Premtoi 2000 euro për atë që do të thyente memorialin, reagon ekstremisti katolik Eduart Ndocaj

Disa orë pas aktit terrorist turkofob që ka ndodhur tek Parku i Liqenit në Tiranë, ku u dëmtua memoriali në nderim të viktimave në grushtin e shtetit në Turqi, ka reaguar edhe ish-deputeti Eduart Ndocaj, radikali katolik, i cili kujtojmë se përpara disa kohësh ka deklaruar se ai që do të bënte një veprim të tillë, do të merrte prej tij shumën prej 200 eurosh.

Ekstremisti Ndocaj shprehet se e përshëndet këtë “veprim të shqiptarëve të vërtetë të cilët me guximin e tyre të përligjur nga provokimi i ndjenjës kombëtare reaguan duke dëshmuar mosnëpërkëmbjen e identitetit kombëtar nga politika filoturke e Tiranës”.

Ai vijon më tej duke thënë se apelon prokurorinë të mos ndërmarrë asnjë proces ndaj autorëve duke e cilësuar vendosjen e memorialit si një provokim dhe cënim që u është bërë shqiptarëve, duke shtuar se në akuzë duhet thirrur “lejedhënësi”.

Reagimi i plotë:

Të dashur bashkëpatriotët e mi!

Sot, teksa dëgjojmë përmes medias për aktin patriotik dhe civil të thyerjes së memorialit turk tek Kodrat e Liqenit, unë përmes këtij qëndrimi dua të përshëndes, këtë veprim të shqiptarëve të vërtetë, të cilët me guximin e tyre të përligjur nga provokimi i ndjenjës kombëtare reaguan duke dëshmuar mosnëpërkëmbjen e identitetit kombëtar nga politika filoturke e Tiranës.

Solidarizohem me ndjenjën dhe veprimin e tyre patriotik, si dhe apeloj policinë dhe Prokurorinë të mos ndërmarrë asnjë proces ndaj autorëv, sepse në kuptimin e plotë, autorët e atij akti janë të gjithë shqiptarët e vërtetë. Prandaj, u kërkoj këtyre instancave të qëndrojnë larg procedurave që akuzojnë individë të caktuar, si dhe ta trajtojnë rastin me prioritetin e një cënimi dhe provokimi që iu është bërë shqiptarëve, dhe të thërrasin nën akuzë lejedhënësin e memorialit!

Rroftë Shqipëria!

 Me respekt për shqiptarët e vërtetë që e duan Shqipërinë të lirë dhe sovrane!

Eduart Ndocaj

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne