Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në Europë, fuqia blerëse shumë më e vogël se rajoni

Pavarësisht vendimeve të njëpasnjëshme të qeverisë shqiptare për rritjen e pagës minimale, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj, vendi ka vijuar të ketë pagën minimale më të ulët në Europë, kur krahasohet sipas fuqisë blerëse, sipas përditësimit të fundit të Eurostat, që i përket datës 20 korrik, ku nuk përfshihen të dhënat për Kosovën.

Në Shqipëri paga minimale është 375 euro në korrik 2023. Në Mal të Zi, paga minimale është 532 euro, më e larta në rajon. Në Serbi paga minimale është 460 euro. Maqedonia e Veriut përditësimin e fundit e ka për 6 mujorin e dytë 2021, kur niveli ishte rreth 360 euro. Bosnjë Hercegovina nuk raporton pagë minimale, ndërsa nuk ka të dhëna për Kosovën.

E matur sipas fuqisë blerëse (PPS), që nënkupton të ardhurat të përshtatura me nivelin e çmimeve, paga minimale në Shqipëri ka akoma më pak vlerë. Shqipëria ka nivelin më të ulët në Europë, me 549 PPS, raporton Eurostat (shiko grafikun, paga minimale, PPS).

Më pagën minimale në Shqipëri mund të blesh shumë më pak sesa në rajon. Mali i Zi e ka këtë tregues 881 PPS, Serbia 732 PPS dhe Maqedonia e Veriut -deri në fund të 6 mujorit të parë 2021 – e kishte 724 PPS, ose rreth 30% më shumë sesa e ka Shqipëria aktualisht.

Vitin e fundit qeveria është vënë në një garë të ethshme rajonale për të rritur pagat në nivelet e rajonit. Por teksa paga minimale është rritur disa herë muajt e fundit, edhe vendet e rajonit nuk kanë qëndruar në vend.

-Grupi 3, me një pagë minimale kombëtare nën 1000 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Qiproja, Greqia, Portugalia, Lituania, Malta, Polonia, Çekia, Estonia, Sllovakia, Kroacia, Hungaria, Letonia, Rumania dhe Bullgaria. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 399 euro në Bullgari në 940 euro në Qipro.

Të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale me një pagë minimale kombëtare, për të cilat disponohen të dhëna, i përkasin grupit 3, me nivele të pagave minimale që variojnë nga 375 euro në Shqipëri në 532 euro në Mal të Zi.

Shtetet e Bashkuara bëjnë pjesë në grupin 2 (1 156 euro në muaj, në nivel federal).

Norma mesatare vjetore e rritjes midis korrikut 2013 dhe korrikut 2023 ishte më e larta në Rumani (+12,9%) e ndjekur nga Lituania (+ 11,2%), Bullgaria (+ 9,7%) dhe Çekia (+ 9,0%). Normat më të ulëta mesatare vjetore të rritjes midis shteteve anëtare të BE-së u regjistruan në Maltë (+1,7%) dhe Francë (+ 2,0%)./Monitor

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne