Shqipëria ndër vendet kryesore që transportojnë heroinë dhe kokainë, OKB ngre alarmin dhe publikon raportin e drogërave për 2023

Ashtu siç është konsideruar prej vitesh me radhë, Shqipëria konsiderohet dhe nga institucioni më i madh ndërkombëtar Organizata e Kombeve të Bashkuara si njëri prej shteteve kryesore që shërben si “urë” e vazhdueshme transportit të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë. Kjo u saktësua në raportin e fundit të publikuar nga Zyra e Kombeveve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (United Nations Office on Drugs and Crime, UNODC), e cila analizoi sektorin e prodhimit dhe furnizimit me lëndët narkotike në mbarë botën. Një tjetër fenomen që vlen për t’u theksuar e marrë seriozisht është fakti se departamenti që lufton krimin dhe drogën në OKB i cilëson grupet kriminale shqiptare si ndër aktorët kyç të zgjerimit të tregut të kokainës dhe rritjes së konkurrencës në mbarë botën, duke filluar nga viti 2012. Këto konstatime të OKB forcojnë akoma më shumë alarmin se vendi ynë po kthehet në një zonë mjaft të vështirë për të jetuar, për shkak të aktiviteteve të mëdha të rrezikshme kriminale dhe spastrimeve mes bandave, të cilat prej vitesh po shtojnë fuqinë edhe jashtë Shqipërisë.
Raporti i UNODC për Shqipërinë, në 13 vite vend kryesor tranzit i drogës
Po ashtu, fuqia në rritje dhe efikasiteti i funksionimit të grupeve kriminale shqiptare të trafikut të drogës ka bërë që rritet konsumi i kokainës, nëpërmjet uljes së çmimeve dhe përmirësimit të cilësisë, tendencë e dukshme që prej 2015. UNODC publikoi dy harta në të cilat përfshihet Shqipëria. Në hartën e parë “Vendet kryesore të identifikuara si burim dhe tranzit i ngarkesave të heroinës, bazuar në konfiskimet për periudhën 2018-2021”, Shqipëria është e ngjyrosur me rozë së bashku me shtete të tjera të Ballkanit, si rrugë tranzite e trafikimit të heroinës.

Grupet kriminale shqiptare të drogës preferojnë lidhjen me Bolivinë

Në një tjetër hartë “Rrugët e raportuara të trafikut të kokainës dhe kanabisit midis shtetit të Bolivisë dhe vendeve të tjera, 2010–2022”, Shqipëria ka lidhje direkte me Bolivinë për trafikun e kokainës. Vendi është dhe në harta të tjera si ajo e trafikimit nga Kolumbia, por gjithsesi për këtë të fundit rekordin në Europë e mbajnë Italia, Belgjika e Spanja.
Organizatat kriminale ballkanike në “luftë” për kontrollin e rrugëve të drogës
Raporti përmend se nga viti 2012 është rritur konkurrenca mes grupeve nga Ballkani, duke filluar me grupet shqiptare në prokurimin direkt të kokainës nga Amerika Latine, çka ka rritur konkurrencën mes trafikantëve që furnizojnë tregjet e Europës Qendrore e Lindore, destinacioni i dytë më i madh për drogat.

Kokaina në rritje, 315.500 ha/2304 tonë të prodhuara në 2021

Si oferta ashtu dhe kërkesa për kokainë janë në rritje, po nxiten tregjet të reja. Raporti thekson se bota aktualisht po përjeton një rritje të qëndrueshme të ofertës dhe kërkesës për kokainë, e cila tani po ndihet në të gjithë globin. Kjo ka të ngjarë të nxisë zhvillimin e tregjeve të reja përtej kufijve tradicionalë. Tregu aktual global i kokainës është rezultat i një kombinimi të faktorëve të kërkesës dhe ofertës. Nga ana e ofertës, kultivimi i bimëve të kokainës mbuloi 315.500 ha në vitin 2021, që përfaqëson një rritje të dukshme nga viti 2020, dhe prodhimi total i kokainës arriti në 2.304 tonë, që ishte rritja e shtatë vjetore radhazi. Të dyja janë nivele rekord.
22 mln përdorues të kokainës dhe 219 mln të tjerë të kanabisit
Nga ana e kërkesës, popullsia e përdoruesve të kokainës, e vlerësuar në 22 milionë në vitin 2021, është rritur gradualisht, por në mënyrë të qëndrueshme, e nxitur nga rritja e popullsisë globale. Kanabisi vazhdon të jetë droga më e përdorur, me rreth 219 milionë përdorues (4.3 për qind e popullsisë së rritur globale) në vitin 2021. Përdorimi i drogës po rritet dhe megjithëse globalisht përdoruesit e kanabisit janë kryesisht meshkuj (rreth 70%), ndarja gjinore po zvogëlohet në disa nënrajone; gratë përbëjnë 42%të përdoruesve të kanabisit në Amerikën e Veriut./SOT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne