Nënshkruhet marrëveshja Turqi-Shqipëri për ndërtimin e 500 njësive të banimit

Sot në Tiranë u nënshkrua protokolli në lidhje me ndërtimin e 500 njësive të banimit, projekt të cilin Turqia do ta realizojë me udhëzim të presidentit Recep Tayyip Erdoğan pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin më 26 nëntor të vitit të kaluar.

“Protokolli i bashkëpunimit në fushën e ndërtimit të banesave pas fatkeqësisë” u firmos nga ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizmit, Murat Kurum, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri, dhe ministri i Shtetit për Rindërtim i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, pasi Kurum fillimisht u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Në ceremoninë e firmosjes të pranishëm ishin kryeministri shqiptar Rama, ministri turk Kurum, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ministri Ahmetaj, kryetari i agjencisë shtetërore turke të banimit – TOKI, Ömer Bulut, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, dhe zyrtarë të tjerë.

Në deklaratën e përbashkët me kryeministrin Rama para firmosjes së protokollit, Kurum tha se me qëllim për t’ua shtrirë dorën e ndihmës vëllezërve shqiptarë, Turqia me udhëzim të presidentit Erdoğan menjëherë pas tërmetit bëri përpjekje të veprojë në terren përmes institucioneve si UMKE, AFAD, Gjysmëhëna e Kuqe dhe njësitë e ministrisë të cilën e drejton.

Kurum theksoi se punimet për realizimin e projektit për ndërtimin e 500 njësive të banimit po vijojnë me shpejtësi.

“Shpresojmë që deri në fund të janarit ministrat përkatës të bëjnë dorëzimin e truallit. Siç tha edhe kryeministri (Rama), ky është një master plan në të cilin në etapa do të realizohet një projekt i rëndësishëm, një vendbanim i ri në Shqipëri, me infrastrukturë, objekte sociale që do të reflektojnë kulturën shqiptare. Me ndërtimin e 500 banesave, ne do të realizojmë etapën e parë”, tha Kurum.

Ministri turk tha se ekipet dhe njësitë turke do të punojnë në koordinim me palët relevante shqiptare për mbështetje në aspektin teknik.

“Kjo që bëmë sot dhe ato që do t’i bëjmë në të ardhmen janë pjesë e marrëdhënieve vëllazërore. Populli turk gjithmonë ka qenë pranë popullit shqiptar dhe do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen”, tha Kurum.

– Rama: Jemi në fazën e dytë të projektit

Nga ana tjetër, kryeministri Rama tha se ashtu siç është përmendur dje në konferencën për media midis dy ministrave, tani gjenden në fazën e dytë të këtij projekti.

“Janë 500 njësi të reja banimi që ndërtohen nga miqtë të ardhur nga Turqia me porosi të presidentit Erdoğan, dhe ne kemi zgjedhur pikërisht zonën e Laçit, ku besojmë se me këtë projekt do t’i hapim rrugën transformimit rrënjësor në funksion edhe të qëllimit tonë që njerëzit që humbën shtëpitë të kthehen në shtëpi edhe më të mira sesa ato që humbën”, tha Rama.

Rama theksoi se zëvendësimi i godinave të rrënuara do të jetë në të njëjtën kohë edhe një transformim i rëndësishëm i gjithë situatës urbane, duke shtuar se me ministrin turk kanë folur për një plan më të gjerë, ku nga njëra anë TOKI do t’i bëjë të mundura 500 njësitë e banimit, kurse nga ana tjetër pala shqiptare do të angazhohet me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për infrastrukturën dhe hapësirat publike.

Kryeministri shqiptar tha se krahas kësaj, do të punohet edhe për zgjidhjen përfundimtare për përmbytjet në zonën e Laçit, ku do të zbatohet një program nga të dyja palët./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne