Pezullimi i kompanisë ‘Fly Ernest’/ Reagon Aviacioni Civil Shqiptar

Pas datës 13 janar, avionët e kompanisë së fluturimeve “Fly Ernest”, nuk do të ngrihen më në qiell për të fluturuar. Ditën e sotme, Aviacioni Civil Italian ka marrë këtë vendim nisur nga vonesat e shumta të avionëve të kësaj linje që përshkojnë linjat ajore Shqipëri-Itali si dhe Shqipëri-Ukrainë.

Në motivacionin për pezullimin e kontratës, Aviacioni Civil Italian, shpjegon se kjo kompani fluturimesh vononte fluturimet për pasagjerët si dhe ngatërronte destinacionin e tyre pa i dhënë në këmbim asnjë lloj dëmshmërblimi financiar dhe pa garantuar mbërritjet e tyre në destinacionin e prenotuar. Kjo ka bërë që qytetarë të shumtë të mbeten në aeroporte për ditë të tëra, duke humbur prenotimet, por edhe takime të rëndësishme pune.

Megjithatë, ky institucion shprehet se, nëse kompania reflekton mbi këto shkelje, atëherë masa e pezullimit mund të revokohet.

Në komunikatën e këtij institucioni thuhet se se ky pezullim hyn në fuqi nga 13 janari 2020 për shkak të festave të fundvitit si dhe biletave të prenotuara deri më 7 janar.

Enti Kombëtar i Aviacionit Civil në Itali, ka bërë me dije se do të vazhdojë të monitorojë kompaninë ajrore në mënyrë që të verifikojë respektimin e të drejtave të pasagjerëve.

Në fakt, sipas një vëzhgimi në tableat e orareve të nisjes dhe mbërritjes së avionëve të kompanisë Ernest S.P.A, dalin në pah vonesa, të cilat shkaktojnë jo pak shqetësim tek pasagjerët.

Ndërkohë ka reaguar dhe Autoriteti Civil Shqiptar në lidhje me pezullimin e licencës së Fly Ernest nga pala Italiane.

“Nëpërmjet deklaratës për shtyp n. 96/2019 të Autoritetit Italian të Aviacionit Civil (ENAC), njoftohemi se ENAC ka nxjerrë aktin e pezullimit të licencës së kompanisë ajrore “Ernest”. Pezullimi do të hyj në fuqi më 13 Janar 2020, me qëllim e vetëm që t’i jap kohë kompanisë për të informuar pasagjerët për anullimin e fluturimeve apo për t’i mbrojtur ata që e kanë prerë një biletë udhëtimi.

Sipas vendimit të ENAC, edhe pse licenca e kompanisë mbetet në fuqi deri më 13 janar 2020, duke marrë parasysh festat në Shqipëri dhe Ukrainë, “Ernest” nuk do mund të nxjerrë më bileta në shitje. ENAC gjithashtu vlerëson se lejimi i licencës deri në 13 Janar nuk rrezikon sigurinë në operim të kompanisë.

Gjatë kësaj kohe, nëse transportuesi siguron elementët e garancisë të kërkuara nga Rregullorja (KE) nr. 1008/2008, që përmban rregulla të përbashkëta për ofrimin e shërbimeve ajrore në Komunitetin Evropian dhe këto elementë vlerësohen në mënyrë të favorshme nga ENAC, masa e pezullimit mund të revokohet.

Nga ana e tij, Autoriteti i Avicionit Civil Shqiptar ka vendosur menjëherë kontaktin me autoritetin italian, për të marrë më shumë informacion për situatën e krijuar dhe për planin e kompanisë për mbrojtjen e pasagjerëve që mund të preken.

AAC i bën apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë prerë bileta me këtë kompani ajrore, që të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre me kompaninë ose agjencinë e biletës para ditës së fluturimit“, shkruhet në reagimin e AAC./abcnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne