Bota

Qendra për luftimin e ekstremizmit në Arabinë Saudite pret kardinalin katolik të Francës

Qendra Etidal kundër ekstremizmit në Arabinë Saudite priti kardinalin francez Jean-Louis Tauran, njoftuan autoritetet. Kjo për mbretërinë ultra-konservatore sunite të cilën princi i kurorës po e shtyn edhe drejt bashkepunimeve ndërfetare u konsiderua një vizitë tepër e rrallë.

Tauran, i cili kryeson Këshillin Papnor të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, arriti të premten në një vizitë historike në Arabinë Saudite, vend në të cilin ndodhen vendet më të shenjta të Islamit.

Qendra Etidal me bazë në Rijad që merret me luftimin e ideologjive ekstremiste, diskutoi me kardinalin përdorimin e mediave dhe teknologjisë për ndalimin e rekrutimeve ekstremiste dhe për të promovuar tolerancën”, tha një deklaratë qeveritare.

“Unë mendoj se ne kemi dy armiq: Ekstremizmin dhe injorancën,” tha në deklaratën e tij Tauran, ndërsa përgëzoi qendrën e themeluar në vitin 2017. “Nuk besoj në përplasjen e qytetërimeve, por në konfliktet e injorancës. Në pjesën më të madhe të kohës njerëzit reagojnë sepse nuk e dinë kush jeni apo se kush janë ata.”

Tauran shihet si një nxitës energjik i dialogut midis Kishës Katolike dhe Islamit. Ai gjithashtu takoi edhe mbretin Salman, njoftuan mediat shtetërore.

Udhëheqësit sauditë, muajt e fundit kanë pritur shumë presonalitete, përfaqësues të traditave të ndryshme të krishtera.

Në nëntor, kreu i kishës maronite të Libanit, Beshara Rai, u takua me Mbretin Salman dhe princin e fuqishëm të kurorës Mohammed bin Salman në një vizitë historike në Rijad.

Raportohet se Princi i kurorës Mohammed bin Salman ka takuar një grup udhëheqësish hebrenj dhe katolikë gjatë një vizite të kohëve të fundit në Nju Jork, gjë që tregoi një shfaqje të rrallë të dialogut ndërfetar.

Princi Mohammed, trashëgimtar i fronit saudit, ka kërkuar të projektojë një imazh të moderuar të mbretërisë së tij të ashpër, shpesh e portretizuar në Perëndim me ideologji militante dhe nënshtrim të grave./AFP/Gazeta Impakt

OPINIONE