Studiuesit: Mjaft lindët fëmijë! Toka do të përfitojë nga familjet më të vogla

Ndërsa tema e ndryshimeve klimaterike vazhdon të mbizotërojë në sferën politike, hulumtuesit kanë njoftuar se mënyra më e mirë për të shpëtuar planetin është që të kemi më pak fëmijë. Ata njoftuan gjithashtu tre ndryshime të tjera jetese të cilat mund të çojnë në uljen e gjurmëve të karbonit.

Hulumtuesit nga Universiteti i Lundit të Suedisë identifikuan katër mënyra se si njerëzit të mund të ulin gjurmët e tyre të karbonit, ku më kryesorja është të pasurit e familjeve më të vogla.

Nëse familjet do të kishin një fëmijë më pak, kjo do të kursente një mesatare prej 58.6 ton reduktime të emetimeve ekuivalente me dioksidin e karbonit në vit, sipas raportit.

“Një familje amerikane që zgjedh të ketë një fëmijë më pak do të sigurojë të njëjtin nivel të reduktimeve të emetimeve si 684 adoleshentë të cilët zgjedhin të adaptojnë riciklimin gjithëpërfshirës për pjesën tjetër të jetës së tyre”, thuhet.

Ndërsa kjo metodë ishte ajo që mbartte më së shumti ndikim, studiuesit sugjeruan gjithashtu tre mënyra të tjera për njerëzit që të reduktojnë gjurmët e tyre të karbonit – të konsumohet një dietë me bazë bimore, të shmanget udhëtimi ajror dhe të jetohet pa makina.

Studiuesit thanë se të mos pasurit e një makine kursen rreth 2.4 ton ekuivalent me CO2 në vit, ndërkohë që shmangia e udhëtimit me avion kursen rreth 1.6 ton ekuivalent me CO2 për udhëtim. Zëvendësimi i mishit me ushqime bimore kursen 0.8 ton në vit.

Studiuesit përcaktuan katër hapat pas një analize prej 39 faqesh të shqyrtuar nga kolegët, kalkulatorët e karbonit dhe raportet e qeverisë të cilat llogarisin se si zgjedhjet individuale të jetesës mund të ndihmojnë në reduktimin e emetimeve të gazrave serrë.

Shkencëtarët pastaj panë nëse qeveritë ishin duke promovuar në mënyrë adekuate metodat efektive për të frenuar ndotjen. Ata studiuan 10 libra të shkollave të mesme kanadeze, si dhe komunikime qeveritare në SHBA, Australi dhe Evropë, dhe gjetën se ato ishin të përqendruara në “ndryshime progresive me një potencial shumë më të vogël për të reduktuar emetimet”.

Duke nxitur sugjerimet e tyre, hulumtuesit thanë se këto veprime janë shumë më të dobishme për planetin sesa strategjitë e promovuara shpesh, siç është riciklimi gjithëpërfshirës (një e katërta e efektivitetit të një diete me bazë bimore) ose ndryshimi i llambave shtëpiake (një e teta e shumës).

Nuk ka asnjë libër të vetëm kanadez të studiuar nga studiuesit që sugjeron të pasurit e më pak fëmijëve, pavarësisht se ky është veprimi më eko-miqësor, sipas studiuesve.

“Ka kaq shumë faktorë në zgjedhjet personale që ndikojnë në impaktin e klimës, por të sjellurit e të gjitha këtyre studimeve krah për krah na ka dhënë besim se ne kemi identifikuar veprime që bëjnë një ndryshim të madh”, tha autori kryesor Seth Wynes për AFP.

“Ata prej nesh që duan të ecin përpara me klimën duhet ta dinë se si veprimet tona mund të kenë ndikimin më të madh të mundshëm”.

Raporti, i botuar të mërkurën në revistën Environmental Research Letters, vjen vetëm një ditë pasi presidenti francez Emmanuel Macron u akuzua ashpër pasi tha se një nga problemet kryesore të Afrikës ishte se shumica e grave kishin shtatë deri në tetë fëmijë, duke bërë që kritikët e tij ta bënin këtë virale në mediat sociale. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne