Bota Teknologji

Rusia në pregatitje për të shkëpur tërë vendin nga interneti

Në një test sensacional për pavarësinë teknologjike, Rusia po bën plane ta ndërpresë internetin, me një eksperiment gjigant të ‘shkyçjes’ i cili do t’i prekë mbi 100 milionë përdorues rusë të internetit.

Ky hap –të cilin ky vend është mburrur se do ta bëjë për vite të tëra – do të ishte një test i përkohshëm, i dizajnuar për të parë nëse një internet i izoluar rus mund të funksionojë ‘offline’ në rast të ndonjë sulmi kibernetik, i cili me forcë e izolon atë nga serverët e huaj.

“Po flasim për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, e cila duhet të jetë e vendosur në territorin e Rusisë,” kishte thënë në vitin 2016 German Klimenko, ish-këshilltar për internet i presidentit rus Vladimir Putin.

“Ekziston një probabilitet i lartë për “lëvizje tektonike” në marrëdhëniet tona me Perëndimin. Prandaj, detyra jonë është ta rregullojmë segmentin rus të internetit për ta mbrojtur atë nga skenarët e tillë”.

Ky lloj i të menduarit është tani në procesin e shndërrimit në ligj, ku një projektligj fillimisht u paraqit në dhjetor, ndërsa e mori miratimin paraprak nga ligjvënësit rusë javën e kaluar.

Sipas legjislacionit të projektligjit, ofruesit rusë të internetit duhet të zbatojnë masa teknike në rrjetet e tyre për t’i kundërshtuar kërcënimet potenciale nga agresorët e huaj – efektivisht, duke e izoluar internetin rus (ndonjëherë të quajtur Runet) nga pjesa tjetër e Webit, dhe duke u siguruar që i gjithë trafiku të bartet në sistemet e brendshme të vendit.

Në të njëjtën kohë, Roskomnadzor – agjencia ruse përgjegjëse për komunikime – do të ketë kompetenca të reja për t’i kontrolluar dhe censuruar mediat e ndaluara në internet, gjë që aktualisht bëhet nga ISP-të ruse në mënyrë të pavarur.

Ata që e mbështesin iniciativën thonë se ky hap vjen si përgjigje ndaj agresionit të strategjisë së re për kibernetikë të Qeverisë amerikane, e cila u prezantua në shtator.

“Thirrjet për ta rritur presionin në vendin tonë që po bëhen në Perëndim na detyrojnë të mendojmë për mënyra të tjera për ta mbrojtur sovranitetin rus në hapësirën kibernetike”, tha në janar Leonid Levin, kryesues i një komiteti rus për teknologjinë e informacionit.

“Shkëputja e Rusisë nga rrjeti botëror është një skenar i mundshëm në mesin e përshkallëzimit të tensioneve ndërkombëtare.”

Por jo të gjithë në Rusi pajtohen me planin.

Avokuesit e të drejtave të njeriut dhe lirive të internetit thonë se shkyçja kërcënon ta krijojë një tjetër distopi teknologjike të ngjashme me Firewallin e Madh të Kinës.

Edhe Unioni Rus i Industrialistëve dhe Sipërmarrësve e sheh këtë hap ekstrem më tepër si një kërcënim për funksionimin e internetit rus sesa cilido sulm kibernetik i huaj hipotetik.

“Shkëputja e Rusisë nga rrjeti global do të thotë se tashmë jemi në luftë me të gjithë”, tha eksperti rus i internetit Filipp Kulin për shërbimin e BBC në gjuhën ruse.

“Në këtë situatë duhet të mendojmë se si të kultivojmë patate në një dimër bërthamor dhe jo për internet”.

Pavarësisht nga këto rezerva, plani i kontestuar pritet të shndërrohet së shpejti në ligj, dhe megjithëse askush nuk e di se kur do të ndodhë shkyçja e madhe, ajo do të duhej të ndodhte pashmangshëm.

Nuk është caktuar ndonjë datë e saktë, por sipas draft planit, shkyçja supozohet të ndodhë para datës 1 prill.

OPINIONE