Bota

SHBA – Ndizet drita jeshile për gjykimin e Trump

Peter Messite, gjyqtari federal i shtetit të Merilendit (Maryland), i cili ka lejuar gjykimin e Presidentit, tha se prokurorët duhet të përqendrohen vetëm tek Hoteli Ndërkombëtar Trump që ndodhet në kryeqytetin e vendit, Uashington.

Gjykatësi ka lënë jashtë dosjes kompleksin e Trumpit në Florida dhe asetet e tjera të tij.

Në vendimin e tij kryegjyqtari i Melilendit nuk i përmend aspak akuzat “që Trump ka siguruar të ardhura shtesë duke pranuar dhurata nga vendet e huaja”, por thotë se vetëm akuzat lidhur me Hotelin Ndërkombëtar “Trump” mund të jenë objekt gjykimi.

Gjithashtu Messite përmend në vendimin e tij pretendimin se delegacionet dhe përfaqësuesit e huaj që shkojnë për vizitë në ShBA preferojnë të qëndrojnë veçanërisht në Hotelin Ndërkombëtar Trump për ti dhënë kështu mesazh pozitiv Trumpit, gjë që i ka lënë në një situatë të vështirë bizneset e këtij lloji në atë zonë përmes konkurrencës së padrejtë.

Objekt i çështjes gjyqësore do të mund të jetë edhe dallimi në të ardhura që ka lindur për faktin se Trump është President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe delegacionet e huaja e shikojnë hotelin e tij si “një lidhje”.

Prokurorët e Merilendit dhe Uashington DC në kërkesën e tyre drejtuar Gjykatës në qershor kishin pretenduar se Hoteli Ndërkombëtar Trump ua ka vështirësuar biznesin nëpërmjet konkurrencës së pandershme hoteleve dhe bizneseve të tjera të zonës; hoteli i Trumpit ka përfituar nga ulje taksash dhe në total Donald Trump ka siguruar të ardhura nga të huajt.

Përpjekjet për të ngritur padi me akuza të ngjashme ishin bërë edhe në Nju-Jork, por gjykatësi federal e kishte refuzuar kërkesën e prokurorëve.

Kushtetuta amerikane përmban një klauzolë sipas të cilës Presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) gjatë kohës që janë në detyrë nuk mund të pranojnë nga një shtet i huaj asgjë që nënkupton dhuratë, shpërblim, post apo titull (e njohur si klauzola e shpërblimeve, Emoluments Clause).

Një grup avokatësh në ShBA pretendon se që nga dita që është zgjedhur president Trump ka vazhduar të sigurojë të ardhura nga subjekte të huaja përmes shumë investimeve dhe kjo përbën shkelje të kushtetutës amerikane.

Në mesin e shumë pretendimeve bëjnë pjesë edhe ato sipas të cilave në rast të ngritjes së padisë, fundi i Gjyqit mund të shkojë deri në shkarkimin e Trumpit nga detyra./ trt

OPINIONE