Shqiperia

Procesi për hetues të BKH-së paditet në Gjykatën Administrative, aplikanti: Të pezullohet procesi, ja çfarë ka ndodhur

Procesi për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit është paditur në Gjykatën Administrative. Një aplikant ka kërkuar pezullim të procesit pasi pretendon se është eliminuar padrejtësisht.

“Me anë të kësaj kërkesë padie, kërkoj pezullimin e procedurave të konkurrimit nga Byroja Kombëtare e Hetimit, pasi në mënyrë jo transparente me anë të një veprimi administrativ ka bërë përjashtimin e 300 kandidatëve për hetues në fazën në fazën e tretë të testimit (testimi fizik) pa përcaktuar metodologjinë e vlerësimit, ku dëmtohen interesat e mia personale, interesi publik dhe procesi i rregullt ligjor në një procedurë konkurrimi që ka për qëllim rritjen e besimit të publikut pranë organeve të drejtësisë, e konkretisht;

Sipas njoftimeve në faqen zyrtare të bKH-së procesi i aplikimit, konkurrimit dhe i përzgjedhjes do të kalonte në fazat e mëposhtme:

1. Në fazën e parë, aplikantët duhet të plotësonin dokumentacionin vijues, formulari i aplikimit, deklarata për mungesën e konfliktit të interesit, shtojcën B2, B3 dhe C të ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, vlerësimet e punës dhe vërtetim për arsyen e largimit nga puna për rastet ku aplikohet. Në këtë proces aplikuan rreth 653 aplikantë nga ku u përzgjodhën 424 aplikantë që i plotësonin kërkesat e ligjit për vazhdimin e konkurrimit nga komisioni i përzgjedhjes.

2. Në fazën e dytë u zhvillua testimi logjik. Sipas njoftimit zyrtar, aplikantët duhet të merrnin një minumim prej 12 pikësh nga 30 pikë që kishte testi, nga ku u kualifikuan 403 aplikantë sipas pikëzimit (në rend zbritës) duke i qëndruar kërkesave të ligjit nga komisioni i përzgjedhjes.

Unë paditësi në këtë fazë kam marrë 24 pikë nga 30 që ishte maksimumi me numër rendor 153.

3. Në fazën e tretë, aplikantët duhet të kryenin testin fizik nga data 19.10.2020-22.10.2020 të ndarë në grupe prej 100 aplikantësh çdo ditë. Nga informacioni i publikuar në faqen zyrtare të BKH-së është kërkuar dokument identifikimi dhe vërtetim nga specialisti kardiolog, por asnjë udhëzim mbi mënyrën e pikëzimit.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të BKH-së gjatë fazës së parë është bërë e ditur për të gjithë aplikantët në momentin që do të zhvillohej testimi fizik do të ishin këto norma, pompa ulje-ngritje, palosje, 300 metra sprint dhe 2400 metra vrap “Pa përcaktuar sasinë dhe kohën për të kryer këto norma”.

4. Në fazën e katërt të testimit është testi i esesë, ku ka dalë dhe udhëzues për pikët, duke treguar standard tjetër krahasuar me testin fizik që nuk ka pasur një udhëzim mbi mënyrën e pikëzimit”, deklaron paditësi.

Duke krahasuar zhvillimin e testit fizik me testin logjik, paditësi pretendon se nuk është përcaktuar asnjë minimum pikësh për testin fizik krahasuar me procedurat e ndjekura për testin logjik, duke krijuar bindjen se gjatë fazës së dytë është vepruar me standard tjetër; në faqen zyrtare të BKH-së nuk është publikuar mënyra e mbledhjes së pikëve dhe mënyra e vlerësimit, duke mos qenë transparent krahasuar me testin logjik; nuk është pasqyruar mënyra e përzgjedhjes së aplikantëve në testin fizik, duke dëmtuar imazhin e një institucioni që kërkon besimin e qytetarëve dhe do të luftojë korrupsionin në nivele të larta; rezultati i testimit fizik nuk është vlerësuar në moment por 3 ditë më pas.

Po kështu paditësi deklaron se lista e aplikantëve fitues të fazës së tretë është publikuar në faqen zyrtare të BKH-së më 23 tetor pas orës 16:00 dhe zhvillimi i fazës së katër më datë 26 tetor në orën 8:00, koha midis të cilave administrata publike e ka pushimin zyrtar dhe e pamundëson ankimin pranë organit që e ka administruar procesin. “Ky është dhe shkaku për mosadministrimin nga ana ime të dokumentacionit të nevojshëm për ta bashkëngjitur me këtë padi, dokumentacion të cilin kërkoj që Gjykata të urdhërojë palën e paditur gjatë gjykimit në themel që ta sjell.

Ai kërkon pavlefshmëri të veprimit administrativ, faza e tretë (testim fizik) në konkurrimin e zhvilluar nga data 19 tetor deri më 22 tetor për shkak të mungesës së transparencës dhe mospërcaktimit nga i padituri të minimumit të normave për kualifikimin e mënyrës së vlerësimit dhe përllogaritjes së pikëve nga ana e Komisionit të Përzgjedhjes për pozicionin hetues pranë BKH;

Sigurimin e padisë duke vendosur Gjykata, pezullimin e procesit të konkurrimit të fazës së katërt (testi i esesë) për aplikantët hetues pranë BKH-së si veprim tjetër administrativ, për shkak se ekziston mundësia e ardhjes së një dëmi të rëndë e të pariparueshëm që rrjedh nga ekzekutimi i veprimit administrativ e konkretisht afishim i listës së kandidatëve që kalojnë në fazën e katërt të konkurrimit dhe zhvillimi i kësaj faze./Bw

OPINIONE

INTERVISTA