Shqiperia

Rama cakton ku do t’i kalojnë njerëzit pushimet: Turizmi do të bëhet në Shqipëri edhe për ju që keni jahte!

Kryeministri Edi Rama, është intervistuar nga gazetarja Nisida Tufa në News24.

Kryeministri u pyet lidhur me turizmin dhe planet që ka qeveria, për këtë sezon turistik, duke patur parasysh vështirësitë që sjell Covid-19, veçanërisht për këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë tonë.

Rama tha se ende nuk ka përgjigje konkrete lidhur me këtë çështje, por se turizmi do të jetë “i brendshëm”, duke nënkuptuar se qytetarët do të të duhet të pushojnë vetëm në Shqipëri.

Pjesë nga biseda:

Nisida Tufa: Përsa i takon turizmit, ka qeveria një plan për këtë sektor?

Rama: Kjo është pyetja më e vështirë, dhe më besoni që është pyetja që unë ja bëj vetes çdo mëngjes. Komunikoj edhe me ministrat e kryeministrat e vendeve të tjera. Me të parë e me të bërë thonë të gjithë.

Është një situatë që nuk dihet se si do vijë mbrapa. Ministri i Turizmit po punon me grupin e tij, për të kuptuar se çfarë do ndodhi. Gjëja që duket me e mundshme, gjithmonë nëse do të ketë turizëm, është se ky do të jetë një sezon atipik: turizmi do të jetë i brendshëm.

Për Shqipërinë është mirë. Se shumë të pasur që mezi presin t’ua hipin jahteve që kanë, që mezi presin të shkojnë në vendet më të shtrenja, do zbulojnë Shqipërinë, bukuritë e vendit, do shpenzojnë një pjesë të parave në vend, do ndihmojë industrinë e turizmit dhe shoqërinë.

Ne hyjmë te vendet që ankohemi më shumë se të tjerët që vdesim për bukë, dhe jemi nga ata që harxhojmë më shumë për turizëm jashtë vendit. Kështu që turizmi i brendshëm është më i mundshëm si opsion. Se si do të bëhet nuk e kemi ende të qartë, ndërsa me majin që po afron do të kemi më shumë gjëra të qarta.

Ne jemi të kontaktuar nga 2-3 vende në Europë, pasi disa agjenci turistike e shohin shqipërinë si vend të sigurtë, duke krahasuar se çfarë kemi bërë ne me covidin./tpz

Etiketa