Shkeljet në tender, korrupsioni në koncesionin e “Rrugës së Kombit”

Në janar 2016 në Ministrinë e Transporteve u ngrit Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) për koncesionin e Rrugës së Kombit. Në shkurt të 2016 u shpall tenderi ndërkombëtar “Koncesion/PPP për ndërtim, operim, mirëmbajtje dhe rehabilitim të Autostradës Milot-Morinë” me fond limit 6,02 miliardë lekë (rreth 45 milionë euro), pa TVSH dhe u publikua në sistemin elektronik të Komisionit së Prokurorimeve Publike (KPP). Në maj 2016, KVO-ja hapi ofertat e ardhura në KPP.  Në tender ishin paraqitur tre konkurentë: 1. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Catalyst Viva Das General Constructing“, “Violap Ateve”, “Bee Tech” dhe “Kastrati sha“ dhe “Salillari shpk”-një kompani saudite, dy greke dhe dy shqiptare;  2. Bashkimi i përkohshëm i “Vendeka Bilgi Teknolojileri ”, “Vendeka Europian Investment”, “PT Citra Marga Nusaphala Persada” “Mehmet Ai Unal Insaat Taahhlil Madencilik” ,“Savronik Sistem”-të gjitha kompani turke; 3. Kompania Luman Biba-kompani shqiptare. Në fillim të korrikut të 2016, Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC)-pjesë e grupit të Bankës Botërore- e cila kishte bërë studimin e fizibilitetit për koncesionin dhe ishte këshilltare e qeverisë në tender, i dërgoi Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës rekomandimet e saj. Në bazë të remomandimeve të IFC-së, më 22 korrik 2016, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi të skualifikojë për mungesë përvoje në menaxhim autostradash me pagesë-kriter kryesor i vlerësimit-kompaninë Luman Biba dhe konsorciumin e udhëhequr nga Catalyst, ku bënte pjesë edhe Kastrati me Salillarin. Si rrjedhojë, KVO shpalli po atë ditë fitues konsorciumin turk të udhëhequr nga Vendeka. Dhjetë ditë më vonë, më 1 gusht 2016, bashkimi i shoqërive të udhëhequr nga Catalyst, ku bënte pjesë Kastratin dhe Salillari, kundërshtoi vendimin e komisionit të vlerësimit të tenderit dhe paraqiti ankesë në Komisionin e Prokurimeve Publike (KPP). Më 26 gusht 2016, KPP pranoi ankesën e Catalyst, Kastratit dhe Salillarit dhe anulloi vendimin për shpalljen fitues të konsorciumit të udhëhequr nga Vendeka. Në mënyrë të pashpjegueshme dhe kundër rekomandimit të IFC-së, KPP përjashtoi nga konkurimi Vendekën dhe rifuti në konkurim konsorciumin Catalyst-Kastrati-Salillari. Në shtator 2016, KPP shpalli fitues konsorciumin Catalyst-Kastrati-Salillari.

Shkeljet në tender

  1. Shkeljet e afatit të ankimimit

Koncesioni i Rrugës së Kombit u bë me procedurë të veçantë të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe jo nga ndonjë ligj. Arsyeja është se këto lloj koncesionesh, qeveria Rama i përjashtoi nga Ligji për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat (Ligji 125 /2013). Në korrik 2014, më anë të Ligjit 88/2014, qeveria Rama vendosi që të përjashtojë nga ligji i koncesioneve “koncesionet e punëve publike për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, kur ato paraqesin rëndësi të veçantë për infrastrukturën rrugore të vendit”, duke lënë të lirë që ato të rregullohen me anë të “dispozitave të tjera ligjore ose nënligjore.” E thënë ndryshe, qeveria Rama vendoi që koncesionet e rrugëve kombëtare të mos përcaktohen dhe rregullohen me ligj, por me vendim qeverie-pra të përcaktohen nga vetë Kryeministri sipas vullnetit të tij, pa ndonjë kufizim apo pengesë ligjore. Për këtë qëllim, në tetor 2014, Këshilli i Ministrave miratoi Vendimin Nr. 634 me objekt dhënien me koncesion ose PPP të rrugëve kombëtare. Neni i 32 i kësaj VKM-je shprehet se në rastin e tenderave të koncesioneve të rrugëve kombëtare kompanitë që nuk janë dakord me vendimet e komisioneve të vlerësimit të ofertave duhet të paraqesin ankesë në KPP “brenda 5 ditëve kalendarike nga data e njoftimit“ të fituesit nga komisionet e vlerësimit të ofertave.

Në rastin tenderit për koncesionin e Rrugës së Kombit, ankimimi i paraqitur nga Catalyst në bashkëpunim me Kastratin dhe Salillarin 10 ditë pas njoftimit të fituesit-njoftimi u bë më 22 korrik, dhe ankimimi u bë më 1 gusht, kur 27 korriku ishte afati i fundit.

  1. Shkelja e rekomandimeve të IFC-së dhe kritereve të tenderit

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në vendimin e fituesit u bazua në rekomandimet e IFC-së, ku rekomandimi kryesor ishte përvoja e operatorit në mirëmbajtjen e autostradave me pagesë. Në vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, më korrik 2016, është arsyetuar se:

  1. a) Bashkimi i përkohshëm i shoqërive Catalyst Viva Das General Constructing, Violap Ateve, Bee Tech, Kastrati dhe Salillari nuk ka kualifikimet e nevojshme për të realizuar këtë kontratë. Ky bashkim ka vërtetuar përvojën e tij në ndërtim, mirëmbajtje të rrugëve, operimin në tunele dhe deri diku dhe mirëmbajtje të urave, por nuk ka përvojë në operimin e rrugëve me pagesë, i cili është dhe kriteri me i rëndësishëm i kualifikimit në këtë projekt.
  2. b) Oferta financiare e bashkimit të përkohshëm të Catalyst paraqet një strukturë financimi jo optimale për një projekt të kësaj natyre, sidomos për termat e propozuara për financimin e huasë. Konkretisht, Ministria ka mundësuar për 13 vjet pagesën për subvencionet vjetore me qëllimin e lejimit të ofertuesit të marrë financime huaje me afat të gjatë, që duhet të rezultojë në një propozim financiar më të mirë. Oferta financiare e Catalyst propozon pagesën e huasë për një periudhë 5 vjeçare, që çon në qarkullim financiar të pamjaftueshëm për të mbuluar detyrimin për pagimin e huasë dhe për rrjedhojë do të çonte në mospërmbushje të detyrimeve nga kompania.
  3. c) Bashkimi i përkohshëm i kompanive i udhëhequr nga Catalyst nuk ka vërtetuar përvojë në financimin e projekteve të ngjashme gjë që vë në dyshim aftësinë e tyre për të gjetur fondet e nevojshme për aktivitete që lidhen me këtë projekt.

Ndërsa përsa i përket ofertës së shpallur fituese, të bashkimit të përkohshëm të shoqërive Vendeka, Komisioni i Vlerēsimit te Ofertave konstatoi se:

“Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm Vendeka sipas informacionit që ka paraqitur mendojmë se ka kualifikimin e nevojshëm për të realizuar me sukses këto kontratë koncesionare. Mendojmë se devijimet nga kërkesat e parakualifikimit që janë konstatuar nga komisioni si më sipër nuk janë të një natyre materiale dhe në një këndvështrim gjithëpërfshirës ky bashkim ka paraqitur prova të mjaftueshme për plotësimin e kualifikimeve teknike, financiare dhe ligjore.“

Por Komisionin i Prokurimit Publik në varësi të Kryeministrit Rama, pas ankesës jashtë afateve ligjore të Catalyst me Kastratin dhe Salillarin rifut në garë ata dhe përjashton fituesin, duke e bërë bashkimin Catalyst, Kastrati dhe Salillari fitues të tenderit.

  1. Ndryshimi i menjëhershëm i konsorciumit koncesionar

Në shkurt 2017, pas nënshkrimit të kontratës dhe para fillimit të zbatimit të koncesionit, bashkimi i kompanive fituese ndryshoi: dy kompanitë shqiptare Kastrati dhe Salillari blenë 60 përqind të konsorciumit që e kishin tre kompanitë e huaja, duke u bërë pronarët e vetme të konsorciumit. Vlera totale e të ardhurave të pritshme të koncesionit është afërsisht 400 milion euro, por 60 për qind të pronësisë së tij Kastrati dhe Salillari i blenë për rreth 430 mijë euro.

Kompanitë e huaja që u larguan ishin ato që zyrtarisht plotësonin një sërë kriteresh të tenderit përfshi atë të përvojës së mëparshme. Largimi i tyre e bëri tenderin e zhvilluar praktikisht të pavlefshëm.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne