Shqiperia

“Nuk përcaktoi kushte të reja”, Ambasada Amerikane reagon pas vendimit të BE për Shqipërinë

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me vendimin e djeshëm të Këshillit Europian, i cili votoi kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë në BE, duke shpërndarë deklaratën e DASH.

Ambasada ka postuar në ‘Facebook’ reagimin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku ky i fundit shprehte zhgënjim për vendimin e BE. Sipas DASH, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritonin ‘PO’-në për çeljen e negociatave.

“Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër”, thuhet në reagimin e DASH.

POSTIMI I AMBASADES AMERIKANE
Konkluzionet e Këshillit Europian për Zgjerimin – Deklaratë e Morgan Ortagus, Zëdhënëse e Departamentit të Shtetit:
Shtetet e Bashkuara mbështesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë. Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër.

Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar. I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor./balkanweb

OPINIONE

INTERVISTA