SHBA-BE paralajmërojnë gjyqtarët dhe politikanët: Do ketë hetime në nivele të larta

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk do tërhiqen nga spastrimi i drejtësisë dhe politikës shqiptare nga të korruptuarit. Që pas ngritjes së organeve të vetingut ka nisur numërimi mbrapsht për të gjithë të korruptuarit dhe gongu do nisë të bjerë në shtator. Shpresat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, por dhe të politikanëve janë te Gjykata Kushtetuese.

Në këtë gjykatë janë dorëzuar 4 padi, ku kërkohet rrëzimi i ligjit të vetingut, i ligjit për organet e sistemit të drejtësisë, i ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe i Kodit të Procedurës Penale. Por kjo nuk përbën aspak shqetësim për partnerët tanë. Dje zyra e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ka reaguar për mediat duke deklaruar se ata janë të përgatitur për çdo lloj rezistence, duke e bërë të qartë se askush nuk e ndalon dot më vetingun dhe vetë reformën në drejtësi. “Zonja Calavera është shprehur se është normale se në reforma të ndërlikuara ekzistojnë disa rreziqe; disa mund të parashikohen dhe të parandalohen, ndërkohë që disa të tjera mund të zbuten. Kjo ishte një konsideratë e përgjithshme.

Zonja Calavera pati mundësinë të përcillte një inkurajim të përgjithshëm, të gjithë aktorëve të përfshirë në Shqipëri, duke theksuar se në qoftë se bllokime të paparashikuara do të ndodhin gjatë rrugës së zbatimit, ato mund të tejkalohen përmes kurajos dhe përkushtimit”, ka deklaruar zyra e ONM në Tiranë. Që kur nisi reforma në drejtësi, ajo hasi në rezistencë të fortë politike. PD filloi bojkotin e komisionit të posaçëm, ndërsa PS dhe LSI u përplasën fort për ndryshimet ligjore, aq sa u cënua dhe vijimi i koalicionit. Por kur u duk se më 21 korrik 2016 nisi reforma në drejtësi, dolën në skenë gjyqtarët dhe prokurorët që përmes padive e kanë zvarritur për më shumë se një vit procesin. Por për përfaqësuesit e SHBA dhe BE në ONM kjo nuk përbën problem pasi nisja e vetingut në shtator është e pashmangshme.

Hetimet në nivele të larta

Për ndërkombëtarët, nuk ka asnjë dyshim që reforma në drejtësi do e pastrojë politikën dhe gjyqësorin shqiptar. ONM e ka bërë të qartë se vetingu do i largojë të korruptuarit, ndërsa ka bërë me dije se pas tij do ketë hetime në nivelet më të larta. Kjo do të thotë se ndërkombëtarët po përgatiten për të goditur korrupsionin nga ministra e ish-ministra, te deputetë dhe zyrtarë të tjerë të lartë. “Ne besojmë se puna në kuadër të procesit të Veting-ut do të jetë tërësore dhe më në fund do të mundësojë pastrimin e sistemit të drejtësisë, nga ata të cilët nuk do të shërbejnë në interes të qytetarëve shqiptarë, por që kanë ndjekur praktika korruptive dhe/ose kanë pasur lidhje me rrjetet e krimit të organizuar.

Përtej punës së vetingut, zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse të drejtësisë, ka vendosur themelet për të konsoliduar një sistem gjyqësor më efikas. Prandaj është në detyrë të organeve përkatëse të sigurojnë, sa herë që është e nevojshme, që hetimet efektive kundër krimit dhe lufta kundër korrupsionit, të kryhet në të gjitha nivelet”, ka deklaruar ONM, për “Vizon Plus” . Sinjalet janë se reforma në drejtësi do të nisë në shtator dhe ndërkombëtarët kanë marrë të gjitha masat që ky proces të mos dështojë. Deri më tani një gjë e tillë ka ndodhur në shumicën e vendeve ballkanike dhe ka pasur arrestime në nivele shumë të larta. Pritet që dhe në vendin tonë të ndodhë diçka e tillë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne