Rajoni

Reagon koalicioni Besa-Aleanca: Zaev po shkel edhe rekomandimet e ndërkombëtarëve, nuk lejojmë diktator të ri

Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar ashpër ndaj përzierjes së kryeministrit Zoran Zaev në vullnetin politik të shqiptarëve, në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ia përkujtoi Zaevit se pjesëmarrja e tij në tubimet e BDI-së si kryeministër është në kundërshtim me rekomandimet e Pribe-së për çkapjen e shtetit nga partia. Kasami përmes një reagimi me shkrim thotë gjithashtu se shqiptarët nuk do të lejojnë rritjen e një diktatori të ri pas rrëzimit të Gruevskit.

LËVIZJA BESA

“Me eksperiencën e tij si kryetar komune i një partie opozitare (Zaevit) do të duhej t’i kujtohej se veprimet e tij të dertanishme nuk kanë asnjë lidhshmëri me shtetin e të drejtës dhe sundimin e ligjit! Dhe në fund, Zoran Zaev duhet ta dijë se gjysma e regjimit të Nikolla Gruevskit me BDI u rrëzua edhe me vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë të cilët ose do të jenë të barabartë juridikisht në këtë shtet, ose ky shtet nuk do të ekzistojë fare. Sepse kurrë nuk do të lejojmë edhe një diktator të ri”.

Nga ana tjetër, në reagimin me shkrim të Aleancës për Shqiptarët gjithashtu thuhet se tentimi që Zaev të përcaktojë kryetarët e komunave shqiptare nuk ka të bëjë me shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit, ndërsa ia përkujtojnë atij rolin e BDI-së në Qeveri me Gruevskin.

ALEANCA PËR SHQIPTARËT

“Ia përkujtojmë se njëra nga partitë e cila përmendet me përpikëri në sintagmën e KE dhe organizatave tjera ndërkombëtare me relevancë është mu ky organizimi politik – BDI, e cila prej kohës së regjimit dypartiak të uzurpimit të shtetit ka vazhduar me të njëjtën kryesi dhe pa dhënë asnjë llogari. A e ka të njohur Zaevi se sa janë kërcënimet e tija publike për bashkëpunim mes qeverisë dhe shtetit vetëm në raste kur partitë qeverisëse kanë shumicë dhe kryetarë, në përputhje me kriteret e Kopenhagës dhe në përgjithësi me kulturën demokratike në shtet?!”

Përndryshe, Zaev dhe LSDM po i japin përkrahje kandidatëve të BDI-së në të gjitha komunat, kundër kandidatëve të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA. /SHENJA/

OPINIONE