Bota

Pakistani hakmerret kundër SHBA-së, vendos kufizime udhëtimi për diplomatët amerikanë

Përgjigja dhëmb për dhëmb erdhi një ditë pasi Uashingtoni vendosi kufizime të ngjashme ndaj diplomatëve pakistanezë të vendosur në SHBA.

Pakistani të premten vendosi kufizime reciproke udhëtimi për diplomatët amerikanë të vendosur në qytetet pakistaneze, një lëvizje dhëmb për dhëmb që ka gjasa të acarojë edhe më tej marrëdhëniet e akullta midis dy ish aleatëve në të ashtuquajturën luftë kundër terrorizmit, njoftuan zyrtarët dhe mediat vendase.

Ky veprim erdhi disa orë pasi administrata Trump vendosi një ndalim për lëvizjen e diplomatëve të Pakistanit të vendosur në Shtetet e Bashkuara, duke i detyruar ata që të qëndrojnë vetëm brenda një hapësire prej 40 kilometrash në qytetet ku janë vendosur. Sipas protokollit të ri, i cili hyn në fuqi të premten, diplomatët pakistanezë duhet të kërkojnë leje nga Departamenti i Shtetit pesë ditë para nëse kanë në plan të vizitojnë një qytet tjetër.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme Pakistaneze, diplomatët e SHBA-së tani do të përballen me kufizime të ngjashme të udhëtimit në Pakistan. Gjithashtu, ata nuk do të gëzojnë trajtim të veçantë në aeroporte ose në vende të tjera. Përveç kësaj, diplomatët nuk do të jenë në gjendje të përdorin xhamat e errët në automjetet e tyre zyrtarë ose të përdorin targa diplomatike në automjetet e tyre private.

Të gjitha ngarkesat dhe dërgesat diplomatike do të kontrollohen rreptësisht nëpër aeroporte, dhe diplomatët amerikanë nuk do tu lejohet të përdorin numra telefonash të paverifikuar, thotë njoftimi zyrtar.

Për më tepër, diplomatët amerikanë para se të marrin me qira ndonjë pronë do tu duhet një certifikatë jo-kundërshtare nga Ministria e Brendshme, raporton media vendase ARY News.

Ambasada e SHBA-së është informuar për kufizimet e lëvizjes, tha një zyrtar i Ministrisë së Jashtme për Anadolu Agency.

Diplomatët amerikanë tashmë e kanë të ndaluar të vizitojnë zonat e sigurisë së lartë, si rripi i zonave fisnore veriperëndimore përgjatë kufirit afgan.

Marrëdhëniet diplomatike midis dy palëve kanë pësuar goditje që kur Presidenti Donald Trump mori detyrën janarin e vitit të shkuar, kryesisht për shkak të një përplasje interesash në Afganistanin e shkatërruar nga lufta.

Në gusht të vitit 2017, Trump akuzoi Pakistanin se u kishte siguruar strehë të sigurtë militantëve që luftonin kundër forcat amerikane në Afganistan, një akuzë që Islamabadi e mohoi menjëherë.

Gjithashtu, në shkurt të këtij viti Pakistani u vendos në “listën gri” të financimit të terrorizmit nga një mbikëqyrës global i pastrimit të parave, Task Forca për Veprimet Financiare (FATF), një masë që u mbështet nga Uashingtoni.

Vendimi i gjykatës mbi atasheun amerikan

Më vete nga këto ngjarje, një gjykatë e lartë në Islamabad vendosi të premten që një diplomat amerikan i cili ishte përfshirë në një aksident vdekjeprurës nuk do të gëzonte imunitet absolut dhe e urdhëroi qeverinë që ta vendoste emrin e tij në Listën e Kontrollit të Daljes (ECL) brenda dy javësh.

Më 7 prill, koloneli Joseph Emanuel Hall, atasheu i mbrojtjes dhe i forcave ajrore i Ambasadës së SHBA-së, kaloi semaforin me të kuqe në një kryqezim të Islamabadit, dhe si pasojë vrau një motoçiklist dhe plagosi një pasagjer.

Personat në këtë listë e kanë të ndaluar të largohen nga Pakistani. Më 11 prill, policia i kishte kërkuar Ministrisë së Brendshme që ta vendoste Emanuel Hallin në listë. Ai është tashmë në listën e zezë të ministrisë, por ECL është një masë edhe më e rreptë.

Vendimi i gjykatës erdhi menjëherë pas shpalljes së kufizimeve të reja ndaj diplomatëve të SHBA-së/yenishafak/Gazeta Impakt

OPINIONE