Në pritje të Sinodit të KOASH për vlerësimin e figurave shqiptare të Orthodoksisë

nga Pirro Prifti.

Në vazhdën e ngjarjeve të rëndësishme me anë të të cilave Komuniteti orthodoks përkujtoi martirët, shenjtorët, dëshmorët, çdo ditë të vitit përkatësisht sipas kalendarit lindor bizantin mund të vërehet vetëm një problem që shumë kujt mund të mos i bjerë në sy, por që fakti përbën një mangësi të madhe për një Kishë Autoqefale, e cila ka 96 vjet e krijua nga imzot Fan Noli i cili u zgjodh Kryepeshkop më (21/11/1923-1924) datë, e cila mund të quhet zyrtarisht si ditëlindja e KOASH-it dhe dita e ndarjes zyrtare nga kisha bizantine e greke.

Pavarësisht marrjes së Tomosit më 1937 nga i dërguari shqiptar Kryepeshkopi Kristofor Kissi, e cila quhet sot nga Kisha jonë si datë zyrtare, në fakt është Fan Stilian Noli, arkitekti dhe themeluesi i Kishës sonë Autoqefale Orthodokse të Shqipërisë. Sidoqoftë përveç përkthimeve ekselente të psalmeve fetare nga imzot Fan Noli, përveç fillimit të Predikimit në shqip në të gjitha kishat tona orthodokse, ka mbetur vetëm një re e zezë në horizontin e hapur të KOASH: vlerësimi i figurave religjioze Shqiptare dhe i kontribuesve celebritete të intelektualëve shqiptarë që ngritën lart dhe mbrojtën vlerat e krishtërimit në Shqipëri.

Për këtë qëllim intelektualët orthodoksë të Tiranës dhe ish bashkëthemeluesit e KOASH i dërguan Fortlumturisë së Tij Anastas një letër që në korrik 2015, në të cilën theksohej që KOASH duhet të ngrinte një Komision për të vlerësuar Figurat që kanë kontribuar në mbrojtjen, ruajtjen e krishtërimit orthodoks dhe të trashëgimisë së orthodoksisë shqiptare, por nuk morën asnjë përgjigje. Për këtë arsye, një nga bashkëthemeluesit e Lidhjes së intelektualëve orthodoksë, Prof, Pirro Prifti dha dorëheqjen. Megjithë përpjekjet e vazhdueshme dhe përplasjet me disa nga drejtuesit e KOASH, si i respektuari Andoni si drejtues në Elbasan, i respektuari Asti me të cilin patëm përplasjet më të ashpra intelektuale aq sa sot na ka mbyllur dhe facebook-un, dërguam dhe një Promemorie KOASH-it për këtë Problem.

Kjo Promemorie e dërguar me dt.25 tetor 2018 dhe 2 javë më vonë dërguar Patriarkanës së Kostandinopojës z. Bartholomeu, e përsëritur disa herë në facebook-un e intelektualëve të Tiranës, pati një jehonë të madhe në internet dhe atë e kanë parë mbi 50.000 individë jo vetëm orthodoksë por edhe ateistë, katolikë, myslimanë dhe protestantë të Shqipërisë dhe jashtë saj. Më kritikët kanë qenë çuditërisht disa minoritarë grekë ose më mirë pseudo minoritarë grekë, qëllimet e të cilëve fatkeqësisht dihen por kamuflohen me pretekstin e kritereve të përcaktimit të vlerësimeve të shenjtorëve, martirëve, heronjve, dëshmorëve, kritere që sigurisht KOASH duhet ti respektojë, por të përdoren po ashtu si i kanë vendosur shenjtorët e tyre kishat sllave dhe greke orthodokse dhe kisha të tjera lindore të cilat krahas respektit dhe nderimit ndaj shenjtorëve e martirëve të përgjithshëm orthodoksë, – kanë vendosur dhe heronjtë, martirët, oshënarët, dëshmorët e vendeve të tyre përkatëse, duke dëshmuar se Orthodoksia, krahas qenies si një religjion gjithëpërfshirës që nuk njeh Etni dhe Rracë por Zotin Jezu Krisht, ka dhe anën e saj patriotike atdhetare duke konfirmuar thënien e Shën Palit se: Predikimi në gjuhë të huaj në një popull që nuk e njeh atë gjuhë është njëlloj si kumbimi i Këmbane bosh e pa kuptim. Pra etnia në këtë rast merr karakter thelbësor në përhapjen e doktrinës së krishtere në gjuhën e mëmës. Për këtë qëllim Roli i Theofan Stilian Nolit (Mavromati) është Hyjnor.

Idea jonë ka qenë dhe mbetet në terrenin e respektimit e ligjeve shtetërore dhe religjioze dhe kryesisht në këto pika:

1. Ngritjen e një Komisioni të posaçëm për të vlerësuar figurat e ndritura të Komunitetit Orthodoks të Shqipërisë. Vlerësimi i figurave të ndritura të Orthodoksisë së Shqipërisë propozojmë të bëhet me dy mënyra:

– Ngritjen e një Muzeumi të “Intelektualëve dhe Klerikëve të Orthodoksisë që kanë dhënë kontribute të shkëlqyera për lirinë, pavarësinë e Shqipërisë dhe Autoqefalin e Kishës Shqiptare”, mbrojtjen e Krishterimit Orthodoks në Shqipëri dhe ruajtjen e traditave orthodokse,

– Miratimin e shenjtërimeve, martirëve, dëshmorëve, oshënarëve, dhe vendosjen në Kalendarin Orthodoks të këtyre Figurave të ndritura të Orthodoksisë së Shqipërisë-Arbërisë dhe Epirit pas paraqitjes së veprave të tyre para Sinodit:

– Gjergj Kastrioti-Skënderbeu si Shenjtor -i Kishës Autoqefale Orthodokse të Shqipërisë.

– Fan Stilian Noli (Mavromati)-Dëshmor i KOASH.

– Kristofor Kissi-Dëshmor i KOASH.

– Visarion Xhuvani-Dëshmor i KOASH.

– Papa Kristo Negovani-Dëshmor i KOASH.

– Mihal Grameno-Dëshmor i KOASH.

– At Stath Melani -Dëshmor i KOASH.

– Të tjerë të propozuar nga KOASH.

E gjithë kjo përpjekje bëhet me qëllim që krahas ringjalljes së fesë në Shqipëri e për pasojë dhe fesë ortodokse, të shkatërruar pabesisht dhe qëllimisht me dt. 5 shkurt 1967 të gjitha kishat dhe manastiret orthodose të asaj kohe gjithsej rreth 600 ndërtesa, orthodoksia në Shqipëri të ketë edhe heronjtë e saj jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe jashtë saj, ku jetojnë shqiptarë, qofshin ata të krishterë orthodoksë, qofshin arbër të sllavizuar apo të greqizuar, qofshin ata arbër dhe epirotë të islamizuar.

Ka ardhur koha që të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, qofshin ata orthodoksë, ateistë, myslimanë por edhe katolikë e protestantë, të dëgjojnë predikimin ndaj Zotit në gjuhën hyjnore shqipe apo arbër&arvanitase. Të shohim vetëm një rast nga ana e Kishës Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë: Përse KOASH nuk e ka vlerësuar deri tani kontributin e jashtëzakonshëm të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe ta vendosë atë jo vetëm në Kalendarin Orthodoks, por edhe në ditët për të përkujtuar çdo vit heroizmin e tij dhe të bashkëluftëtarëve të tij që dhanë jetën për të ruajtur atdheun, dhe religjionin, lirinë?! Por kjo është farë pak në raport me atë që ka dhënë Heroi Kombëtar jo vetëm për lirinë e atdheut por e rëndësishme për komunitetin orthodoks është vlerësimi i kësaj figure nga KOASH sepse familja Kastrioti njihet si një familje ortodokse, e cila së bashku me popullin e saj me princërit e asaj kohe luftuan kundër pushtuesit osman dhe u përpoqën fort për të ruajtur atdheun dhe fenë.

Si ka mundësi që Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë të hezitojë për të vlerësuar në rrugë religjioze ashtu si veproi para 550 vitesh Papa i Romës, Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, babai i të cilit, Gjon Kastrioti, vëllezërit Reposh dhe Kostandin Kastrioti, janë varrosur në Manastirin e Hilandarit në Malin Athos (Mali i At-it)? E vështruar nga kjo pikëpamje KOASH nuk ka bërë shumë madje mund të themi se ka bërë pak për Heroin tonë Kombëtar, i cili është edhe i komunitetit orthodoks shqiptar, por dhe për të tjerë.

Për këtë arsye, Promemoria drejtuar KOASH është dërguar për të krijuar një Komision, i cili do të vlerësojë figurat e ndritura religjioze shqiptare klerikale dhe jo klerikale por që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e fesë dhe të Atdheut. As më pak as më shumë seç kanë bërë disa nga figurat e respektuara religjioze të fqinjëve, respektivisht greke dhe sllave: të Shën Nektarit, Shën Kozmait, At Paisit dhe Car Llazarit.

Argumenti është se secili respekton njeriun e tij dhe jo t’ua lërë vetëm të tjerëve. Në këtë aspekt, shumë vende të tjera të Lindjes dhe të Perëndimit kanë vlerësuar figurat religjioze si nga ana shtetërore, pra si të themi laike, ashtu dhe nga ana religjioze, përsa i përket anës shpirtërore të të cilëve u përkasin heronjtë.

Komuniteti orthdoks shqiptar, por dhe ai i huaj presin të ngrihet një Komision për të vlerësuar dhe vendosur në Kalendarin Orthodoks emrin e lavdishëm e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sepse figura e tij në mos është totalisht e barabartë me shenjtorët, martirët, dëshmorët bizantinë të orthodoksisë, mendoj se ua kalon çdo njërit nga ata për nga vepra e tij madhështore dhe heroike. Vlerësimin e tij e presim me padurim ndryshe do të vërtetohet thënie e Testamentit të Ri se: “Heroi vlerësohet gjithkund, përveçse në vendin e tij”, dhe këtu bëhet fjalë për bashkësinë orthodokse të Shqipërisë. Ky Sinod i ardhshëm do të jetë besoj një gur prove për klerikët e sotëm ortodoksë, të cilët krahas përkushtimit ndaj Zotit duhet të jenë dhe patriotë, ashtu siç janë simotrat dhe si vëllezërit e tyre grekë apo sllavë për vendin e tyre.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne