Ratifikohet marrëveshja për bashkëpunimin financiar ushtarak mes Turqisë dhe Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar në seancën e sotme plenare Marrëveshjen e bashkëpunimit financiar dhe ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe protokollin zbatues në lidhje me asistencën financiare mes dy vendeve.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes u miratua me 105 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenime.

Në fjalën e saj në seancë, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Elona Gjebrea, tha se reforma e mbrojtjes dhe ristrukturimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, integrimi në NATO dhe transformimi i mbrojtjes janë çështje të përbashkëta të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Që nga viti 1998, Kuvendi Shqipërisë ka ratifikuar 26 marrëveshje ushtarake, grante dhe protokolle me Qeverinë e Republikës së Turqisë. Turqia, ky partner strategjik i vendit tonë, e ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Shqipërinë në fusha të ndryshme, përfshirë dhe logjistikën ushtarake në përputhje me programin për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë”, tha Gjebrea.

Duke folur për marrëveshjen, Gjerbera tha: “Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, 2,3 milionë dollarë amerikanë do të përdoren për këto shërbime nga Ministria e Mbrojtjes. Është e domosdoshme që të merren të ardhura në të ardhmen që të thithen të gjitha fondet në përputhje me marrëveshjet dhe protokollet ushtarake të miratuara në vendin tonë. Projektligji që do të miratohet sot është në përputhje me politikat e Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Falënderojmë palën turke që na është gjendur në situate të vështira, përfshirë dhe faktin që vendi ynë u godit nga tërmeti muajt e kaluar. Shpresoj që kjo mbështetje të vijë në ndihmë jo vetëm për modernizimin e Forcat e Armatosura, por dhe për emergjencat civile”, deklaroi Gjebrea.

Sipas Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, marrëveshja e bashkëpunimit ka për qëllim përcaktimin e parimeve në lidhje me dhënien e ndihmës financiare të alokuar, por të papërdorur, me qëllim që të blihen shërbime për qëllime ushtarake mundësisht nga firmat dhe shoqëritë që e kanë 100 për qind të prodhimit të brendshëm kryesisht në Turqi.

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar mes palëve më 24.1.2020 dhe më 24.2.2020./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne