Shqiperia

Rama për gazetën austriake: Europa është feja jonë… duam një proces të drejtë

Kryeministri Edi Rama vazhdon të jetë protagonist i mediave të huaja, sa i përket çështjes së integrimit. Këtë herë ai ka dhënë një intervistë për gazetën austriake, Kurier.

I pyetur për komentet e presidentit francez, Emmanuel Macron, që thotë se BE duhet të reformohet, Rama shprehet se Shqipëria kërkon recetën.

“Europa duhet të ndryshojë dhe vendet e Ballkanit duhet të ndryshojnë, këtë e kuptoj. Por ajo që kërkojmë ne është një recetë. Çelja e bisedimeve shtë një recetë për një terapi të re që të shërojë plagët dhe problemet e së shkuarës”.

Rama shprehet se Shqipëria po bën atë që i kërkohet nga Europa.

“Tani na thonë që duhet të bëjmë më shumë për të luftuar krimin e korrupsionin. A ka mënyrë më të mirë për të bërë këtë se të ndërtosh një sistem drejtësie plotësisht të ri? Në Shqipëri nuk ka qenë problem që të arrestohen njerëzit, por që të dënohen”.

I pyetur nëse Shqipëria ka një alternativë ndaj BE-së, Rama thotë: “Njerëzit në Europë nuk e kanë përjetuar luftën. Ata besojnë se lufta është një film bardhezi në ekran. Por ne e kemi përjetuar. Kemi marrë 500 mijë refugjatë, në një vend me 2.5 milionë banorë. E dimë se çfarë është lufta, ndaj Europa është e rëndësishme për ne. Europa është feja jonë. Edhe gjatë Perandorisë Osmane, tek ne kishte një shprehje: Dielli ynë lind në Perëndim”.

I pyetur nëse BE mund të pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor për të shmangur ndikimin rus, Rama thotë: “Kjo nuk duhet të jetë një dilemë mes më shumë reformave apo më shumë haviar. Kjo nuk ka rëndësi, ata mund të na ofrojnë haviar sa të duan. Gjatë 50 viteve komunizëm na është thënë: Qielli është i kuq, jeta do të jetë e mrekullueshme. Progresi është i madh, por ende kemi shumë për të bërë. Tani kemi qiellin blu, na thuhet se jeta do jetë e mrekullueshme, kemi bërë shumë përparim, por mbetet shumë për të bërë. Ne e dimë këtë, por procesi duhet të jetë i drejtë. Ne po presim jashtë derës dhe po trokasim prej vitesh për të hyrë”.

OPINIONE