SHBA e izoluar në mesin e aleatëve pas vrasjes së Soleimanit

SHBA po përballet me një izolim në rritje në Perëndim pasi javën e kaluar vrau Qasem Soleimani-n, kreun e forcave ‘Quds’ të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) dhe njëherësh personi i dytë më i fuqishëm në Iran.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, publikisht është ankuar se aleatët tradicionalë amerikanë në Evropë nuk kanë dhënë mbështetje aq të fuqishme për vendimin e njëanshëm të presidentit amerikan, Donald Trump, për të vrarë Soleimanin.

“Kam kaluar një ditë e gjysmë, dy ditët e fundit, duke biseduar me partnerë në rajon, duke ndarë me ta atë që ne po bëjmë, pse po e bëjmë, duke kërkuar ndihmën e tyre. Të gjithë kanë qenë fantastikë. Pastaj kam biseduar me partnerët tanë në vende të tjera që nuk kanë qenë edhe aq të mirë”, tha Pompeo për ‘Fox News’.

“Sinqerisht, evropianët nuk kanë qenë aq të dobishëm sa do të doja të ishin. Britanikët, francezët, gjermanët të gjithë të tjerët duhet të kuptojnë se ajo që ne bëmë, çfarë bënë amerikanët, shpëtoi jetë edhe në Evropë”, tha ai.

“Qasem Soleimani udhëhoqi me fushatën e vrasjeve të IRGC-së në Evropë. Kjo ishte një gjë e mirë për mbarë botën dhe ne u bëjmë thirrje të gjithëve në botë që të qëndrojnë prapa asaj që SHBA po përpiqet të bëjë për ta bërë Republikën Islamike të Iranit të sillet thjesht si një shtet normal”, theksoi Pompeo.

Bruksel

Bashkimi Evropian (BE) veçse kishte mospajtime me SHBA-të mbi vendimin për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 e nënshkruar mes Iranit dhe fuqive të mëdha si dhe për vendosjen e sanksioneve kundër Teheranit. Vrasja e Soleimanit ka thelluar përçarjen në politikën e jashtme në lidhje me Iranin.

Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania së bashku përbëjnë të ashtuquajturin blloku “E3” i cili përcakton axhendën për politikën e jashtme evropiane. Të tre vendet lëshuan një deklaratë të përbashkët si dhe deklarata individuale.

Në deklaratën e përbashkët thuhej: “Ne kemi dënuar sulmet e fundit ndaj forcave të koalicionit në Irak dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga roli negativ që Irani ka luajtur në rajon, përfshirë këtu përmes IRGC-së dhe forcën Kuds nën komandën e gjeneralit Soleimani”.

“Tani ka nevojë urgjente për deeskalim. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe përgjegjësi maksimale. Cikli i tanishëm i dhunës në Irak duhet të ndalohet. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë angazhimin tonë me të gjitha palët në mënyrë që të kontribuojmë në zbutjen e tensioneve dhe rivendosjen e stabilitetit në rajon”, thuhej gjithashtu në deklaratë.

Londër

Mbretëria e Bashkuar “ka mbetur në mes”, siç ndodh shpesh kur janë në pyetje SHBA-të dhe BE-ja. Por, kësaj radhe, situata është veçanërisht e vështirë për Londrën zyrtare pasi përgatitet që të nënshkruajë marrëveshje pas Brexit-it me Brukselin dhe Washingtonin.

Pas deklaratës së përbashkët të bllokut E3, kryeministri britanik Boris Johnson ngadalë u inkuadrua drejt pozicionit të SHBA-ve duke thënë: “Unë mendoj se njerëzit më të arsyeshëm do të pranonin që SHBA-të kanë të drejtë të mbrojnë bazat dhe personelin e tyre”.

Ai shtoi se duke furnizuar terroristët me pajisjet e improvizuara shpërthyese (IED) që kanë vrarë dhe plagosur forcat britanike. “Ai njeri (Soleimani) kishte gjak të forcave britanike në duart e tij”, tha Johnson.

Çështja që ndërlikon më shumë gjërat është se Johnson nuk u paralajmërua për operacionin, pavarësisht se Mbretëria e Bashkuar kishte rreth 400 persona si personel ushtarak të vendosur në Irak si dhe më shumë të tjerë në rajonin e gjerë.

Tom Tugendhat, një anëtar i Partisë Konservatore të Johnsonit dhe kryetar i Komitetit për Çështjet e Jashtme të Parlamentit Britanik, i tha BBC-së se “qëllimi i të pasurit aleatë është që ne të mund të befasojmë armiqtë tanë dhe jo njëri-tjetrin. Ka qenë një model, për fat të keq, i cili ka qenë pak i turpshëm, që administrata e fundit amerikane nuk ka ndarë (informatat) me ne dhe kjo është një çështje shqetësuese. Unë do të nxisja administratën amerikane që të ndajë (informatat) shumë më ngushtë me aleatët, veçanërisht me ata që po luftojnë së bashku në rajon, përfshirë edhe me ne”.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab për BBC tha se Mbretëria e Bashkuar “gjithmonë ka njohur kërcënimin agresiv të paraqitur nga forcat Kuds të Iranit të udhëhequr nga Qassem Soleimani”. Deklarata nuk dha një mbështetje të plotë për vrasjen e tij.

“Pas vdekjes së tij, ne i nxisim të gjitha palët për deeskalim. Konflikti i mëtejmë nuk është në interesin tonë”, shtoi Raab.

Paris

Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Amelie de Montchalin, për radion franceze tha: “Ne jemi zgjuar në një botë më të rrezikshme. Përshkallëzimet ushtarake janë gjithmonë të rrezikshme”.

Kjo ishte një kritikë e drejtpërdrejtë për sugjerimin amerikan se bota ishte një vend më i sigurt pas vrasjes së Soleimanit. Presidenti francez Emmanuel Macron më pas tha se ai dëshironte të “shmangte një përshkallëzim të ri të rrezikshëm” dhe si udhëheqësit e tjerë botërorë, ai bëri thirrje për përmbajtje.

Berlin

“Aksioni amerikan ishte një reagim ndaj një seri provokimesh ushtarake për të cilat Irani është përgjegjës”, tha zëdhënësja e qeverisë gjermane Ulrike Demmer, duke shtuar: “Ne qëndrojmë para një përshkallëzimi të rrezikshëm”.

Andaj, Gjermania kishte pozicionin më pro-amerikan prej tre fuqive kryesore evropiane, por kjo është vetëm në një kuptim relativ.

Përgjigjja më e ngrohtë gjermane kundrejt SHBA-ve, flet për izolimin në rritje të Washingtonit midis aleatëve të tij kryesorë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne