Pakistan – Qureshi: Nëse tensioni do të ulet, mund të dorëzojmë pilotin indian

I ftuar special në kanalin televiziv pakistanez “Geo News”, Qureshi bëri vlerësime të rëndësishme në lidhje me tensionin ndërmjet vendit të tij dhe Indisë duke thënë se Kryeministri Imran Khan është i gatshëm për të biseduar me homologun e tij indian, Narendra Modi.

“Khani është i gatshëm për të biseduar në telefon me Modin dhe për të rikonfirmuar propozimin e tij për paqe. Po Modi a është i gatshëm vallë? Nëse tensioni do të ulet, ne mund të dorëzojmë pilotin indian. Jemi të hapur për kontakte pozitive të çdollojshme”, tha ai.

“Ne jemi gati të flasim me Indinë edhe për terrorizmin. Ju doni të vini në rrezik stabilitetin dhe paqen rajonale për qëllime politike. Këtë mund ta bëni për politikë, por historia nuk ju fal kurrë. Objektivi ynë më i rëndësishëm është paqja dhe stabiliteti”, shtoi kryediplomati pakistanez.

Qureshi u ndal gjithashtu mbi ftesën që i është dërguar ministres indiane të Punëve të Jashtme, Sushma Swaraj, për të marrë pjesë si e ftuar nderi në mbledhjen e Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) që do të organizohet në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

“India s’është as anëtare e OBI-t dhe as një vend me statusin e vëzhguesit. Bisedova me ministrin e Punëve të Jashtme të EBA-s dhe i komunikova atij rezervat e Pakistanit në lidhje me këtë vendim duke i thënë gjithashtu se duhet të këshillohen më parë edhe me ne”, komentoi ai.

Tensioni ndërmjet Indisë dhe Pakistanit filloi të përshkallëzohet dy javë më parë.

Më 14 shkurt, 44 ushtarë humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi me bombë ndaj një autokolone paramilitare në Indi. Nju-Delhi zyrtar fajësoi Pakistanin për këtë sulm, ndërsa Islamabadi e dënoi aktin në fjalë dhe refuzoi kategorikisht akuzat indiane.

Më 26 shkurt, India organizoi sulme ajrore ndaj objektivave terroriste në anën pakistaneze të Vijës së Kontrollit të Kashmirit.

Kurse mëngjesin e 27 shkurtit, pas tensionimit ndërmjet dy vendeve, Pakistani rrëzoi dy avionë luftarakë indianë me justifikimin se kishin dhunuar hapësirë ajrore pakistaneze duke kapur të gjallë edhe njërin prej pilotëve.

India gjithashtu bëri me dije se kishte rrëzuar një avion luftarak pakistanez, por Islamabadi nuk e konfirmoi këtë lajm.

Pas deklaratave të qeverisë dhe ushtrisë pakistaneze se nuk duan që situata të përshkallëzohet, tensioni ia la vendin një pritjeje të kujdesshme. Ndërsa vende si Turqia, Gjermania, Anglia, Kina dhe Rusia u bënë thirrje palëve që të veprojnë me seriozitet dhe vetëpërmbajtje./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne