Rrjedhimet e sundimit osman ndër shqiptarë në prizmin e pluralizmit kritik

Përmes kompaktësimit etnik të motivuar nga ndarja e qartë prej serbëve e grekëve, rritja e popullsisë shqiptare gjatë periudhës së sundimit osman është evidente, si edhe zgjerimi territorial, i cili arriti ta përthekonte edhe tërë Shqipërinë bregdetare, Greqinë veriore, Maqedoninë e sotme dhe Kosovën e sotme, po edhe Serbinë e sotme, deri në afërsi të Beogradit. Ky ka qenë, në fakt, një ekspansion demografik i shqiptarëve, i pari dhe i vetmi në historinë e tyre, pas tkurrjes tragjike të ilirëve

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Pikënisja e çfarëdo studimi të historisë së shtetit osman dhe të sundimit osman në truallin shqiptar dhe atë evropian duhet të jetë çështja e legjitimitetit të tij. Shteti osman ka lindur në një proces standard të shtetndërtimit dhe është ngritur në një perandori me synime universale, në një proces po ashtu standard të perandorindërtimit. Në këtë proces, zgjerimi territorial dhe shtrirja e sundimit osman është realizuar me synimet dhe me mjetet adekuate për këso procesesh, duke përfshirë respektimin e legjitimitetit të bartësve të pushtetit, qofshin dhe vasalët, mjetet politike e diplomatike të përshtatshme për realizimin e synimeve, luftën e armatosur dhe misionin fetar. Mjete të ngjashme kanë përdorur para saj e përdorin edhe sot, edhe shtete e perandori të tjera.

“Amnezia strukturale” ofron pamje dhe vlerësime të gabueshme

Në këtë kontekst, Perandoria Osmane jetëgjatësinë dhe efikasitetin e pushtetit të vet, krahas legjitimitetit që buron nga natyra e tij standarde për kohën e vet, më së shumti ia dedikon aftësisë së pushtetarëve të saj që të gjejnë zgjidhje pragmatike për problemet me të cilat shteti i tyre është ballafaquar, e jo vetëm misionit fetar. “Butësia e pazakonshme, madje edhe për një shtet mysliman, me të cilën sunduesit e parë osmanë trajtonin nënshtetastit e tyre dhe rëndësia e madhe që u jepej kanuneve, të cilat i përshtateshin trajtimit të “popullit të librit” dhe që përfshiheshin në sheriatin, kishin si synim që rajatë të ishin të kënaqur me pozitën e tyre si prodhues. Kjo shpjegon faktin që fshatarët europianë e pranuan me lehtësi sundimin osman dhe ndikuan në modelin e konvertimit të tyre”, ka konstatuar Peter Sugar.

Zgjidhjet pragmatike për problemet fetare, sociale, gjeopolitike e gjeostrategjike kanë dominuar mbi çfarëdo ideologjish, edhe në raste paqeje e edhe në raste luftërash. Pra, Perandoria Osmane nuk ka qenë një shtet fanatikësh fetarë, që do të shkonin nga luftërat në luftëra, për ta përhapur Islamin, sikundër mund të dëgjohet në ndonjë rast, por ka qenë një shtet që ka respektuar rregulla standarde në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë edhe respektimin e traktateve të paqes e edhe aleancat në luftë.

Në këtë sfond duhet të vendoset edhe diskutimi i historisë së prezencës osmane në trojet shqiptare, mbi të cilat, para sundimit osman, janë alternuar për shtatëmbëdhjetë shekuj sundimi romak, sundimi bizantin, bullgar, anzhuin, serb, venedikas, etj. Rrjedhimisht, pozicioni nga i cili mund të ndriçohet më drejt çështja e sundimit osman në territoret shqiptare, nuk është diskutimi i legjitimitetit të atij sundimi, gjë që është shndërruar në një lloj klisheje të ideologjisë dhe historiografisë militante shqiptare dhe veçmas të islamofobisë. Sipas kësaj klisheje, të cilin antropologu Xhek Gudi e ka quajtur “amnezi strukturale”, vlerësimi për të kaluarën bëhet duke u bazuar në qëndrimin ideologjik të tashëm. Sipas këtij interpretimi, pesë shekujt e sundimit osman shihen duke u nisur nga fakti i ekzistimit të kombit shqiptar dhe të shtetit shqiptar, të rrethimit të tashëm gjeopolitik dhe gjeostrategjik në Ballkan dhe në Europë, nga vlerësimi ideologjik i nocioneve Europë/Azi dhe nga epërsia e vlerave kulturore perëndimore në kohën tonë. Ndërsa, të gjitha këto gjëra nuk kanë ekzistuar në këtë formë e në këtë përmasë në shekujt XV-XIX*, të cilët janë shekujt e sundimit osman në territoret e banuara me shqiptarë.

Shqiptarët para osmanëve: Një popull i ekspozuar herezisë dhe asimilimit

Për mendimin tonë, krahas mosdiskutimit në mënyrë të veçantë të legjitimitetit të shtetit osman dhe të sundimit të tij, aplikimi i një analize krahasuese ndërmjet gjendjes që kanë pasur shqiptarët, kur osmanët kanë ardhur në Ballkan dhe gjendjes që ata kanë pasur, kur osmanët, nën presionin e fuqive evropiane, janë larguar nga Ballkani, jep mundësi të mëdha të trajtimit objektiv dhe të ndershëm të kësaj çështjeje.

Në këtë mes njëri nga treguesit më të rëndësishëm të natyrës së një sundimi, pa asnjë dyshim është perspektiva demografike, fetare dhe kulturore e popullit të pushtuar/sunduar. Nëse gjatë një periudhe pushtimi/sundimi ndodhë zvogëlimi numerik i një popullsie dhe tkurrja territoriale, atëherë kemi të bëjmë me procese asimilimi dhe kolonizimi dhe në atë rast kemi të bëjmë me ngufatje të zhvillimit të popullit të pushtuar/sunduar. Dhe, e kundërta, nëse ndodhë rritja demografike e një popullsie, përqafimi i një besimi fetar të qëndrueshëm dhe zgjerimi territorial i hapësirës ku ai jeton, atëherë kemi të bëjmë me një sundim që ka krijuar kushte më të favorshme të zhvillimit të atij populli. Në rastin konkret, nëse krahasohet gjendja demografike e shqiptarëve në fundin e sundimit serb dhe në fundin e sundimit osman, ajo zbulon qartë se në rastin e parë, pra të sundimit treshekullor serb, pati një zvogëlim demografik dhe një tkurrje ose më saktë shpërbërje territoriale, ndërsa në periudhën e sundimit osman pati një rritje demografike dhe zgjerim të madh të territoreve në të cilat ata jetuan. Në të vërtetë, sa i përket periudhës së sundimit mesjetar serb, arbanasët (shqiptarët), përmenden në Zakonikun e car Dushanit vetëm si barinj shëtitës, bashkë me vllahët, ndërsa prezenca e tyre si etnitet në jetën fetare, shoqërore, ekonomike të Serbisë mesjetare, nuk ndihet fare. Numri i tyre, në trevat e larta të Kosovës së sotme e të Maqedonisë së sotme, ka ardhur duke u zvogëluar, aq sa të përmenden vetëm si barinj shëtitës, të cilëve nuk duhej t’u zihej kullosa nëse ata e kishin zënë më parë. Ndërkaq, një numër i konsiderueshëm i tyre kishin lëvizur drejt Greqisë, duke populluar tokat e atjeshme greke, të pushtuara nga serbët.

Krahas tkurrjes demografike, nën presionin e kolonizimit të tokave të tyre me serbë, kishte ndodhur edhe asfiksia e plotë e identitetit fetar latin të shqiptarëve. Kufizimet që parashihte për të krishterët e ritit latin Zakoniku i car Dushanit ishin të lemerishme. Por, edhe para Zakonikut të tij, trendi asimilues në planin etnik dhe konvertues në planin konfesional, kishte qenë i ngjashëm. Në fakt, prej vitit 1196, kur ndodhi pushtimi i plotë i Kosovës së sotme nga Serbia mesjetare e deri në vitin 1389, shqiptarët ishin ekspozuar ndaj një sundimi plotësisht konvertues në planin fetar dhe asimilues në atë etnik. Natyrisht, kulminacioni u arrit kur Dushani u shpall car i serbëve e grekëve, pra duke mos përmendur askund shqiptarët. Zakoniku i tij, edhe pse i mohonte shqiptarët si konstituentë të perandorisë së tij, u imponua si ligj edhe për të gjithë shqiptarët që jetonin në shtetin serb. Termat e Zakonikut të tij, zbulojnë qartë ndalimin e katolicizmit, përkatësisht përndjekjen e besimtarëve të doktrinës latine dhe të herezisë bogomile. Me zbatimin e këtij ligji rigoroz të Dushanit edhe në trevat shqiptare, pasojat për identitetin fetar dhe etnik të shqiptarëve kanë qenë serioze, sepse ato e kanë sforcuar asimilimin e tyre në serbë. “Duke marrë parasysh mbisundimin e serbëve ortodoksë, si edhe të gjuhës serbe në Kosovën mesjetare, ka arsye të mendohet se rrjedha e përgjithshme e asimilimit ka qenë në favorin e serbëve, me disa dallime të vogla. Konkluzioni kryesor duhet të jetë se, pa marrë parasysh se në ç’shkallë ka qenë asimilimi, ai është bërë: shumë veta të cilët iu nënshtruan këtij procesi, duhet të kenë lënë gjuhën e tyre shqipe dhe janë bërë serbë”, pohon Noel Malkolmi. Prandaj, ardhja e osmanëve në Ballkanin e sotëm i ka gjetur shqiptarët e shekullit të XIV në grahmat e fundit të asimilimit të tyre etnik, fetar dhe kulturor dhe të kolonizimit të tokave të tyre nga sllavët.

Favoret nga kalimi i hershëm në Islam i shqiptarëve

Kalimi i hershëm në Islam i shqiptarëve, para së gjithash, ka qenë i motivuar si ikje nga autoriteti i dhunshëm i Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj Greke. Meqë Kisha Serbe e kishte fituar autonominë në vitin 1219, autoriteti i saj ikishte përfshirë edhe shqiptarët ortodoksë të gjendur nën sundimin serb së paku që nga viti 1196. Përndryshe, sundimi osman nuk provokoi ndonjë presion ndaj Kishës Ortodokse Serbe, e aq më pak ndaj asaj greke, i cili do t’i shtrëngonte besimtarët e tyre që të konvertoheshin në fenë islame. Përkundrazi, toleranca ndaj kishës ortodokse ishte shumë e madhe. “Pushtetet e reja që i dha kishës ortodokse Mehmeti II bënin në fakt që ajo të ishte një shtet brenda shtetit. Me kalimin e kohës hierarkët filluan ta konsiderojnë veten si sundues dhe mbrojtës de facto të të krishterëve dhe njëkohësisht si të vetmin organ për t’u përballur me pushtetin qendror. Kisha i kreu këto detyra me një shkathtësi të madhe. Jeta e popujve të krishterë të Ballkanit varej po aq nga efikasiteti i autoriteteve kishtare sa dhe nga ato osmane. Kjo shpjegon faktin që dallimet e ndryshimet midis tyre, si p.sh. ajo me mitropolitët e Ohrit e të Pejës, u zhvilluan në një shkallë të gjerë brenda për brenda kishës”, pohon Sugar.

Edhe pse kisha ortodokse praktikisht ishte shtet në shtet, shqiptarët me shumicë e braktisën atë. Arsyeja ishte e thjeshtë: meqë nuk kishin arritur të kishin një kishë të veten, ata e pranuan me shumicë Islamin, në përpjekjet e tyre që të ruanin përkatësinë etnike, duke iu shmangur asimilimit etnik në serbë, i cili imponohej përmes konvertimit fetar në ortodoksi. “Kështu “kombi” ose mileti grek do të përfaqësohej dhe do të drejtohej tanimë nga Patrikana e Stambollit. Mosmarrëveshjet midis grekëve do të zgjidheshin nga gjyqet ortodokse. Së fundi, u lejua ushtrimi i lirë i veprimtarisë fetare. Në të vërtetë, ky status i përgjigjej gjendjes që e kishin zakonisht bashkësitë e krishtera në vendet myslimane, por vendosja e kësaj situate në shkallë shtetërore dhe njohja e rëndësisë së Patrikanës përbënin një ngjarje me rëndësi”, shkruan Robert Mantrani.

Është e qartë se autoriteti aq i madh i kishës greke e, më vonë, edhe të asaj serbe, mbetej me fuqi gllabëruese ndaj shqiptarëve. Prandaj kalimi i tyre në Islam ishte më shumë ikje nga ajo politikës gllabëruese sesa si pasojë e ndonjë politike konvertuese të osmanëve. Po qe se do të kishin osmanët politika koherente të konvertimit fetar të të sunduarve, ata do t’u drejtoheshin edhe popujve të tjerë e jo vetëm shqiptarëve. E vërteta është se ata shqiptarë që ngelën nën ombrellën e Kishës Ortodokse Serbe me kohë u asimiluan në serbë.

Kompaktësimi etnik i shqiptarëve dhe zgjerimi territorial i tyre

Nga ana tjetër, përmes kompaktësimit etnik të motivuar nga ndarja e qartë prej serbëve e grekëve, rritja e popullsisë shqiptare gjatë periudhës së sundimit osman është evidente, si edhe zgjerimi territorial, i cili arriti të përthekonte edhe tërë Shqipërinë bregdetare, Greqinë veriore, Maqedoninë e sotme dhe Kosovën e sotme, po edhe Serbinë e sotme, deri në afërsi të Beogradit. Ky ka qenë në fakt një ekspansion demografik i shqiptarëve, i pari dhe i vetmi në historinë e tyre, pas tkurrjes tragjike të ilirëve. Po të mos u merreshin shqiptarëve territoret e tyre në të cilat jetonin në periudhën e sundimit osman nga Fuqitë e Mëdha europiane në Kongresin e Berlinit dhe po të mos përligjej okupimi i territoreve shqiptare nga ana e shteteve fqinje pas luftërave ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore, gjë që provokoi eksodin tragjik të shqiptarëve drejt Turqisë, shteti kombëtar shqiptar do të mund të ishte territorialisht disa herë më i madh sesa është Shqipëria e sotme dhe vetë kombi shqiptar do të ishte numerikisht disa herë më i madh nga sa është sot. Përfundimisht, mund të konstatojmë se shqiptarët hynë në shekullin XIV nën Perandorinë Osmane si një popull i pushtuar, i defaktorizuar, në një proces të asimilimit etnik e fetar nga serbët, ndërsa në fillim të shekullit XX, kur dolën prej Perandorisë Osmane, ishin një komb i konsoliduar, që ishte i aftë të luftojë për shtetin e vet kombëtar, në një rrethim ballkanik dhe evropian shumë armiqësor.

(Fragment nga një tekst më i gjatë)/ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne