Shqiperia

Peshkopi, përplasen militantët e PDIU me të PD-së. Në incident i përfshirë dhe një polic

Militantët e PDIU dhe PD janë përplasur pas mesnate (rreth orës 01:00) në fshatin Ushtelenxë të Peshkopisë. Policia tha se gjatë ndërhyrjes për të normalizuar situatën është konstatuar se makina e militantëve të PDIU shoqërohej nga një polic i cili tashmë është arrestuar për shpërdorim të imazhit të policisë.

Demir Deda, 26 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, Punonjës Policie në Stacionin e Policisë Port-Durrës është personi që shoqëronte me fuoristradë dhe me pistoletë militantët e partisë së Shpëtim Idrizit

Ngjarja

Rreth orës 01.00 të ditës së sotme Policia ka marrë njoftim se në vendin e quajtur Ushtelenxë, Njësia Administrative Tomin, Bashkia Peshkopi, në rrugën e fshatit Ushtelenxë, po ndodh një konfrontim midis simpatizantëve të dy subjekteve politike.

Disa banorë të fshatit Ushtelenxë, simpatizantë të PD-së kanë bllokuar qarkullimin e dy mjeteve të PDIU-së. Banorët e fshatit dhe militantët e PDIU janë rrahur me njëri-tjetrin në rrugë.

Menjëherë, forca të shumta Policie të Drejtorisë Vendore dhe Komisariatit të Policisë Dibër, të mbështetura nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

Gjatë kontrollit policor, në automjetin tip ”Range Rover” që drejtohej nga polici i Portit, Demir Deda, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, të cilën ai deklaroi se e mbante me leje për shkak të detyrës si punonjës policie.

Militantët e PDIU kanë qenë me dy fuoristrada. Përveç “Range Rover” që drejtohej nga polici ka qenë dhe një automjet tjetër tip ”Land Rover”, me mbishkrime e logo të këtij subjekti politik. Aty nuk janë gjetur materiale të dyshimta, tha policia.

Policia njofton se: U kryen veprimet proceduriale dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, ndaj shtetasve:

D.R, 36 vjeç, banues në Peshkopi.

M.Z, 27 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë

K.S, 23 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë.

Materialet në ngarkim të tyre u referuan si të dyshuar për kryerjen e veprave penale ”Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, ”Prishja e qetësisë publike” dhe ”Kanosja”, parashikuar nga nenet 293, 274, 84 e 25 të Kodit Penal.

Të gjitha veprimet proceduriale janë kryer nën drejtimin e Drejtuesit të Prokurorisë Dibër.

OPINIONE

INTERVISTA