Si ka ndryshuar preferenca për produktet e importit/ Në 5 vite u rrit 40% kërkesa për ushqime, me pak tekstilet e këpucët

Mbiçmimi i lekut në raport me monedhën e përbashkët evropiane ka rritur fuqinë blerëse të shqiptarët sa i përket produkteve të importit, veçanërisht kur vjen fjala te pijet e ushqimet, por ndryshime vërehen në të gjithë gamën e mallrave që hyjnë në Shqipëri veçanërisht nga vendet e Bashkimit Evropian. Grupi i ushqimeve e pijeve ai që ka shënuar rritjen më të fortë, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, kur edhe euro ka nisur nënçmimin në nivele historike në raport me lekun. Volumi i importeve të grupit Ushqim, pije duhan i shprehur në lekë rezulton 40% më i lartë në fund të vitit 2022 në raport me vitin 2018. Në vitin 2018, volumi i importeve për këtë grup ishte 106.5 miliardë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2022 ato rezultojnë 149,2 miliardë lekë. Rritja për këtë grup ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. I matur në bazë vjetore, grupi “Ushqime, pije, duhan” rezulton në rritje me +1,3 pikë përqindje, duke shkuar nga 11.8 miliardë lekë në tetor 2022, në 12.9 miliardë në tetorin që sapo lamë pas. Rritja ka qenë graduale për periudhën 2018-2020, ndërkohë që rritja e kërkesës së Shqiptarëve për ushqime e nga jashtë ka shfaqur tendencë të fortë rritëse nga 2021, për të kulmuar në periudhën 2022-2023.

Po me 40% është rritur në pesë vite edhe importi i grupit prodhimi druri dhe letre. Në fund të vitit 2022, volumi i importeve për këtë grup rezulton 35.2 miliardë lekë, nga 25.1 miliardë lekë në vitin 2015. Për periudhën janar tetor të këtij viti, eksportet e këtij grupi rezultojnë në total 24.9 miliardë lekë, në rënie krahasuar me vitin 2022, por gjithsesi duke ruajtur trendin e fortë rritës krahasuar me vitet paraardhëse. Me 33% krahasuar me vitin 2018, është rritur Grupi Produkte Kimike dhe Plastike, ose nga 87,7 miliardë lekë, në 117 miliardë. Për janar-tetorin e këtij viti ato rezultojnë në 96 miliardë lekë, duke qëndruar gjithsesi pranë trendeve të dy viteve të fundit.

Shumë më graduale ka qenë rritja e kërkesës për grupin tjetër të rëndësishëm, tekstile dhe këpucë. Në vitin 2022 totali i importeve për këtë grup rezulton 101.7 miliardë lekë, më një rritje prej 15% krahasuar me vitin 2018. Për këtë vit, volumi i importeve për këtë grup ka shënuar rënie, që në masë të konsiderueshme i detyrohet edhe mbiçmimit të lekut në raport me monedhën e përbashkët evropiane.

Me rreth 30% është rritur në periudhën 2018-2022 volumi i imprteve të Grupit Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Nga 142,3 miliardë lekë në 2018, volumi i tyre është rritur në 167 miliardë lekë në vitin 2022. Ndërkaq ky grup, i favorizuar nga leku i fortë, ka shënuar një bum të vërtetë gjatë 12 muajve të fundit. Ato kanë një rritje prej 1% në terma vjetorë, por për periudhën janar-tetor rezultojnë në total 176.3 miliardë lekë, nga 150 miliardë për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Diferenca është plot 26 miliardë lekë, apo afërsisht 260 milionë euro me kursin aktual të këmbimit./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne