informacion, jo në 3 muaj siç është bërë deri tani, por menjëherë. Ndërsa një pjesë tjetër ku janë propozuar amendime lidhet me statusin e komisionerit .

Në ligjin për të drejtën e informimit nuk janë të parashikuara kompetencat e komisionerit por janë të parashikuara në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale që është një ligj tjetër që gjithashtu monitorohet nga zyra jonë . Por është parë e arsyeshme që kompetencat e komisionerit për të drejtën e informimit të jenë edhe në këtë ligj dhe është propozuar që të forcohet statusi i komisionerit duke bërë madje dhe vendimet e komisionerit si një titull ekzekutiv,vazhdoi më tej Shehaj.

Shehaj bën me dije se draftligji i propozuar nuk është përfundimtar, ndërsa nenet janë draftuar nga një ekapert gjerman i projektit të binjakëzimit antikorrupsion që ka sot shteti shqiptar dhe një eksperte lokale e mbeshtetur nga OSBE në Tiranë. Ligji do t’i mënshtrohey konsultimit publik dhe pasi të mblidhen opinionet e shoqërisë civile dhe institucioneve të shtetit shqiptar do të konkludohet në një draft përfundimtar. Shehaj bën me dije se Zyra e Të Drejtës së Informimit ka një numër shumë të vogël punonjësisht për fluksin e punës dhe për këtë do të ishte mirë një shtim i stafit, ndërkohë që vëren se ankesat më të shumta të ardhura në zyrë janë ato që kanë të bëjnë me refuzimin e dhënies së informacionit të kërkuar, shumica e të cilave këtë vit janë ankesa për përgjigje të pjesshme.