Rusia: SHBA ua mohoi vizat disa anëtarëve të delegacionit rus

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) u kanë mohuar vizat disa prej anëtarëve të delegacionit të Rusisë të caktuar për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që po mbahet në New York, pohuan zyrtarët rusë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shefi i Komitetit për Çështje Ndërkombëtare pranë Këshillit të Federatës së Rusisë, Konstantin Kosaçev, në një deklaratë për gazetarët në Moskë tha se disa anëtarëve të deklegacionit rus, përfshirë edhe atë vetë dhe disa deputetë, nuk u është dhënë vizë për të udhëtuar në SHBA për mbledhjen e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme.

Kosaçev deklaroi se si anëtare e OKB-së, SHBA nuk zbaton detyrimet e saj.

“Situatë skandaloze. Do të ndërmerren hapa të ashpër përmes Ministrisë së Jashtme”, theksoi Kosaçev.

“Ky është një akt që nuk ka sqarim dhe arsyetim. Kjo gjendje, e shkaktuar me iniciativë të SHBA-së, prish marrëdhëniet tona dypalëshe”, shtoi ai.

Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov, bëri të ditur se është dorëzuar notë proteste deri te përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-së në Moskë.

Nga ana tjetër, Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, tha se ky incident është shqetësues dhe i papranueshëm.

“Washingtoni shkel drejtpërdrejt detyrimet ndërkombëtare”, theksoi Peskov.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, ka konfirmuar incidentin, duke shtuar se diplomatët rusë kanë aplikuar në kohë për viza amerikane./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne