Rajoni

Në hyrje të shkollave të FETO-së në Bosnje valëvitet flamuri britanik

Institucionet arsimore “Bosna Sema” që pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016 nga organizata terroriste FETO iu shitën një institucioni të quajtur “Global Education” me qendër në SHBA, së fundmi i janë transferuar një institucioni tjetër britanik me emrin “Richmond Park Education”.

Në veçanti, foshnjoret, shkollat fillore, shkollat e mesme dhe universitetet që pësuan humbje të nxënësve dhe iu shitën institucionit amerikan në Bosnjë dhe Hercegovinë për ta ndryshuar imazhin negativ pas tentativës për grusht shteti në Turqi, duke mos u mjaftuar me këtë, sërish kërkuan zgjidhje duke ndërruar pronarin.

Edhe pse drejtuesit e këtyre shkollave që vazhdojnë të zhvillojnë aktivitete në qytete të ndryshme të Bosnjë dhe Hercegovinës mohojnë lidhjen me FETO-n në çdo rast, vëmendje tërheq fakti që pronari i ri shkollave, drejtori i Richmond Park Education, Mehmet Kolukısa, është ish-drejtor i Kolegjit Özel Hay që lidhet me FETO-n në Danimarkë, dhe që personi që shfaqet si përfaqësues i institucionit, Fatih Cingöz, ka qenë në krye të institucioneve arsimore “Feza” të cilat lidhet me FETO-n në qytetin Erbil të Irakut.

Ndërkaq, akademiku Samuel Henry, përfaqësues i Global Education, që më parë gjoja ka blerë institucionet arsimore Bosna Sema, njihet si person i cili në shumë video të mëparshme ka folur fjalë pozitive për kreun e FETO-s, Fetullah Gülen, dhe i cili ka vizituar shkollat e FETO-s. Dredhia në blerjen e Bosna Sema nga Global Education shihet haptazi në transferimin e kësaj shkolle institucionit britanik.

Megjithëse zyrtarët e Bosna Sema çdoherë e kanë mohuar lidhjen me FETO-n posaçërisht pas tentativës për grusht shteti, një reportazh i vitit 2011 i Ali Dokumacı, një nga themeluesit e shkollave, ku ai thotë se “kanë ardhur në Bosnjë dhe Hercegovinë për arsye se kështu ka kërkuar Fetullah Gülen”, është tregues i madh se cilës ideologji i përkasin ky institucion dhe punonjësit e tij.

Bosna Sema provoi çdo rrugë për të reduktuar humbjen e nxënësve dhe për të ndryshuar imazhin negativ tek opinioni në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke ndryshuar dy herë flamurin brenda më pak se dy vite.

Revista javore “Stav” në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk ka ngelur e pazëshme ndaj këtij ndryshimi flamujsh të shkollave të FETO-s.

Sipas një lajmi të revistës, Bosna Sema, duke iu shitur institucionit amerikan, gjeti pronar të ri pasi nuk arriti ta bindë opinionin se nuk kanë lidhje me FETO-n. Në të njëjtën mënyrë, ata kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës në shkollë me disa emra të lidhur me FETO-n, duke synuar të japin mesazhin se nuk kanë lidhje me organizatën.

Në lajm po ashtu theksohet se shkollat kanë synuar ta rrënojnë bindjen rreth asaj se “kush ishte pronari i parë i tyre” duke ndryshuar pronarin dy herë brenda dy viteve të fundit.

Po ashtu, në lajmin e revistës Stav thuhet se ish-zëdhënësi i shtypi i institucioneve arsimore Bosna Sema, Orhan Hadzagic, në një reportazh më herët ka thënë se në mesin e themeluesve të institucionit gjenden Sead Ahmic, Ali Dokumacı, Bayram Halil Ibrahim dhe Hermin Kapetanovic. Fakti që Kapetanovic është ende drejtor i një kolegji në kuadër të Richmond Park Education, është tregues se FETO vazhdon të ushtrojë gjoja veprimtari arsimore në Bosnjë dhe Hercegovinë nën hijen e flamujve të ndryshëm.

Ndërkohë, nëse shikohen llogaritë në rrjetet sociale të punonjësve të këtij institucioni që vazhdimisht mohon lidhjen me FETO-n para opinionit në Bosnjë dhe Hercegovinë, mund të shihet shpërndarja e fjalëve të kreut të organizatës Fetullah Gülen dhe mbështetje për basketbollistin Enes Kanter dhe pjesëtarët e FETO-s që u gjykuan në Turqi për tentativën për grusht shteti.

Emri Fetullah Gülen nuk përmendet dhe librat e tij nuk lexohen në këto shkolla si më parë, veçanërisht pas tentativës për grusht shteti të 15 Korrikut, por në planin e pasëm të shkollës nuk ka ndryshuar asgjë.

“Cili prind dëshiron që fëmija e tij të mësojë te një njeri që vret popullin e vet dhe tenton të kryejë grusht shteti?”, thuhet në lajmin e revistës duke bërë apel te opinioni i Bosnjë dhe Hercegovinës.

Nëse merret parasysh se në ceremoninë e transferimit të shkollave në kuadër të Bosna Sema institucionit britanik mori pjesë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, atëherë duhet shtruar pyetja nëse pala britanike ka informata të mjaftueshme se kush janë në fakt personat që drejtojnë këto shkolla. (AA)

OPINIONE