Pandemia nuk prek blerjet online, ja produktet më të kërkuara

Kufizimi i lëvizjeve gjatë pandemisë ka drejtuar shqiptarët në blerjet online. Sipërmarrës të kësaj fushe tregojnë se ndryshe nga bizneset e tjera ata kanë rezultuar me fitime dhe gjatë pandemisë, periudhë në të cilën kanë pasur një rritje të ndjeshme të shitjeve.

Pranvera Rrapushi drejtuese e një prej platformave online të shitjeve në vend, shprehet se edhe në këtë periudhë ka pasur shumë kërkesa për artikuj të ndryshëm në ndryshim nga tendenca për të blerë në bizneset tradicionale.

“Biznesi online nëse do të flasim për periudhën e karantinës kishte një rritje të lartë. Pas karantinës ky biznes ka hasur ulje në lidhje me kapacitetin e plotë, kjo mund të jetë nga papunësia, ulja e pagave dhe se nuk e dinë se çdo të bëhet por nëse e krahasojmë me atë tradicional është më mirë”, është shprehur ajo.

Por çfarë produktesh blejnë më shqiptarët online? Gjatë pandemisë fokusi ka qenë te veshjet dhe produktet elektronike ndërsa aktualisht të gjitha kërkesat janë për artikuj shkollor, duke qenë se rinisin shkollat.

“Nëse e krahasojmë me një vit nuk kemi atë ecuri dhe pritshmëri, por nëse e krahasojmë sezonin e verës me këtë të vjeshtës është shumë herë më mirë për shkak të shtimit të kërkesave për veshje dhe artikuj të ndryshëm për veshje”, ka thënë ndër të tjera.

Blerjet online brenda vendit kanë fituar terren edhe për shkak të taksës së vendosur për blerjet jashtë Shqipërisë. Sipas vendimit të hyrë në fuqi në mars të 2019, për produktet me çmim mbi 23 euro të bërë jashtë vendit çdo blerës kur merr porosinë, do të paguajë një taksë që arrin në 22% të vlerës së mallit./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne