Bota

Putin: Disa forca në SHBA luajnë me kartën ruse

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka hedhur serish poshtë të enjten përfshirjen e vendit të tij në kampanjën zgjedhore në SHBA, duke cituar ish-presidentin amerikan Ronald Regan.

“Regan gjatë një diskutimi për tatimin kishte thënë – Më lexoni buzët: Jo!”, ka thënë Putin, duke u përgjigjur ndaj kërkesës së moderatorit të seancës plenare në Samitin Arktik që të sqarojë nëse Rusia është përzier në zgjedhjet amerikane. Çdo gjë tjetër, ka shtuar ai, është gënjeshtër, fabrikim dhe provokim në marrëdhëniet me Rusinë, transmeton TASS.

Ky koment i Putinit ishte mohimi më i qartë i akuzave dhe gjithashtu hera e parë që ai shprehet për këtë çështje që kur Donald Trump mori detyrën në janar. Po ashtu, presidenti rus ka thënë se disa forca në SHBA luajnë me kartën ruse, për të fuqizuar pozitën politike dhe për të arritur qëllimet e tyre. “Gënjeshtrat, lajmet e rrejshme dhe provokimet kur bëhet fjalë për Rusinë po përdoren në luftën politike vendore amerikane”, ka thënë Putin. Putin nuk harroi të shprehte gatishmërinë e tij për t’u takuar me presidentin Donald Trump, mbase që në kuadër të Samitit arktik në Finlandë, që do të zhvillohet në shtator./ PT

OPINIONE

INTERVISTA