Skandali/ Ish Konsulli i Berishës ndez vatrën e korrupsionit në shoqatën panshqiptare “VATRA”

Pas Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pothuajse me të njejtën gjuhë ka reaguar për votën e Shqipërisë në OKB kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, edhe Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”.

Në një deklaratë publike, Presidenti i “VATRA”-s, Dritan Mishto, e ka cilësuar votën e Shqipërisë si një akt antikombëtar dhe goditje që u bëhet marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA.

Por qëndrimi identik i Mishto-s me PD dhe me Sali Berishën nuk është edhe aq rastësor.

Dritan Mishto, është ish konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në New York, i zgjedhur në këtë post me bekimin e vetë Sali Berishës gjatë qeverisjes së tij. Sot ai përdori emrin e një shoqate që lindi me qëllime patriotike në vitin 1912, për qëllime kryekëput politike të 2017-ës.

Kjo nuk është hera e parë që Mishto abuzon me postin që mban në shoqatë.
Mishto dhe gruaja e tij kanë arritur deri aty se të kërcënojnë seriozisht integritetin e shoqatës “VATRA”, duke ndezur brenda saj një vatër korrupsioni.

Ky dokument gjyqësor i datës 18 Korrik 2017 tregon se gruaja e tij Agata Mishto, anëtare e Këshillit drejtues të shoqatës së grave greko-amerikane dhe sekretare e kësaj organizate, ka blerë një ndërtesë prej 1.270.000 dollarësh cash nga shtetasi David Balaj.

Davidi është djali i Zef Balajt, i cili pas kësaj “shitjeje” është shpërblyer nga Dritan Mishto duke e bërë atë anëtar të kryesisë në “VATRA”.

Pyetja që ngrihet është se ku i gjeti Agata mbi 1 milionë dollarë cash për të blerë një ndërtesë? Është e vështirë ta besosh se mund ti ketë kursyer nga rroga e të shoqit si konsull në New York!

Pse menjëherë pas shitjes së ndërtesës, Zef Balaj bëhet anëtar kryesie i shoqatës “VATRA”?

Meqënëse në deklaratën publike, Mishto “i bën thirrje ndërgjegjes shqiptare kudo në botë që në këto momente delikate të rrisë dashurinë dhe besimin tek SHBA”, ai duhet të thërrasë po ashtu ndërgjegjen personale, përpara se ta përdorë shoqatën e të gjithë shqiptarëve si vend qokash për personat me të cilët e lidhin interesa materiale./LEXO.AL

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne