Shtetet e OBI-t zotohen për mbrojtjen e Al Aksasë

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) shprehu vendosmërinë e saj për të mbrojtur Xhaminë Al Aksa nga të gjitha kërcënimet e Izraelit dhe theksoi shenjtërinë e vendit për muslimanët nga e gjithë bota islame.

Në një komunikatë përfundimtare të lëshuar në Stamboll të martën pas takimit të Komitetit ekzekutiv të ministrave të Jashtëm të OBI-t mbi kufizimet e fundit izraelite mbi xhaminë Al Aksa në Jerusalem, ministrat e Jashtëm të OBI-t dënuan “veprimet e fundit provokative të Izraelit, përfshirë mbylljen e Xhamisë Al Aksa”.

“Komiteti dënon ndalimin e muslimanëve dhe të krishterëve palestinezë nga e drejta e tyre natyrore për adhurim në vendet e shenjta në Al Kuds Al Sharif (Jerusalemi Lindor), përmes përdorimit të masave të ndëshkimit kolektiv dhe përdorimit të forcës vdekjeprurëse dhe të tepruar ndaj adhuruesve palestinezë paqësorë”, thuhet në komunikatë.

Ministrat e Jashtëm theksuan gjithashtu “tolerancën shembullore fetare të krijuar përgjatë shekujve nën sundimin islam” në Al Aksa dhe përsëritën se xhamia e shenjtë ishte “Kibla e parë e Islamit dhe një nga tre faltoret e saj më të shenjta, dhe është një vend i shenjtë që i përket Islamit”.

“Komiteti riafirmon centralitetin e kauzës palestineze dhe karakterin fetar dhe shpirtëror të Jerusalemit Lindor për të gjithë umetin musliman dhe vendosmërinë e tij për ta mbrojtur atë nga të gjitha kërcënimet e shkaktuara nga pushtimi kolonial izraelit”, theksohet më tej në komunikatë.

Aty gjithashtu potencohet karakteri arab dhe islam i Al Aksasë dhe hidhet poshtë çdo përpjekje për të paragjykuar “të drejtën palestineze për sovranitet të plotë mbi Jerusalemin Lindor, si kryeqytet i shtetit të Palestinës”.

Organizata gjithashtu dënoi përpjekjet e fundit të paramenduara izraelite për të ndryshuar ‘status-quo’-në historike në Xhaminë Al Aksa, “duke përfshirë instalimin e detektorëve metalikë dhe kamerave në dhe rreth kompleksit Al Aksa”.

OBI ka theksuar mbështetjen kundër çdo ndërhyrjeje izraelite dhe paralajmëroi se “çdo hap i ngjashëm në të ardhmen do të ishte i papranueshëm dhe i paligjshëm dhe do të ballafaqohet me organizatën”.

Komiteti gjithashtu hodhi poshtë dhe i dënoi përpjekjet e Izraelit “për të nxjerrë ligje për ndryshimin e përbërjes demografike në Jerusalemin Lindor, dhe tha se “çdo masë dhe legjislacion që Izraeli miraton në lidhje me Jerusalemin Lindor është e paligjshme dhe e pavlefshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe disa rezolutave relevante të Kombeve të Bashkuara, përfshirë rezolutat e Këshillit të Sigurimit”.

OBI kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë përpjekjet e nevojshme për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në përputhje me parimin e pranuar ndërkombëtarisht të zgjidhjes me dy shtete dhe për t’i dhënë fund okupimit izraelit që filloi në vitin 1967./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne