Shqiperia

Nis Revolucion i Madh Kulturor nga Lushnja, Rama si Mao Ce Dungu

Kur nisën punën në mëngjes këtë të premte, punëtorët e gjelbërimit të Lushnjës nuk po i besonin syve. I kishin thënë që do vinte udhëheqja për aksionin e pastrimit, por nuk e mendonin se do t’ia merrnin qeskat, thasët dhe korrëset e barit për t’i lënë pa punë.Në videon e aksioni të pastrimit në Lushnjë, që shfaq Lapsi.al, Erjon Braçe shfaqet i mbuluar nga një xhup jeshil, tip kamuflazh të përshtatshëm për gjueti. I futur mes gërmadhave të rrethrrotullimit të vjetër të qytetit bisedon me drejtoreshën e bashkisë ndërsa mban të varur në duar dorezat plastike.

“Ej ajt ma vë n’çikë ktë”. Ben Ahmetaj, Ministër Financash shfaqet me një korrëse bari plot zhurmë, teksa i kërkon ndihmë punëtorëve të bashkisë. Me motorrin ndezur, Ben Ahmetaj zgjodhi punën më të vështirë, ta bëjë për të qeshur të gjithë grupin.

Niko Peleshi qëndroi diku i veçuar. Me një thes të zi plastamasi në dorë kërkonte cepave për ndonjë plehrë a ndonjë mbeturinë.

Vendi ku qëndruan ministrat nuk zihej me dorë prej vitesh. Ishte mbushur me hedhurina, shkurre e kushedi tjetër. Ndonjëherë i hynte në punë burrave të dehur të Lushnjës kur dilnin natën nga lokalet. Sot ishte plot ministra dhe punonjës të bashkisë, socialistë të zellshëm që nuk i shmangen thirrjeve të udhëheqjes për aksione.
Ishte aty edhe nënkryetari i Bashkisë, drejtoresha e gjelbërimit dhe punonjës që kishin lënë zyrat bosh. Të gjithë me doreza në duar bënin sikur pastronin. Me barkun që i kërcen nga shëndeti, kryetarit të Bashkisë, Fatos Tushes i lanë pritjen për shefin e madh.
Si në çdo qytet, Edi Ramën e presin me ankth. Ia kanë frikën manisë dhe skenave të papritura që ia jep truri kryeministrit.

E emocionuar nga vizita, drejtoresha e Bashkisë duket në video që shtrëngon duart dhe i uron mirëseardhjen edhe Fetiut, truprojës së Edi Ramës.
Të bën habi në video, se sapo shfaqet Timonieri i Madh ideatori i aksionit, puna merr hov.
“O Beno hape krahu o vlla, hapeeee!” Erjon Braçe dëgjohet të bërtasë si ekspert i krasitjes. Ben Ahmetaj tani ka hyrë mes shkurreve më të vështira dhe shtyn me forcë duke shtuar rrapëllimën e mjetit që buçet gjithandej. Vini re në video punonjësit e Bashkisë që përplasen e shtyhen me njëri-tjetrin, ulen për të mbledhur mbeturina dhe kokën e mbajnë nga Rama, të hutuar me atletet, tutat, bluzën jegjile dhe xhupin gjigand, nga ku del koka e thinjur si shkumës.Vetëm ai, i urti, i binduri Niko Peleshi shtron kurrizin në punë dhe pa bërë zë, mbush me të njëjtin përkushtim thesin e zi.“Beno hajde ikim për kafe” Kur Ramës nuk i shijon më, komedia merr fund. Nga lolo bëhen prap ministra, deputetë, drejtues bashkie, çlirohen nga thasët, hedhin dorezat, i kthehen sërish qëndrimit pompoz që i jep pushteti, për të vrapuar drejt makinës së kryetarit.
Për qytetarët e Lushnjës nuk pati asnjë ngjarje. Aksioni i pastrimit i ideuar nga Rama ishte një aktivitet i mbyllur, i shkëputur nga jeta e përditshme e qytetit. Askush nuk iu bashkua vullnetarisht nismës qesharake të qeverisë, sepse askush nuk do të bëhet objekt i talljes dhe ironisë për servilizmin ekstrem ndaj një pushteti të izoluar dhe të ndarë prej kohësh nga nevojat dhe  hallet e njerëzve. Shikoni videon me poshte.

 

OPINIONE