Nuk kanë të përfunduar shkarkimet dhe dorëheqjet në kabinetin e Trumpit

Me dorëheqjet dhe shkarkimet në javën e fundit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka ndarë rrugët me 13 zyrtarë të lartë dhe ka ulur pozicionin e një zyrtari tjetër në vetëm shtatë muajt e parë të qeverisjes së tij.

Që nga marrja e detyrës më 20 janar nga paraardhësi i tij Barack Obama, Donald Trump është përfolur si me dekretet kontraverse që ka firmosur, ashtu edhe me mospajtimet që ka përjetuar me ekipin e tij.

Mosmarrëveshjet brenda ekipit të tij kohë pas kohe janë përhapur edhe në mediume, ndërsa kjo ka shkaktuar të vlerësohet se brenda Shtëpisë së Bardhë mbizotëron një mjedis kaotik.

Dorëheqja e parë ndodhi në Departamentin e Drejtësisë

Plasaritja e parë në administratën e Donald Trumpit erdhi me firmosjen e dekretit që ndalonte udhëtimin për shtatë vende muslimanë, një javë pas ardhjes në detyrë.

Sally Yates, zëvendëse në Departamentin e Drejtësisë, u dha urdhrin avokatëve të departamentit që në gjykata të mos e mbrojnë dekretin e Donald Trumpit për ndalesën e udhëtimit.

Pas kësaj, Trump shkarkoi Yates-in vetëm dhjetë ditë pas ardhjes në detyrë, duke e kritikuar atë për “keqpërdorim të detyrës”.

Megjithatë, për shkarkimin e saj nuk u debatua aq shumë, për arsye se ishte në detyrë të përkohshme të kreut të Departamentit dhe zyrtare e ngelur nga mandati i Obamas.

Dorëheqja e Michael Flynn inicioi “rënien e gjetheve”

Gjenerali i pensionuar Micahel Flynn, njëri nga figurat më të besueshëm të Trump gjatë garës së tij presidenciale përsa i përket temave të politikave të jashtme dhe sigurisë, u bë emri më i afërt për Këshilltar të Sigurisë Kombëtare.

Flynn, i cili njihej veçanërisht me qëndrimin e tij kundër Iranit, konsiderohej si “arkitekti i Trumpit i politikës së Lindjes së Mesme”.

Para fillimit të detyrës, në media u raportua se Flynn është takuar me ambasadorin e Rusisë në Washington Sergei Kislyak gjatë fushatës presidenciale dhe ka folur lidhur me sanksionet ndaj Rusisë.

Edhe pse Flynn pranoi se është takuar me ambasadorin rus, ai mohoi të ketë biseduar lidhur me sanksionet, duke e informuar edhe Shtëpinë e Bardhë në këtë mënyrë.

Ndërkaq, pas ardhjes në detyrë, u zbulua që Flynn të ketë folur me Kislyak për sanksionet. 23 ditë pas ardhjes në detyrë, Flynn u detyrua të japë dorëheqje për keqinformim të Shtëpisë së Bardhë.

Flynn në këtë mënyrë inicioi “rënien e gjetheve” në Shtëpinë e Bardhë. Thuhet se ai i hodhi themelet e ndryshimeve në postet e administratës së Donald Trump.

Ndryshimi i dytë në Këshillin e Sigurisë së Lartë erdhi katër ditë pas dorëheqjes së Flynn.

Craig Deare, pjesë e ekipit të Flynn dhe drejtor i Hemisferës Perëndimore të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, u shkarkua 27 ditë pas ardhjes në detyrë, për arsye se i shpalosi politikat e veçanta të qeverisë në një think tank.

Ndërkaq, zyrtari i tretë i lartë që u nda nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare ishte zëvendëskëshilltarja e Sigurisë Kombëtare, K.T. MacFarland.

MacFarland, e cila njihej si emri më i afërt i Flynn, ngeli e detyruar të dorëhiqet pasi në vend të Flynn u emëruar H.R. McMaster, të cilit Trump i dha kompetencë të formojë ekipin e tij.

Një tjetër dorëheqje në Këshillin e Sigurisë Kombëtare ndodhi rishtazi, me njoftimin se nga detyra javën e kaluar është ndarë Derek harvey, këshilltar në këshill për Lindjen e Mesme.

Siç u bë e ditur, Harvey është larguar nga detyra nga ana e McMaster, pasi në këtë detyrë kaloi 187 ditë.

Harvey ishte sjellë në detyrë nga ana e Flynn, ndërsa llogaritej emër i rëndësishëm në politikat ndaj Iranit.

Kaosi përfshin drejtorinë e komunikimit dhe drejtorinë e stafit

Që nga ardhja në detyrë, Trump ka ndërruar një shef të stafit të Shtëpisë së Bardhë, një zëvendësshef të stafit dhe tre drejtëorë të komunikimit.

Emri i parë që Trump solli në detyrë pas fitores në zgjedhje ishte Reince Priebus, shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë.

Para kalimit në Shtëpinë e Barhdë, Priebus ishte kryetar i Komitetit Kombëtar të Partisë Republikane.

Pas 189 ditëve në detyrë, Priebus përjetoi mosmarrëveshje me Donald Trump, pas emërimit të Anthony Scaramuccit si drejtor i Komunikimit të Shtëpisë së Bardhë.

Trump njoftoi se në vend të Priebus ka emëruar sekretarin aktual të Sigurisë së Brendshme, John F. Kelly.

Ndërkaq, zëvendësja e Priebus, Katie Walsh, e cila u soll pas largimit të tij, dha dorëheqje pas 70 ditëve në detyrë, për shkak të mosmarrëveshjeve në Shtëpinë e Bardhë.

Departamenti me më shumë ndryshime gjatë periudhës shtatëmujore të Trumpit u bë Drejtoria e Komunikimit.

Pas fitores në zgjedhjet presidenciale, u njoftua se Trump do të sjellë Jason Millerin si drejtor të Komunikimeve. Jason Miller kishte luajtur rol të rëndësishëm në strategjinë e komunikimit gjatë fushatës zgjedhore.

Megjithatë, vlerësimi lidhur me Miller u tërhoq mbrapa, ndërsa në vend të tij u soll Mike Dubke, i cili ngeli në detyrë për 86 ditë. Ai hyri në listën e zezë të Trumpit për mbrojtje të pamjaftueshme të presidentit pas largimit nga detyra të shefit të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), James Comey.

Pas dorëheqjes së tij Dubkes në fund të muajit maj, pozitën e tij përkohësisht e mori Sean Spicer, i cili ishte sekretar i shtypit. Edhe Spicer njoftoi dorëheqjen pas emërimit të Scaramuccit si drejtor i Komunikimit.

Përflitej se Trump kishte qenë i shqetësuar nga paraqitja e Spicerit në 183 ditët sa ishte në detyrë. Spicer nxiti debate të mëdha veçanërisht me deklaratën e tij teksa po kritikonte regjimin e Asadit, duke thënë se “madje as Hitleri nuk ka përdorur armë kimike ndaj hebrejnve”.

Pas Spicerit, dorëheqje dha edhe Michael Short, pas thashethemeve se do të dëbohet nga Scaramucci.

Edhe Bannon pjesë e kaosit

Figura më e debatuar e Shtëpisë së Bardhë në administratën Trump ishte djathtisti ekstrem Stephen Bannon, kryekëshilltar, të cilin Trump e bëri anëtar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke e larguar nga këshilli shefin e shtatmadhorisë Joseph Dunford, gjë që nxiti debate.

Në muajin prill, Bannon u largua në shkarkua në heshtje nga anëtarësia e Këshillit të Sigurisë, ndërsa Duford sërish u bë anëtar i tij. Në këtë ndryshim, rol thuhet të ketë McMaster.

Shkarkimi i drejtorit të FBI-së, Comey

Pohimet se Rusia ka ndërhyrë në favor të Trumpit në zgjedhjet presidenciale në SHBA, nuk kanë pushuar që nga mbrëmja e 8 nëntorit.

Drejtori i FBI-së, James Comey, zyrtar i emëruar nga Obama, para zgjedhjeve kishte njoftuar para Kongresit rihapjen e hetimeve për Hillary Clinton lidhur me përdorimin e postës elektronike private gjatë detyrës si sekretare e Shtetit, gjë që u theksua të ketë ndryshuar kursin e zgjedhjeve në favor të Donald Trump.

Trump kishte lejuar që Comey të vazhdojë detyrën edhe pas fitimit të zgjedhjeve. Pas 110 ditëve në detyrë, Comey u shkarkuar për, siç u tha, mosreagim ndaj kërkesës së Trumpit për rrëzimin e hetimit ndaj Flynn.

Edhe pas 14 ndryshimeve të posteve në vetëm 7 muajt e parë në Shtëpinë e Bardhë, turbullira në administratën Trump nuk duket se ka të përfunduar.

Bindjet janë të mëdha se nga detyra do të largohet Jeff Sessions, sekretari i Drejtësisë, i cili u përfol për hetimin lidhur me Rusinë. Krahas tij, thuhet se në shënjestër të Trumpit është edhe Robert Mueller.

Krahas tyre, figura tjetër që pritet të ndahet nga detyra thuhet të jetë këshilltari i Sigurisë Kombëtare, H.R. McMaster, ndërsa në vend të tij flitet se do të sillet drejtori i CIA-s, Pompeo.

Figurat që kanë refuzuar propozimin e Trumpit për emërim

Krahas shkarkimeve dhe dorëheqjeve, ka edhe prej personave që kanë refuzuar propozimin për të qenë zyrtarë të lartë.

Në mesin e tyre është Gjenerali Rober Harward, i cili u propozua për këshilltar të Sigurisë Kombëtare në vend të Andrew Pudzer dhe Flynn. Ai nuk pranoi detyrën për arsye familjare dhe financiare.

Emër tjetër që refuzoi detyrën ishte Philip Bilden, i cili u propozua nga Trump si sekretar i përgjithshëm i Flotës.

114 ulëse boshe në administratën Trump

Teksa në shtatë muajt e parë të qeverisjes 33 zyrtarë, përfshirë edhe sekretarë, kanë marrë miratim nga Senati, 63 zyrtarë ende presin miratimin.

Krahas kësaj, thuhet se 114 pozita në administratën e Trumpit janë të zbrazëta.

Në periudhën e njëjtë të Barack Obamas, emërimi i 126 zyrtarëve kishte përfunduar, kurse 43 prisnin miratimin.

Gjersa një kuadër prej 22 zyrtarësh të lartë, përfshirë sekretarë, përfaqësuesin e përhershëm në OKB dhe drejtorë të agjencive, janë emëruar, nga 19 zëvendëssekretarë vetëm pesë pozita janë të zëna, kurse dhjetë prej tyre presin miratim.

Po ashtu, nga 169 pozita sekretarë të përgjithshëm, sekretarë shtetëror dhe ndihmës të tyre, vetëm gjashtë janë të zëna, kurse 53 presin miratim.

Krahas kësaj, thuhet se në Departamentin e Shtetit, në të cilin janë sjellë shkurtime buxhetore, ka deficite të mëdha në operacionet e jashtme.

Mësohet se 55 nga 188 pozicione ambasadorësh të SHBA-ve janë të zbrazëta, teksa vazhdon procesi i miratimit për 40 prej tyre./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne