Shqiperia

Projekti i BE: 20% e votuesve në Shqipëri iu është ofruar blerja e votës, e mjaftueshme për të ndryshuar rezultatin

Studimi “Jeta informale e partive politike në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor” i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga Instituti për Demokraci në Shkup gjeti se Shqipëria kishte numrin më të lartë të votuesve që u është ofruar blerja e votës.

Studimi përfundoi pak kohë më parë dhe ka referuar se 1/5 të anketuarve në Shqipëri dhe Malin e Zi kanë pohuar se u është ofruar para në këmbim të votës.

Për të realizuar këtë studim janë angazhuar ne më shumë se 6 organizata në rajon dhe votuesve u është drejtuar direkt pyetja “ A ju është ofruar para në këmbim të votës?”.

Veçanërisht, një në pesë të anketuar në Malin e Zi (22.5%) dhe Shqipëri (20.6%) raportuan se kanë marrë oferta parash ose favore në shkëmbim të një vote, ndërsa shifrat në Bosnjë dhe Kosovë ishin përkatësisht 15.4% dhe 12.5%.

Presioni ndaj votuesve është më i ulët në Serbi (8.4%) dhe Maqedoni (7.4%).
Studimi arrin në përfundimin se në secilin nga vendet e Ballkanit numri i votuesve që kanë marrë oferta për blerje vote përfaqëson një proporcion të konsiderueshëm të elektoratit, masë kjo që ndikon edhe në rezultatet e zgjedhjeve.

Numri i votuesve që janë në shënjestër me ofertën e blerjes së votës është më shumë se dy të tretat e votave për fituesit e zgjedhjeve në Shqipëri dhe Malin i Zi, ndërsa tejkalon numrin e votuesve për fituesit në Bosnjë dhe Kosovë.

“Gjetjet tona nuk duhet të merren si një tregues i saktë i efektit të klientelizmit në rezultatet e zgjedhjeve. Megjithatë ato janë shumë afër realietit të klientelizmit të blerjes së votës në Rajon” thuhet në studimin e institutit për Demokraci” me qendër në Shkup.

“Gjetjet tona sugjerojnë se shkalla e klientelizmit është e mjaftueshme për të lëkundur rezultatet e zgjedhjeve”, thuhet në raport.

Studimi ka gjetur gjithashtu se partitë politike në vendet e Ballkanit ushtrojnë forma negative presioni të shoqëruara herë pas herë me kërcënime për votuesit për të siguruar mbështetje politike.

Në Malin e Zi, 11.7% e të anketuarve raportuan se ata janë këshilluar nga menaxherët e tyre / bosi për të votuar për një parti të caktuar ditën e zgjedhjeve, ndërsa 7.5% thanë se atyre u është kërkuar që të marrin pjesë në aktivitetet e partisë.

Shifrat përkatëse janë 6%/3.4% në Maqedoni, 5.5%/5.1% në Kosovë, 5.2%/6% në Serbi, 4.8%/5.6% në Shqipëri dhe 4.5%/3.3% në Bosnjë./Monitor/