Rusia e gatshme të garantojë marrëveshjen për Afganistanin

Rusia ka rikonfirmuar gatishmërinë e saj për të qenë vendi garantues për marrëveshjen e paqes midis SHBA-së dhe talebanëve.

“Pala ruse riafirmon gatishmërinë e saj për të vepruar si garantues për zbatimin e marrëveshjes në fjalë, në rast se merr një kërkese të përshtatshme nga palët”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

E pyetur sesi Rusia e sheh rolin e saj, në arritjen e një kompromisi midis SHBA-ve dhe talebanëve, Zakharova tha se Rusia do të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes.

Talebanët deklaruan se ishin afër një marrëveshje me zyrtarët amerikanë, sipas së cilës forcat amerikane do të tërhiqeshin nga Afganistani, në këmbim të një premtimi se vendi nuk do të bëhej strehë për terrorizmin ndërkombëtar.

Palët kanë zhvilluar bisedime në Doha, kryeqyteti i Katarit, që nga fundi i vitit të kaluar.

Duke u kthyer në krizën e Venezuelës, Zakharova e quajti propozimin e liderit të opozitës Juan Guaido për krijimin e një qeverie paralele si “një përpjekje tjetër e orkestruar nga Washingtoni për të destabilizuar vendin”.

Ajo gjithashtu tha se vendimi i SHBA-ve për të hapur “një zyre për çështjet e Venezuelës” në ambasadën e saj në Kolumbi “provokon shumë çështje”.

Të dyja ngjarjet pasqyrojnë një strategji të re amerikane që synon të rrëzojë Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, shtoi ajo.

“Shumë prej të ashtuquajturve ‘ministra’ të Guaidos kanë punuar për një kohë të gjatë për organizatat, të sponsorizuara nga SHBA. Kjo konfirmon edhe një herë mosgatishmërinë e Shtëpisë së Bardhë për t’i lënë venezuelasit në mënyrë të pavarur të bien dakord për një zgjidhje politike”, tha ajo.

Venezuela është zhytur në trazirat politike, duke filluar nga 10 janari, kur Presidenti Nicolas Maduro u betua për një mandat të dytë. Tensionet u përshkallëzuan më 23 janar kur anëtari i parlamentit Juan Guaido shpalli veten president të përkohshëm./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne