“Një fitore e neo-konservatorëve”, – kështu e përshkroi sulmin amerikan në Siri Ron Paul, një ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe tre herë kandidat presidencial, duke shtuar se ai nuk pret më që bisedimet e paqes të rifillojnë tani së shpejti.
Duke folur për RT, Ron Paul ka thënë se nuk ka asnjë provë për fajin e Damaskut që të mund të shkaktojë një përgjigje të tillë kaq të nxituar dhe të dhunshme nga SHBA-ja.
“Unë nuk mendoj se prova të çon atje, të paktën ajo nuk është paraqitur; ata kishin nevojë për një të ashtuquajtur justifikim, dhe punuan vërtetë shumë, qeveria jonë dhe koalicioni i saj.”
Kjo nuk është hera e parë që diçka e tillë ndodh në Siri apo diku tjetër, tha Paul, por tani është rasti i përshtatshëm për t’i kushtuar vëmendje dhe për të reaguar menjëherë.
“Nëse ndonjë nga këto do të ishte e vërtetë, unë nuk e kuptoj pse ata nuk mund të prisnin dhe t’i hidhnin një vështrim. Në vitin 2013, ka pasur një histori të ngjashme që nuk çoi asgjëkundi, sepse vetëm pas një pauze të shkurtër, lindi një rezistencë ndaj saj në Kongresin tonë dhe në popullin amerikan. Ata menduan se kjo ishte një hile dhe se asgjë e tillë nuk po ndodhte, dhe tani, unë thjesht nuk mund ta besoj se si mund të jetë bindëse ajo që ata pretendojnë, pasi ajo po ndihmon ISIS-in, ajo po ndihmon al-Kaedën.”
“Nga këndvështrimi im, nuk ka pasur nevojë për nxitim. Nuk kishte asnjë kërcënim për sigurinë kombëtare. Ata duhet të japin një arsye për këto gjëra që po bëjnë,” shtoi Paul.
Një faktor që kontribuoi në reagimin e shpejtë ka qenë sigurisht presidenti i SHBA-së, tha politikani.
“Unë nuk kam asnjë ide se cili ishte qëllimi i tij. Ndoshta ai thjesht nuk donte të dëgjonte debatin, sepse herën e fundit që debatuan për të, ata humbën. Dhe këtë herë, ishte e nevojshme që ata ta kapërcenin atë, para se njerëzit të mësonin se çfarë po ndodh në të vërtetë.”
Situata siriane është tashmë “një fitore për neo-konservatorët, të cilët kanë qenë në kërkim të largimit të Asadit”, ka thënë Paul.
“Ata duan ta heqin qafe atë, dhe ju duhet të shihni kush është përfshirë në këtë mesele. Për fat të keq, janë ata që kanë fituar nga kjo situatë, dhe radikalët gjithashtu! Ka pak hipokrizi në gjithë këtë që po ndodh, sepse në një minutë themi, mirë, ndoshta Asadi duhet të qëndrojë, dhe të nesërmen ai duhet të shkojë, dhe (ndërkohë) ne jemi atje duke luftuar ISIS-in dhe al-Kaedën. Në të njëjtën kohë, ne përfundojmë thjeshtë duke i forcuar ata! Kjo është një rrëmujë.
“Unë nuk besoj se njerëzit tanë apo qeveria amerikane duhet të jenë policët e botës, kjo nuk ka kuptim, kjo na shkakton shumë probleme dhe më shumë pikëllim, kjo na shkakton më shumë probleme financiare, dhe është një mënyrë e vështirë për të mbrojtur lirinë tonë kushtetuese.”
Është e qartë që kjo politikë nuk do të çojë në paqe, tha Paul.
“Bisedimet e paqes kanë përfunduar tani. Ata u tmerruan se paqja ishte duke lulëzuar! Al-Kaeda ishte në arrati, ndodhën bisedimet e paqes, dhe krejt papritur, këto duhet të ndryshonin, dhe kjo (që ndodhi) i ndryshoi gjërat në mënyrë dramatike! Unë nuk pres bisedime për paqe së shpejti apo në të ardhmen e largët.”
Në fund politikani foli në lidhje me arsyet më të thella – dhe pasojat e mundshme shkatërrimtare – të kohës së sulmit të fundit.
“Po pyesja veten në lidhje me faktin që njoftimi erdhi kur Trampi ishte duke folur me Xi Jinping [presidentin kinez]. Dhe sigurisht, Korea e Veriut kryeson në listën e objektivave të presidentit dhe administratës sonë. Ky mund të jetë një paralajmërim: kjo është ajo që do të ndodhë me ju, nëse ju nuk bëni atë që ju themi. Mua thjesht nuk më pëlqen që ne të përfshihemi në shumë vende, në punët e tyre të brendshme; Unë mendoj se kjo është shumë e dëmshme.” / Gazeta Impakt