Bota

Pompeo: Çdo vend të riatdhesojë qytetarët që luftuan për ISIS-in

Shtetet e Bashkuara presin që çdo vend të përpiqet të riatdhesojë qytetarët e tij që luftuan për Shtetin Islamik në Siri, tha Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo të mërkurën gjatë një vizite në Britani.

Më parë këtë vit, Britania i hoqi nënshtetësinë një të riu që kishte shkuar për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Ky rast ilustron vështirësitë me të cilat përballen kryeqytetet perëndimore ndërsa përpiqen të vendosin se çfarë duhet të bëjnë me luftëtarët e huaj xhihadistë si dhe me gratë e fëmijët e tyre.

I pyetur gjatë një konference shtypi me sekretarin e jashtëm britanik Jeremy Hunt nëse ishte i irrituar nga ngurrimi i Britanisë për të pranuar përsëri në vend luftëtarët që kishin luftuar për Shtetin Islamik, zoti Pompeo tha: “Ne shpresojmë se çdo vend do të përpiqet për të pranuar përsëri luftëtarët e huaj dhe do të vazhdojë t’i mbajë këta luftëtarë të huaj; ne mendojmë se kjo është me rëndësi thelbësore”, raporton VOA.

Presidenti i SHBA Donald Trump i ka kërkuar Britanisë, Francës dhe Gjermanisë të marrin më shumë se 800 luftëtarë të kapur të Shtetit Islamik dhe t’i nxjerrin para gjyqit.

Zoti Pompeo tha se ai e diskutoi çështjen me krerët e Irakut gjatë një vizite në Bagdad të martën. Ai tha se vendet e ndryshme duhet të punojnë së bashku për të siguruar që Perëndimit “nuk do t’i duhet më kurrë të luftojë përsëri me këta terroristë”.

“Ne i kemi vënë ata nën arrest dhe ata duhet të vazhdojnë të jenë nën arrest në mënyrë që të mos paraqesin rrezik të ri për këdo dhe kudo në botë,” tha ai./VOA

OPINIONE