SHBA kandidat për të marrë fronin e Katarit në sektorin e LNG-së

Përmes projekteve të planifikuara dhe në ndërtim e sipër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) pritet që deri në vitin 2024 të arrijnë kapacitet eksportues në sasi prej 300 milionë tonësh në sektorin e gazit natyror të lëngëzuar (LNG) dhe në këtë mënyrë të lëkundin fronin e liderit në këtë sektor, Katarit, i cili aktualisht gjendet përballë një “sfide” diplomatike.

Sipas përpilimeve të Anadolu Agency (AA) nga të dhënat e Unionit Ndërkombëtar të Gazit Natyror dhe Unionit të Eksportuesve Ndërkombëtarë të LNG-së, me një eksport të LNG-së në vlerë prej 77 milionë ton, vitin e kaluar Katari ka zënë vendin e parë në tregun global.

Mbi 60 përqind të eksporteve të LNG-së të Katarit janë realizuar në rajonin e Azisë. Shtetet në të cilat Katari ka realizuar pjesën më të madhe të eksporteve kanë qenë Japonia, Koreja e Jugut, India, Mbretëria e Bashkuar dhe Kina.

Në baza vjetore, Katari eksporton 14.5 milionë ton LNG në Japoni, 12.3 milionë në Korenë e Jugut, 8.8 milionë në Indi, 9.3 milionë në Mbretërinë e Bashkuar dhe 5 milionë ton në Kinë.

SHBA-të, kandidati më i fuqishëm

SHBA-të, të cilët shfaqen si kandidati më i fuqishëm për fronin e Katarit në të ardhmen e afërt, kanë eksport vjetor të LNG-së prej 330 mijë ton, kurse i tërë ky eksport realizohet në Tajvan dhe Japoni. Përmes investimeve, një pjesë e të cilëve do të përfundojnë në vitin 2018, kurse një pjesë tjetër në vitin 2024, SHBA-të synojnë të kenë rol më aktiv në Azi në afat të mesëm.

SHBA-të aktualisht posedojnë një terminal aktiv për eksportimin e LNG-së. Ndërkaq, ky shtet ka gjashtë terminale që janë në ndërtim e sipër dhe plan-projekte për ndërtimin 30 terminaleve të tjera të LNG-së.

Sipas llogaritjeve, kapaciteti i gjashtë projekteve të SHBA-ve që janë në ndërtim arrin në 57.55 milionë ton.

Me ndërtimin e terminaleve në fjalë dhe me futjen në funksion të 30 terminaleve të planifikuara, parashihet që kapaciteti total i eksporteve të LNG-së të SHBA-ve të kalojë mbi 300 milionë ton.

SHBA-të, të cilat përveç Amerikës Latine synojnë veçanërisht edhe Kinën, pritet që me projektet e planifikuara dhe në ndërtim e sipër ta lëkundin fronin e liderit botëror të LNG-së, Katarit.

Nga ana tjetër, vendi që ende mban vendin e dytë në nivel botëror si shitësi i dytë më i madh i LNG-së është Australia, e cila posedon katër terminale me kapacitet eksporti prej gjithsej 32.8 milionë ton. Australia aktualisht ka pesë terminale në ndërtim e sipër dhe tetë terminale të planifikuara. Kapaciteti total i këtyre investimeve do të jetë 63.8 milionë ton, kurse së bashku me kapacitetin aktual, Ausralia në afat të mesëm do ta kalojë Katarin.

Edhe Rusia orientohet kah LNG

Edhe Rusia, lideri botëror i gazit natyror që bën shitjet më të mëdha përmes tubacioneve, është në përpjekje për t’u harmonizuar me trendin mbizotërues në tregun energjisë dhe për t’u orientuar kah LNG.

Kapaciteti aktual i terminalit aktiv të LNG-së të Rusisë, Sakhalin II, arri shkallën 9.6 milionë ton. Përmes këtij terminali, Rusia realizon pjesën më të madhe të shitjeve në Japoni. Ndërkaq, në programin e saj ekzistojnë një terminal në ndërtim e sipër dhe tre terminale të planifikuara.

Teksa vazhdon ndërtimi i terminalit Yamal i cili mbështetet edhe nga Kina, me bashkimin e kapaciteteve edhe të tre projekteve të tjera, kapaciteti total i Rusisë në afat të mesëm do të arrijë në 46.5 milionë ton.

Irani në gatishmëri, por sërish në shënjestër

Në ndërkohë, edhe Irani dëshiron të ketë hisen e tij në tregun e LNG-së, por për shkak të sanksioneve ndërkombëtare nuk ka mundur t’i materializojë projektet për ndërtimin e terminaleve të LNG-së.

Aktualisht, Irani nuk posedon terminal aktiv të LNG-së, por në tryezë ka gjithsej katër projekte të planifikuara më parë. Prej këtyre, ai kishte filluar me ndërtimin e terminalit LNG të Iranit, por ndërtimi ishte ndërprerë për shkak të sanksioneve.

Bijan Namdar Zangeneh, ministri iranian i Naftës, në muajin prill kishte ftuar gjigantin francez Total të investojë në Iran në sektorin e LNG-së.

Ndërkohë, në mënyrë që të mbetet në këmbë gjatë gjithë këtij procesi, Katari është duke kalkuluar mundësitë për bashkëpunim me Iranin në fushën e gazit natyror, mirëpo rishënjestrimi i Iranit nga ana SHBA-ve pritet të përbëjë pengesë serioze në këtë kalkulim për bashkëpunim.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne