Rama e Braçe shantazhojnë prokurorin që arrestoi anëtarin e bandës së korruptuar të shtetit, Gjergj Zefi: Kanë prekur fundin!

Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe kanë shantazhuar dhe kërcënuar rëndë prokurorin e Durrësit, i cili duke respektuar në mënyrë rigoroze ligjin, arrestoi një nga anëtarët e bandës së qeverisë, që abuzonte me pronat në qytetin bregdetar.

Teksa Rama ngriti një ditë më parë publikisht, më se njëherë akuzën se, një prokuror në Durrës, punon për organizatat kriminale dhe u bën shantazh nëpunësve të shtetit, ka qënë zëvendësi i tij Erjon Braçe ai që zbuloi emrin e prokurorit, i cili i paska “prishur” gjakun Kryeministrit.

Numri dy i qeverisë deklaroi se bëhet fjalë për Arian Ndojën, prokurorin e çështjes në ngarkim të Liridon Pulës, ish-drejtor i Kadastrës Shtetërore në Durrës dhe gjithë mafies së ALUIZNI-t atje.

Ky prokuror, në seancën e sotme gjyqësore mbrojti akuzën kundër ish drejtorit për korrupsion, ku Gjykata e Durrësit vendosi masë sigurie arrest me burg për Liridon Pulën, një masë që sipas Braçes është e pabazuar në ligj, duke thënë se po akuzohet për çështje që nuk i përkasin.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i editorit të “Pamfleti.net”, Gjergj Zefi, i cili e cilëson kundërvënien e kupolës së qeverisë ndaj një prokurori që po kryen detyrën duke zbatuar germë për germë ligjin, një turp të madh dhe një skandal të përmasave të frikshme.

“Turp i madh! Këtu çdo gjë ka marrë fund. Si mundet që Kryeministri dhe Zëvendëkryeministri të shantazhojnë një prokuror që po arreston nëpunësit e korruptuar të shtetit?!

Për çfarë bandash flet Kryeministri, i cili e ka ngritur në sistem kriminalitetin?! Skandaloze!

Po Erion Braçe për çfarë bandash flet? Për ato të Karavastasë?! Këta kanë prekur fundin”, ka deklaruar Zefi.

Kërcënimi i prokurorit të Durrësit nga banda kryeministrore vjen pikërisht 13 ditë përpara se Këshilli i BE të marrë vendimin nëse do t’i hapen negociatat me kusht Shqipërisë apo jo.

Një ndër kushtet kryesore të vendosura nga Bundestagu gjerman dhe që me sa duket do të jenë një “devizë” dhe për vendet e tjera anëtare të BE që të japin votën për Shqipërinë, është lufta kundër korrupsionit dhe dërgimi në burg i “Peshqve të mëdhenj”.

Ndërkohë që Edi Rama akuzon BE se nuk e do “krushqinë” me Shqipërinë, opozitën se ka lobuar kundër hapjes së negociatave dhe median që ka nxirë realitetin shqiptar, Rama dhe Braçe janë “lobuesit” më të mëdhenj kundër çeljes së bisedimeve të Shqipërisë me BE.

Kupola e bandës qeveritare është ngritur në alarm për shkak se një prokuror që ka vendosur të bëjë drejtësi çon në arrest ish kreun e Kadastrës së Durrësit, i cili nën hyqmin e “qehajait” të vjedhjes së pronave në vend, për hesap të kryehajdutit Rama, s’ka lënë pronë pa vjedhur dhe tjetërsuar.

Ndërsa të gjithë qytetarët shqiptarë, por dhe përfaqësuesit e vendeve të BE dhe SHBA që janë me “veshët ngrehur”, prisnin që qeveria shqiptare të përgëzonte këtë prokuror për punën që po bën, dhe të nxiste prokurorët e tjerët të vepronin në të njejtën mënyrë me “dorë të hekurt” kundër këtyre maskarenjve të vegjël, Rama e Braçe e kërcënojnë me largim nga sistemi i drejtësisë.

Ka ardhur koha që Shqipërinë ta marrin në dorë miqtë tanë deri në pastrimin e plotë të politikës dhe vendit nga të gjithë abuzuesit, duke filluar nga Presidenti e kryeministri e deri tek “çakenjtë” e vegjël që po e gërryejnë këtë vend, jo nga dita në ditë, por nga ora në orë./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne