Shefi i diplomacisë palestineze sulmet e kolonëve izraelitë i quan “terrorizëm i organizuar shtetëror”

Shefi i diplomacisë palestineze sulmet e kolonëve izraelitë i quan “terrorizëm i organizuar shtetëror
“Sulmet e kolonëve në zonat e pushtuara të Bregut Perëndimor kryhen nga shteti izraelit. Ky është terrorizëm i organizuar”, tha al-Maliki për Anadolu.

Ramallah
Ministri i Punëve të Jashtme i Palestinës, Riyad al-Maliki, ka dënuar sulmet e fundit nga kolonët hebrenj në qytetet e pushtuara të Bregut Perëndimor, duke i quajtur ato si “terrorizëm i kryer nga Shteti i Izraelit”.

Në një intervistë për Anadolu, al-Maliki gjithashtu akuzoi ushtrinë izraelite për mbrojtjen e kolonëve te cilet shpeshhere kryejne sulme dhe krijojne terror ndaj Palestinezeve ne praninen e ushtrise dhe polizise Izralite..

“Ushtria po mbron kolonët e akuzuar për terror, nxitje të frikës, vrasje dhe shkatërrim në tokat palestineze”, tha al-Maliki.

Ai tha se qëllimi i sulmeve nga kolonët hebrenj është “të largojnë palestinezët nga tokat e tyre në mënyrë që të përhapet projekti i vendbanimeve të paligjshme”.

“Sulmet e kolonëve në zonat e pushtuara të Bregut Perëndimor kryhen nga shteti izraelit. Ky është terrorizëm i organizuar”, tha al-Maliki për Anadolu.

I frustruar me qasjen e komunitetit ndërkombëtar, al-Maliki tha se “diplomatët kanë bërë deklarata, por ato nuk janë të mjaftueshme”.

“Ne presim nga vendet që kundërshtojnë pushtimin, të ndërpresin lidhjet me Izraelin, të zbatojnë sanksione dhe të njohin të gjithë kolonët si terroristë të paligjshëm”, tha ai.

Vlerësimet tregojnë se rreth 700 mijë kolonë izraelitë jetojnë në 164 vendbanime dhe 116 poste në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.

Thirrje ndaj komunitetit ndërkombëtar

Al-Maliki gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe institucioneve kompetente, të luajnë një rol në parandalimin e sulmeve të kolonëve.

“Palestina po punon shumë për të raportuar deklaratat e zyrtarëve të qeverisë izraelite dhe sulmet e kolonëve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, në mënyrë që të përshpejtojë hetimin zyrtar për krimet terroriste të Izraelit”, tha al-Maliki.

Ai theksoi se disa zyrtarë izraelitë i kanë përshkruar sulmet e organizuara nga kolonët në Bregun Perëndimor si “terrorizëm nacionalist”.

“Qëllimi i këtyre deklaratave mund të jetë mbrojtja e institucioneve izraelite në sytë e së drejtës ndërkombëtare dhe komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë që të tregohet se ka një ndryshim midis akteve terroriste të kryera nga kolonët dhe institucionet shtetërore. Megjithatë, palestinezët e dinë se terrorizmi ekziston dhe jo vetëm nga kolonët, por edhe nga shteti”, tha al-Maliki.

Lufta fetare

Shefi i diplomacisë palestineze tha se sulmet e kryera nga ushtria izraelite e mbajtën rajonin në një gjendje të vazhdueshme konflikti.

“Vazhdimi i situatës aktuale do ta tërheq rajonin në një luftë fetare. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë veprime përpara se situata të arrijë një pikë pa kthim”, tha al-Maliki.

Marrëdhëniet ndërmjet Palestinës dhe Türkiyes

Më tej, al-Maliki theksoi se marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Palestinës janë shumë më tepër se miqësi.

“Qeveria dhe populli turk i kushtojnë rëndësi të madhe asaj që po ndodh në Palestinë. Udhëheqësit turq janë ndër të parët që reagojnë ndaj krimeve të Izraelit”, tha al-Maliki.

Ai gjithashtu theksoi se “vizioni i Türkiyes ndaj Palestinës është përpara shumë vendeve të tjera”.

“Palestina është e gatshme të koordinohet me autoritetet turke për të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e palestinezëve”, tha al-Maliki.

Vizita e presidentit palestinez në Kinë

Al-Maliki tha se presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, nuk bëri ndonjë deklaratë të veçantë në lidhje me turqit ujgurë në Kinë.

“Pretendimi se presidenti apo ndonjë zyrtar palestinez ka bërë ndonjë deklaratë në lidhje me turqit ujgurë në Kinë absolutisht nuk është i vërtetë”, tha al-Maliki.

Ai tha se një lajm i tillë i sajuar synon të prishë marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Palestinës.

“Ne, si Autoritet Palestinez, nuk jemi të lidhur nga çdo fjalë apo qëndrim i miratuar nga ndonjë shtet”, theksoi ai.

Ai tha se presidenti Abbas në fjalimet e tij mbështeti politikën “një Kinë”.

“Abbas deklaroi se Kina ka të drejtë të merret me çështjet e Tajvanit dhe Hong Kongut. Megjithatë, çështjet e të drejtave të njeriut nuk duhet të politizohen”, tha al-Maliki.

Ai përsëriti se qëndrimi palestinez përputhet me atë të Ligës Arabe, Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), vendeve të Lëvizjes së Pa-angazhuar dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara (OKB)./AA

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne