Si e justifikoi Donika Prela mos-hetimin e krimeve Avdylaj-Dako

Nga Ilmi Rehova

Donika Prela, kryeprokurorja antikrim e Shqipërisë u shfaq javën e shkuar në një konferencë për mediat për të informuar rreth hetimit të së ashtuquajturës “dosja 339”— e trafikut të drogës nga organizata kriminale Avdylaj.

Pak ditë më parë gazeta Bild publikoi përgjime telefonike midis anëtarëve të bandës dhe kryebashkiakut Vangjush Dako për blerje votash.

Pasi u vu menjëherë nën trysni publike për moshetimin e këtyre krimeve zgjedhore, Donika Prela vendosi të dalë para mediave për të qetësuar opinion publik.

Por deklarata e saj, me një fjalor të varfër dhe mungesë kulture juridike, ngriti më shumë pikëpyetje e dyshime se sa sqaroi.

Zonja Prela u mundua ta justifikojë moshetimin e deritanishëm të bashkëpunimit Adylaj-Dako për krime zgjedhore me argumenta të pabaza.

Në këtë përpjekje, ajo shkeli ligjin duke zbuluar në publik detaje të dosjes hetimore, të cilat kompromentojnë hetimin. Zonja Prela zbuloi numrin e disqeve me përgjime telefonike që ka prokuroria dhe periudhën kur i ka kryer përgjimet—duke zbuluar të dhëna konfidenciale që ndihmojnë personat nën hetim.

Por ky ishte mëkati më i vogël i Zonjës Prela në daljen para mediave.

Mos hapjen e hetimeve, ajo e justifikoi me këtë pohim:

“Hetimi i veçantë dhe i pavarur i veprave penale në fushën e zgjedhjeve ka qenë objektivisht i pamundur, pasi nuk mund të bëhej dhe nuk mund të bëhet ndarja e transkripteve, për këtë vepër penale sa kohë që elementë të sajë janë konstatuar të ndërthurura me subjekte të përgjuar për veprimtarinë kriminale të ‘trafikimit të lëndëve narkotike’, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal sa kohë që kjo ndarje nuk është bërë në momentin e konstatimit të tyre.”

Përtej shqipes së paqartë që ndërthur “elementët” me “njerëzit”, Zonja Prela ka dashur të thotë:

Meqë provat për krimet zgjedhore janë të përzjera në mënyrë të pandashme me ato për trafikun e drogës, ato nuk mund të ndahen për t’u përdorur si për hetimin e trafikut edhe për krimet zgjedhore, prandaj prokuroria ka lënë pa hetuar krimet zgjedhore.

Është pohim i papërgjegjshëm nga goja e prokurores ndoshta më të rëndësishme të vendit.

Menjëherë lind pyetja: a e di Zonja Prela se mos ndjekja penale e një krimi të dyshuar nga prokurori përbën vepër penale?

Nëse prokurorët kanë vendosur, për çfarëdo arsye, të mos hetojnë krimet elektorale Avdylajv-Dako, me gjasa, ata kanë shkelur ligjin.

Zonja Prela është kujdesur të përdorë cilësorin “objektive” për të përshkruar arsyet e moshetimit, por edhe nëse ligji e lejon një rast të tillë, objektivisht, krimet elektorale Avdylaj-Dako mund dhe duhet të ishin hetuar.

Ato mund dhe duhe të hetoheshin brenda së njejtës dosje me krimet e organizatës Avdulaj, në vend që të ishin ndarë në një hetim të veçantë, dojsen 339/1.

Është fakt se krimet zgjedhore—të paktën, blerja e votës dhe kërcënimi i votuesve—kanë qenë një nga veprimtaritë e organizatës kriminale Avdylaj. Përderisa krimet e tjera të organizatës janë përfshirë të gjitha në një hetim të vetëm, edhe krimet elektorale mund dhe duhet të përfshiheshin në të. Ligji e lejon, madje e inkurajon këtë lloj hetimi përfshirës.

Në këtë rast, provat në formën e përgjimeve nuk do të kishin nevojë të ndaheshin, pasi do të hetoheshin nga i njejti grup hetimor për të provuar dy krime të ndryshme të së njejtës bandë.

Madje, mund të argumentohet, se ndarja e hetimeve e ka ngushtuar hetimet për bandën e Avdylajve, duke lënë jashtë fokusit krime të mundshme të kryera përmes favoreve të marra nga funksionarët lokalë të Durrësit në shkëmbim të votave, të tilla si pastrim parash përmes ndërtimeve etj.

Prokuroria nuk ka bërë asnjëherë të ditur se pse—në çfarë rrethanash dhe me çfarë arsyetimi—është bërë ndarja e hetimit. Por nisur nga akuzat për kapje politike të prokurorisë, është koha që ajo të bëjë transparente si dhe pse u mor ky vendim.

Nëse kjo transparencë nuk bëhet, është e arsyeshme të mendohet se ai është marrë nën ndikim politike apo të faktorëve të tjerë të paligjshëm.

Nuk duhet harruar se një ndarje e tillë e hetimit, i shpëton, në rast dënimi, pesë vjet burg Kryebashkiakut Dako— sikurse kemi shpjeguar, nëse një krim kryehet në kuadër të një grupi kriminal, dënimi rritet automatikisht me pesë vjet burg.

Por edhe sikur ndarja e hetimeve të jetë bërë në vullnet të mirë, justifikimet e Zonjës Prela për mos hetimin e krimeve zgjedhore janë shkelje e standardeve ligjore dhe profesionale të hetimit.

Dhe nuk po flas për përgjegjësinë e saj direkte për moszbardhjen e përgjimeve, të paktën që nga koha kur ajo ndryshoi prokurorët e çështjes. Kur u gjend nën akuzat direkte të opozitës, Zonja Prela shtoi menjëherë personel hetimor, kur këtë gjë duhet ta kishte bërë që në momentin e parë.

Megjithatë, mos zbardhja e transkripteve nuk përbën pengesë objektive për moshetimin e krimeve zgjedhore. Veç përgjimeve, prokuroria ka mjaft mjete dhe metoda të tjera hetimore për të hetuar një krim.

Zonja Prela duhet të shpjegojë pse nuk u ndërmorën veprime dhe metoda të tjera hetimore për bashkëpunimin Dako-Avdylaj.

Për shembull, pse nuk janë zhvilluar hetime duke marrë në pyetje personat që kanë informacion ose mund të jenë përfshirë në krimet zgjedhore?

Pse prokuroria nuk ka marrë në pyetje punonjësit demokratë të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizmeve, për të cilët anëtarët e bandës betoheshin se do t’i “shkundnin”? Po drejtuesit e ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve pse nuk janë marrë në pyetje për të zbuluar nëse ata vunë në dispozicion listën e punonjësve?

Po drejtuesit e hipotekave pse nuk janë marrë në pyetje?

Po favoret e mundshme—regjistrim pronash, leje ndërtimi, punë publike, etj—që mund të jenë bërë nga Bashkia Durrës në favor të anëtarëve të bandës së Avdylajve pse nuk janë hetuar, kur ka të dhëna të besueshme se ka patur të tilla?

Po deputeti Ilir Ndraxhi dhe funksionarët e Partisë Socialiste të Durrësit pse nuk janë marrë në pyetje për të hetuar rrethanat e përfshirjës në listat e deputetëve të Ndraxhit?

Po funksionarët e Durrësit pse nuk u vunë në përgjim të drejtpërdrejtë nga prokuroria, pasi u zbulua se ata jepnin dhe merrnin me eksponentë të botës së krimit?

Të gjitha veprimet e mësipërme hetimore dhe shumë të tjera të mundshme nuk janë kryer nga prokurorët.

Është e vështirë të besosh se kjo neglizhencë nga ana e prokurorisë më të rëndësishme në vend—me personelin më të kualifikuar, e pajisur me mjete dhe burimet më të mira dhe me përvojën më të madhe në hetimin e krimit dhe korrupsionit—ka qenë e paqëllimshme.

Në fakt, hetimet e munguara të Vangjush Dakos nga prokuroria e reformuar pas reformës në drejtësi janë, fatkeqësisht, një shembull që dëmton imazhin dhe besimin publik tek drejtësia e reformuar.

Kur e emëroi Zonjën Prela në krye të krimeve të rënda në maj 2018, Arta Marku, prokurorja ende e ngarkuar me funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, u shpreh:

Kemi besim se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë. Ndjekja penale e krimit dhe korrupsionit mbetet prioriteti [im] më i lartë.

Në fakt asgjë nuk ka ndryshuar. Kriminelët dhe politikanët e korruptuar janë njësoj të pandëshkueshëm siç ishin në epokën para ngritjes në majat e sistemit të prokurorisë së Markut dhe Prelës./exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne