Skadon afati, partitë nuk dërgojnë emrat për Komisionin e hetimit të “gulenistëve”

Grupet parlamentare ende nuk  kanë dërguar në Kryesinë e Kuvendit emrat e përfaqësuesve të tyre në Komisionin Hetimor për Deportimin e gjashtë gylenistëve në Turqi, ndërsa shpersohet që ky komision të formohet gjatë kësaj jave.

Ndonëse në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës (e mbajtur më 4 prill) është vendosur të formohet komisioni hetimor parlamentar për ndriçimin e rastit të deportimit të gjashtë shtetasve turq (më datë 29 mars 2018), ky komision akoma nuk është formuar.

Kuvendi i Kosovës pati kërkuar nga grupet parlamentare që brenda tri ditësh t’ë dërgonin në Kryesinë e Kuvendit emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë komision në përputhje me Ligjin për Hetime Parlamentare, mirëpo deri më tani asnjëri nga grupet parlamentare nuk kanë dorëzuar emrat për anëtarë të këtij komisioni.

 Kështu ka njoftuar sekretari i Kuvendit të Kosovës Ismet Krasniqi, i cili në një prononcim për gazetën Zëri tha se Kuvendi ka pritur emrat e anëtarëve për komisionin hetimor, por asnjë parti nuk i është përmbajtur afatit treditor.

 Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se partitë politike nuk e kanë respektuar afatin treditor për dorëzimin e emrave të anëtarëve të këtij komisioni hetimor parlamentar. Ai madje ka thënë se deri më tani nuk është arritur të mbahet asnjë mbledhje për themelimin e këtij Komisioni.

“Së pari duhet të them që ka qenë afati tri ditë për t’i dorëzuar emrat për anëtarë të komisionit, por në mungesë të kryetarit të Kuvendit i kam thirrur dy mbledhje të Kryesisë dhe në një mënyrë apo në një tjetër disa anëtarë të Kryesisë nuk kanë ardhur, arsyet nuk i di, por deri më tani ne as që kemi mbajtur mbledhje të Grupit Parlamentar për të vendosur për anëtarin e komisionit”, tha ai.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne